Me zërin magjepsës, sopranoja Adelina Paloja, ka sjellë repertorin lirik botëror e atë vendor në koncertin recital në Prishtinë. Kultura të ndryshme të vendeve që kanë kultivuar historikisht muzikën klasike janë në programin e koncertit “Eternal echoes” bashkë me pianisten Lirika Pula-Kasapolli dhe kuartetin harkor “Amati”. Me këtë koncert është hapur edicioni i shtatë i Festivalit ndërkombëtar të vokalit në Prishtinë – “PriVocal Fest”.
Një tjetër festival në skenën vendore të muzikës klasike ka nisur kapitullin e radhës. Hapësira është po e njëjta. Amfiteatri i Bibliotekës Universitare tash e sa vjet është adresë për këto ngjarje kulturore.
Në këtë skenë, sopranoja Adelina Paloja në përcjellje me piano nga Lirika Pula-Kasapolli e kanë nisur koncertin me pjesët “Polyubila ya na pechal svoyu” dhe “Zdes khorosho” të kompozitorit rus, Sergei Rachmaninoff. Kanë qenë melankolike e delikate e njashtu janë edhe meloditë që i sjell Pula-Kasapolli.
“Mesicku na nebi hluboken”, arie nga opera “Rusalka” e çekut Antonin Dvorak ka nisur lehtë, por në zhvillim e sipër ka shkuar drejt notave të larta të cilave pianoja duket se u kundërpërgjigjet me një fragment notash dinamike. Interpretimi i sopranos në skenë sjell ngjyrat operistike me lojë aktoreske në skenë.
Ajo ka interpretuar edhe “Chi il bel sogno di Doretta” nga opera “La Rondine” e Giacomo Puccinit. Më pas vëmendja është drejtuar krejtësisht kah loja në piano. Lirika Pula-Kasapolli ka interpretuar veprën “16 waltzes op.39, no.3,4” të Johannes Brahms. Vepra ka qenë dinamike me plot ndryshime brenda veprës.
Në radhë ka qenë aria “Ecco: respiro appena…io son l'lumile ancella” nga opera “Adriana Lecouvreur” e Francesco Cilea. “Les filles de cadix” e francezit Léo Delibes ka qenë me pjesë humoreske e harmonike ndërsa “Granada” spanjolle e Agustin Lara ka tingëlluar më romantike. Këngë që i flet dashurisë.
Sopranoja Paloja e ka konsideruar goxha sfidues këtë program me të cilin është shprehur e nderuar t’i rikthehet publikut në Prishtinë.
“Jam e nderuar, jashtëzakonisht e lumtur dhe me emocione që po i rikthehem publikut tim të dashur dhe këtë me një koncert recital. Kam pasur vepra të ndryshme dhe mund ta them se disa nga to kanë qenë me kërkesat më impenjative dhe pa modesti do ta them se ka qenë një program goxha impenjativ. Ka pasur Rachmaninoff, Dvorak, Puccini e pjesë të tjera”, ka thënë sopranoja Paloja.
Po kaq romantike në tinguj ka qenë vepra “S.V.P Tango” e argjentinasit Astor Piazzolla e interpretuar nga kuarteti harkor “Amati”. Derisa dy violina dhe viola zhvillojnë një temë të ndjeshme, violonçeli qëndron indiferent ndaj këtyre zhvillimeve. Luan edhe pika solo, ndërsa të katër instrumentistet tërheqin harqet me gishtërinj duke e bërë veprën atraktive.
Në pjesën e fundit të koncertit, Adelina Paloja ka kënduar vepra nga repertori shqiptar. Nën përcjelljen e violonçelit e violinës ka kënduar “Mall dashurie” nga Nikolla Zoraqi. Katërshja e harkorëve është bërë bashkë në interpretimin e këngës “Bash Zemani” e Halit Kasapollit, e aranzhuar nga kompozitori e dirigjenti Hajrullah Syla.
Krejt formacioni është kompletuar në interpretimin e këngëve “Shqipëri o vendi im” e Avni Mulës dhe “Rrjedh në këngë e ligjërime” e Feim Ibrahimit, të dyja të aranzhuara nga Genc Tukiqi.
Sopranoja Paloja ka thënë se veprat shqiptare janë sjellë si versione të tjera, të aranzhuara në formë më ndryshe. Ka thënë se me to ka dashur të rifreskojë repertorin dhe të zgjerojë horizontet e kësaj krijimtarie. Sipas saj, rëndom një numër i vogël i veprave shqiptare këndohen nëpër koncerte recitale.
“Veprave nga krijimtaria shqiptare së cilës gjithmonë mundohem t’i jap vendin meritor që e ka, por kësaj radhe kam dashur që ato të jenë risi për publikun dhe të tilla kanë qenë. Katër nga ato që i kemi interpretuar në fund kanë qenë dy aranzhime që asnjëherë nuk janë interpretuar në Kosovë, një vepër premierë për soprano ‘Bash Zemani’ e Hajrullah Sylës që në këtë formacion asnjëherë nuk është interpretuar dhe një vepër e Nikolla Zoraqit krejtësusht e padëgjuar”, ka thënë Paloja.
Ka thënë se secila vepër ka qenë sfiduese dhe se me të njëjtin program planifikon të prezantohet në të tjera vende.
“Me këtë koncert kam dashur ta sfidoj edhe vetveten. Unë jam gjithmonë kërkuese nga vetja dhe pati vepra rusisht, çekisht, pati Puccini dhe Adriana.. nga repertori italian, për çfarë edhe kam bërë një specializim njëvjeçar në Itali. Tutje janë veprat spanjisht, në gjuhën frënge dhe krejtësisht në fund edhe repertori shqiptar. Përveç aspektit muzikor që është me kontraste të mëdha stilistike e teknike, sepse në çdo vepër duhet ta trajtosh drejt në aspektin teknik, e pastaj edhe në atë emocional”, ka thënë Paloja më tej.
Pianistja Lirika Pula-Kasapolli ka thënë se programi është ideuar nga solistja Paloja.
“Programi ishte i larmishëm, unë një pjesë të mirë të arieve të pjesës i kam shoqëruar edhe më parë sopranot tjera, por gjithmonë është kënaqësi shumë e madhe të performoj me Adelinën, sepse është shumë serioze, shumë e përgatitur dhe me ide shumë të qarta për muzikën. Është hera e dytë që kemi koncert recital bashkë”, ka thënë ajo.
Programin e ka konsideruar me shumë ngjyra muzikore.
“Blloku i parë u përket komplet veprave lirike, përfshirë edhe ato në gjuhën sllave si Rachmaninoff dhe Dvorak të cilat konsistojnë të gjitha në një shoqërim me harmoni shumë të bukura që nga piano e me koloraturë që Adelina e ka të përkryer si dhe nota shumë të larta të cilat zakonisht është shumë e vështirë të realizohen për soprano por Adelinës i vijnë mjaft natyrshëm. Sa i përket veprës që luajta, unë janë pjesë miniaturë që kryesisht luhen bashkë, ndërsa unë preferova t’i marr dy”, është shprehur pianistja Pula-Kasapolli.
Në natën hapëse zërat bashkë me muzikën janë vënë në kontribut të rritjes së ndërgjegjësimit të kancerit të gjirit. Festivali i është bashkuar kësaj thirrjeje përderisa edhe edicionin e zhvillon në muajin që i dedikohet ndërgjegjësimit të kancerit të gjirit.
Festivali ndërkombëtar i vokalit sivjet zhvillon edicionin e shtatë nga 14 deri më 20 tetor. Koncerti i parë “Eternal Echoes” me sopranon Adelina Paloja e shoqëruar nga pianistja Lirika Pula-Kasapolli dhe kuarteti harkor “Amati” i ka prerë shiritin edicionit me pesë koncerte gjithsej.
Nata e dytë e festivalit është “Opera Night” më 16 tetor ku do të luhet opera “Mbreti Lir” në dy akte për solistë, orkestër virtuale kompozuar dhe drejtuar në skenë nga Zoe Hippius. “Young Generation” është koncerti i tretë i këtij edicioni me artistë të rinj, pjesëmarrës të përzgjedhur nga masterklasi i udhëhequr nga maestro argjentinas Raúl Giménez. Ky koncert do të zhvillohet më 18 tetor. Sivjet për herë të parë festivali ka organizuar masterklasë për këndim me mjeshtrin e vokalit Giménez.
Drejtori i festivalit “PriVocal Fest”, Hajrullah Syla, ka bërë të ditur se masterklasa veçse ka nisur. Ka theksuar se kjo është risi e festivalit.
“Kjo është hera e parë që festivali organizon një masterklasë, zakonisht kemi pasur garën për kompozitorë dhe këtë vit kemi vendosur të kemi një materklasë. Ajo çfarë është shumë e rëndësishme në këtë edicion është se do të kemi edhe një operë që do të sillet në një formë më ndryshe sesa jemi mësuar ta shohim. Kjo do të jetë risi për këtë edicion dhe të gjitha koncertet e planifikuara për këtë edicion janë të veçanta në formën e vet”, ka thënë Syla.
Derisa ka folur për koncertin “Eternal Echoes” e ka konsideruar nisje të suksesshme të edicionit të shtatë me radhë.
“Ideja ka qenë edhe e Adelinës që në pjesën e dytë të programit të ketë edhe autorë shqiptarë ku janë disa nga veprat që këndohen tash e sa vite dhe janë të mirëpritura nga publiku. Programi ishte mjaft mirë i realizuar, publiku me duartrokitjet e tyre u pa se ishte shumë i kënaqur me performancën. Kjo ishte nata e parë po shpresoj se edhe vazhdimi do të jetë ashtu siç jemi përgatitur”, ka thënë ai më tej.
Në kuadër të festivalit më 19 tetor mbahet koncerti i katër. Nën titullin “There is Someone on Earth” vjen zëri i veçantë i mexosopranos franceze Albane Carrère e shoqëruar nga pianisti Andi Duraku dhe Donjeta Cërmjani në violonçel.
Edicioni i shtatë mbyllet më 20 tetor me koncertin “12 Months”, ku do të interpretojë kori “Pro Ars”, i udhëhequr nga dirigjenti maqedonas Sasho Tatarchevski.
Pri Vocal Fest tash e shtatë vjet me radhë funksionon si platformë për artistët e muzikës vokale. Në kuadër të kësaj ngjarjeje pos artistëve ndërkombëtarë që performojnë në skenën e festivalit, gjithashtu promovohen artistët e rinj dhe sillen kultura të ndryshme muzikore. Një aspekt tjetër shumë i rëndësishëm është promovimi i artistëve të rinj duke i inkurajuar në zhvillimin dhe rritjen e tyre artistike.