Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
EXPRESS

Poshtërimi i Mirushës

Ndërkohë që penda e kundërligjshme e Malishevës ia ndal ujin, 11 fshatrat e kësaj komune e zbrazin gjithë kanalizimin e tyre në lumin Mirusha, që i përshkon ato para se me atë ujë t’i krijojë ujëvarat e famshme nëpër shkëmbinjtë madhështorë që nuk e meritojnë një poshtërim të këtillë.

Një oazë midis Klinës e Malishevës, e mbrojtur nga natyra, e sulmuar nga njeriu, bën thirrje për ndihmë. Ujëvarat që struken midis shkëmbinjve e gjelbërimit nuk krenohen siç kanë ditur dikur. Edhe pse mbrohen me ligj qe katër dekada si Park Regjional i Natyrës, më 1982 e më 2012 shpallen Monument i Natyrës, Ujëvarave të Mirushës sot u vidhet uji, u derdhet kanalizimi e u hidhet bërllok. Rruga që të çon andej, nga Klina deri në një pikë është e asfaltuar.

Shkon duke iu afruar e duke hyrë në natyrë dhe vetura nis të ngrejë pluhur pas. Pret ta ndiesh freskinë që do të duhej ta sillte uji i 16 liqeneve të mëdha e të vogla që bie në disa nivele teposhtë, por ajo nuk vjen. Ecën këmbë disa dhjetëra metra nëpër grykën me lumë të shterur dhe mbërrin në cak. Ujëvarat e famshme të Kosovës nuk dëgjohen. Nuk i japin freski ditës me diell. Afrohesh te liqeni i parë, e sheh dhe të vjen keq në çka është shndërruar një muaj pa i lëvizur uji. Kundërmon.

Ngjyrë e gjelbër në të kafe. Shtresa shkume e lëmashku duke lundruar në sipërfaqe. Peshq të ngordhur atykëtu. Babushka i thoshin llojit të peshkut që nuk po mund t’i mbijetojë realitetit të ri. Kishte pasur periudha gjatë tre vjetëve të fundit që njerëzit me rrjeta i kishin mbledhur nga sipërfaqja viktimat peshq, përmes të cilëve Mirusha po përpiqej të çonte sinjal. Në këtë pikë fillon ta ndiesh një fund. Të jetës. Të natyrës. Të bukurisë. Të dëshirës. Vendi ku dikur uji fliste, tash është i qetë. Sheh disa njerëz që bëjnë muhabet me ton të ulët. Të duket sikur je në varrim. Të përshkon dhimbja e humbjes.

Diga e Malishevës

Edhe Lumi Mirusha në disa pjesë jashtë shtratit, akse rrugore në Malishevë vështirë të kalueshme Arbëri 6 muaj më parë Lumi Mirusha në disa pjesë jashtë shtratit, akse rrugore në Malishevë vështirë të kalueshme

“Deri para dy dekadave ky ujë ka qenë shumë i rrjedhshëm, shumë i pastër, ka pasur shumë peshq... Sot është në gjendje të mjerueshme. Është shumë vështirë për ata njerëz që e kanë njoftë para dy dekadave të shkojnë, të ulen, të pushojnë e ta shijojnë. Është degraduar krejtësisht”, thotë Rasim Selimi, banor i fshatit Llapçevë të Malishevës. 

Fytyra e tij plot keqardhje e zëri paksa i ngritur tregojnë për rënien e sasisë së ujit si një problem dhe ndotjen e tij si problem tjetër. 

“Është një digë e formuar në fshatin Mirushë, mbi Lubizhdë aty. Është një liqen artificial që nuk di çfarë vlere ka e kujt i duhet. Dhe e dyta, fshati Sverkë e kanë ndalë nji pjesë të ujvarës për furnizimin me ujë. Edhe fshatrat tjera ndajnë ujë”. Përmend edhe rënien e sasisë së të reshurave, por atë e pranon si realitet që njeriu nuk mund ta ndryshojë. 

“Fatkeqësisht në dekadën e fundit edhe të reshurat atmosferike kanë qenë më të pakta. Ama me u ndalë krejtësisht ujëvara... E mbaj mend gjyshi që më ka tregu para 70- 80 vjetëve është ndalë njëherë currieli edhe kanë hy në atë pusin e madh e kanë kap peshk me dorë. Unë 63 vjet i kam dhe nuk e mbaj mend që është ndalë në këtë masë si sot, mbi një muaj”, ka thënë ai. Rënia e sasisë së ujit, sipas banorëve, ka qenë drastike në dhjetë vjetët e fundit. 

Digën e ndërtuar në Komunën e Malishevës më 2008 e shohin fajtorin kryesor. Koha ka raportuar se kjo digë është ngritur pa kritere dhe pa leje. Se kjo pendë ka ndikuar në rënien e sasisë së ujit e ka konfirmuar edhe Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit, përkatësisht Instituti për Mbrojtjen e Natyrës, që vepron në kuadër të kësaj agjencie. Selimi tregon se edhe para një dekade sasia e lumit ka qenë më e me madhe se aktualisht. 

“Me ujin e atij lumit kanë punu edhe dy mulli për bluarjen e miellit. Njëri i fshatit Llapqevë e tjetri i Mrasorit. Mbi 30 fshatra janë furnizuar me miellin e këtyre dy mullinjve”, ka treguar ai. Thirrje drejtuar institucioneve për të marrë masa që të ndalet shkatërrimi i vlerave të këtij lokacioni ka bërë edhe Aziz Avdiu, banor tjetër i fshatit Llapçevë. “Është mirë që si në nivel komunal, si në qendror të bëhet çmos që të mos ndalet uji. Kushtet klimatike e bëjnë të veten, por është me rëndësi që faktori njeri të mos ndikojë që kjo bukuri e natyrës të mos e humb rrjedhën e saj. Lumi s’ka rrjedhë, ujëvarat po duken të gjymta. Gjallesat kanë nevojë për ujë. Është një dëm i madh ekologjik kjo që po ndodh”, ka thënë Avdiu. 

Edhe ai tregon që në masë kaq të madhe të bjerë niveli i ujit dhe për periudhë kaq të gjatë nuk ka ndodhur ndonjëherë. Banorë të këtyre trevave sqarojnë se nga fundi i verës çdoherë ka pasur më pak ujë dhe se në pranverën e hershme niveli është më i lartë, për shkak se lumi Mirusha merr hov pas shkrirjes së borës në malet përreth.

Rrugëtimi nëpër kanion

Burimi i lumit Mirusha gjendet në perëndim të maleve të Carralevës, në Banjë, dhe zgjatet afro 40 kilometra në rrugëtimin deri të arrijë te ujëvarat. Në fund të kanionit, pas liqenit të fundit, rreth 30 metra larg është edhe burim i bujshëm që i bashkohet lumit para se të derdhet në Drin. 

Në kohë thatësie ujëvarash, uji i këtij burimi rrugëton i vetëm. E ujëvarat janë e veçanta e lumit Mirusha. Ato krijohen nëpër nivelet e shkëmbinjve në rrjedhën e mesme dhe fundore të lumit, me një gjatësi 650 metrash. Në bazë të formës dhe madhësisë këto liqene ndahen në tri grupe: Liqenet e epërme 1 - 8, Liqenet e mesme 9 - 12 dhe Liqenet e poshtme 13 - 16. 

Liqeni i fundit i rrjedhës së ujit është më i madhi për nga dimensioni dhe ka qasje të lehtë për çdo vizitor, gjë që atë e bën të parin për ta. Aty dikush ndalet dhe e shijon oazën në hyrje të saj, e dikush ngjitet deri lart ku nisin ujëvarat. E kur nuk e sheh ujin që do të duhej të derdhej në liqenin e madh nuk mund të dëshpërohesh në to. 

Edhe Paçarizi: Gjendja në Malishevë është emergjente, janë evakuuar gjashtë familje Arbëri 6 muaj më parë Paçarizi: Gjendja në Malishevë është emergjente, janë evakuuar gjashtë familje

Bashkëndien si edhe me një viktimë të keqmenaxhimit të shtetit. Për t’i ngushëlluar ato dhe veten, nis të mendosh dhe t’ua thuash të tjerëve që vendi megjithatë është përrallor, që shpirti jeton aty ende dhe ringjallja është e mundur. Dëshiron t’ua dëshmosh që janë të parezistueshme për t’u kënaqur me to. 

Merr rrugën përpjetë, për në nivelet e mësipërme, nëpër gurë të mëdhenj që janë bërë të rrëshqitshëm nga frekuentimi i shpeshtë. Pastaj kapesh nëpër shkëmbinj dhe në “Rrugët e hekurta” që janë vendosur aty për kalim më të lehtë. Arrin te ballkoni. Te ujëvara e famshme e fotografive të turistëve të shumtë, duke ecur përtej ujit. Një korridor në shkëmb, e kur kishte ujë mund të kalohej e të gjendeshe mes gurit e ujit. Tash vëmendjen ta tërheqë ndonjë hardhucë që ikën shpejt, kur merr vesh se ka njerëz aty. Dhe, natyrisht shumë bërllok gjithandej. Ambalazhe ushqimesh të zbehura nga rrezet e diellit. Shishe plastike. Qese atykëtu të lidhura për degë drunjsh, të mbushura me bërllok. Dhe vendorët tregojnë. 

“Vijnë njerëzit me qese plot. Ngjiten deri lart. Kthehen pa asnjë qese”. Është kjo kultura e masës dhe as ajo nuk mund t’ua marrë bukurinë strukturave shkëmbore. Nuk mund t’i fajësosh ato. Janë viktima edhe në këtë rast sikur për vjedhjen e ujit. Bashkëndien dhe mendon e ua thua të tjerëve që këta shkëmbinj, megjithatë, janë magjepsës dhe nuk mund të mos vazhdosh t’i shijosh. E, vazhdon përpjetë, nëpër “rrugët e hekurta” dhe mbërrin në një kanion më të thellë. Shkëmbinjtë në të dy anët lidhen me një urë, të ndërtuar nga një entuziast nga Gjermania, siç tregojnë vendësit. 

Ecën nëpër atë urë sajllash hekuri e pllakash druri dhe kalon në anën tjetër. Nëpër shkëmb, dhe mbërrin kah mesi i ujëvarave. Vendësit thonë se kjo është ujëvara e katërt. Ata i numërojnë gjashtë dhe jo gjashtëmbëdhjetë ujëvara, siç janë të identifikuara në dokumentet zyrtare për Mirushën. Te e katërta, ujëvarën nis ta dëgjosh. Pika-pika të mirëpret. Duken si rrahje zemre. Të tregon se është ende e gjallë dhe se nuk dëshiron të ndalet. Nuk ka se si të mos gëzohesh, ke bashkëndier aq gjatë me të. Dhe shijimi në këtë pikë zgjat më shumë. 

Madje shndërrohet në një lloj komunikimi, kur e sheh veten që po buzëqesh derisa ajo flet përmes pikave që bien nga lart në liqenin e saj. Të fton të ngjitesh më lart e të premton që atje do të të bëjë më shumë muhabet. Në të pestën, siç e llogarisin banorët, pikon më shumë ujë. Ka më shumë hapësirë dhe madje edhe dy shpella afër njëra tjetrës. Hyn brenda tyre dhe fillon ta ndiesh freskinë. I ngushëllon se as ato nuk janë fajtore për ambalazhet e biskotave e shishet e multivitaminave të shpërndara gjithandej. 

Aty afër është shtegu për te ujëvara më e lartë. Ajo që vështirë se mund të arrihet nga kjo anë. “Rrugët e hekurta” të vendosura nga alpinistë që e kanë përzemër Mirushën, janë dëmtuar. Sajllat janë këputur dhe nuk mund të ndihesh sigurt të mbështetesh në to. Mbase edhe shkatërrimi i gjërave që nuk ta zënë rrugën është njëfarë kulture e masës në mesin tonë. Nuk ka faj për këtë as shkëmbi, as “rruga e hekurt”... ato mbesin të bukura megjithatë.

Pasi e shijon të pestën, nis rruga e kthimit. Ajo gjatë së cilës përshëndetësh me secilin shkëmb, secilin liqen e madje edhe me hardhucat. Ndihesh borxhli për magjinë që ta kanë dhënë, edhe pse tani nuk ndihen krenare si dikur.

Ujëvarat pa mbrojtje

Në vitet shtatëdhjetë, ajo që ishte atëherë Krahina e Kosovës kishte pasur një ide për Mirushën. Me formimin e Entit për Mbrojtjen e Natyrës u vunë nën mbrojtje Ujëvarat e Mirushës dhe me kohë u zgjeruan kufijtë, duke përfshirë edhe rajonin që kapte lumi Mirusha. 

Në fillim të viteve tetëdhjetë kishte nisur hartimi i planit hapësinor për Parkun Rajonal Natyror të kanionit të lumit Mirusha. Ekspertët e parkut nacional në Kroaci, “Liqenet e Plitvicë” kishin qenë të angazhuar për realizimin e tij, duke tërhequr paralele të bukurive që ofrojnë këto dy lokacione. Plani kishte qenë të nisej më 1987, por nuk u realizua asnjëherë. 

“Liqenet e Plitvicës” sot janë një atraksion që mbledh turistë nga e gjithë bota. Mirusha mbeti një lokacion ekskursionesh, meqë zhvillimet politike asokohe në ish-Jugosllavi rrënuan planin zhvillimor për Kosovën. Deri në vitin 2012 nuk pati vlerësim meritor për Mirushën. Tek në majin e atij viti Qeveria e Kosovës mori vendim për shpalljen monument i natyrës me rëndësi të veçantë “Ujëvarat e Mirushës” me sipërfaqe afro 600 hektarësh. Në mars të vitit 2014, Kuvendi i Kosovës miratoi Planin Hapësinor, hartuar nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit. 

Edhe Në fotografi – Gjendja e rënduar nga vërshimet në Malishevë Arbëri 6 muaj më parë Në fotografi – Gjendja e rënduar nga vërshimet në Malishevë

“Ujëvarat e Mirushës veçohen për vlerat unike të trashëgimisë natyrore, kombëtare dhe kulturore, andaj përmes këtij dokumenti synohet që kjo zonë të mbrohet nga ndikimet e jashtme, të shfrytëzohet në mënyrë racionale, si dhe të ketë zhvillim të turizmit të qëndrueshëm në dobi të komunitetit lokal dhe rajonal”, thuhet në planin e miratuar nga Kuvendi. Në të gjitha vlerësimet, jo veç nga banorët e asaj ane e nga ambientalistët, por edhe nga vetë Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit, degradimi i këtij monumenti natyror nuk ka pasur të ndalur asnjëherë. 

Ministria e Mjedisit nuk ka funksionalizuar as organin menaxhues për monumentin “Ujëvarat e Mirushës”, e paraparë sipas Ligjit për Mbrojtjen e Natyrës. Ndërkohë që penda e kundërligjshme e Malishevës ia ndal ujin, 11 fshatrat e kësaj komune e zbrazin gjithë kanalizimin e tyre në lumin Mirusha, që i përshkon ato para se me atë ujë t’i krijojë ujëvarat e famshme nëpër shkëmbinjtë madhështorë që nuk e meritojnë një poshtërim të këtillë.