EXPRESS

Pikturimi në gota

Nita Aziri i përzgjedh me kujdes format e gotave, të cilat i bën gati t’ua shtojë dimensionin artistik.

Pasi që i pastron mirë ato, ajo i pozicionon në një vend dhe nis t’ua ndryshojë pamjen. Puna mbi xham, e ka bërë arkitekten e re që të punojë me shumë përkushtim deri në detajet më të vogla.

Ajo gjatë punës kujdeset shumë për mënyrën se si ndërvepron me secilin cep të gotës.

“Me profesion si arkitekte, e fokusuar në enterier, mendoj që çdo detaj në hapësirë ka shumë rëndësi, duke përfshirë edhe çdo pjatë ose gotë që gjendet në atë hapësirë. Edhe para se të studioja arkitekturën, kam qenë shumë entuziaste pas gotave dhe filxhanëve. Gjithmonë kam shikuar diçka që ka ndonjë formë e detaj më të bukur, ndërsa ideja ka lindur gjatë karantinës kur mendova pse të mos krijoja diçka timen, sidomos në gotat e verës e të shampanjës, të cilat janë të punuara nga makinat dhe kështu kam hyrë, kam hulumtuar se me çfarë teknike duhet të punohet”, ka shpjeguar arkitektja Aziri.

Nita Aziri tregon se derisa ka nisur të krijojë një set me gota, ajo ka kaluar nëpër një proces mjaft sfidues. Para se të krijojë brendin e saj, ajo ka eksperimentuar mjaft shumë me mënyrën e pikturimit në gotë.

“Mendoj që arkitektura edhe arti gjithmonë janë një familje bashkë. Jam rritur në një familje ku ka mbizotëruar arti dhe vazhdimisht kam punuar vizatime të ndryshme që më kanë lidhur edhe me profesion, por kjo ka qenë pak sfiduese, sepse nuk është diçka që e kam provuar më herët, por mendoj që çdo sfidë e çdo fillimi të ri është edhe sfidë e bukur pavarësisht lodhjes. Mendoj që ka qenë diçka shumë e bukur për të provuar diçka të re. Sfidat e tjera kanë qenë se është një art shumë delikat pasi që, nëse është një art i cili vendoset në mur, ai zakonisht nuk preket, por gota është shumë delikate dhe është dashur t’i kushtoja shumë rëndësi dhe se si atë gotë ta bëj rezistuese edhe ndaj prekjes dhe ujit”, ka shpjeguar tutje Nita Aziri.

Meqë gotat të cilat ajo i krijon janë të destinuara për momente feste, Nita thotë se përmes formave të ndryshme ka dashur që ta bëjë më kuptimplotë dinamikën festive.

“Arsyeja përse kam vendosur të punoj në gota të verës dhe të shampanjës është sepse, pasi që ato përdoren edhe në evenimente festive, si ditëlindja, fejesa e martesa, e kam menduar që veçmas kur bëhen fotografitë të ketë ndonjë detaj të bukur në gotë. Mendoj që ata që e duan artin do ta kishin vlerësuar ta kenë edhe si pjesë të zbukurimeve në shtëpitë e tyre”, ka thënë ajo.

Nita Aziri, e cila është në fillim të brendit të saj, do të vazhdojë të eksperimentojë me ngjyra e forma sa më kreative në gota.