Shpend Gashi është kampioni aktual në lojën zbavitëse të pikados në vend.
Ai si shumë lojtarë të tjerë të lojës me shigjetëza, i është gëzuar lajmit se Federata e Pikados është licencuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për të organizuar gara në një kampionat të rregullt.
Garat për Shpend Gashin nga qyteti i Ferizajt, tashmë do të jenë edhe më motivuese pasi që sipas tij, trofetë brenda vendit do t’ia mundësojnë përballjen me mjeshtrit e pikados në arenën ndërkombëtare.
Kampioni i pesëfishtë i turneve të organizuar në Kosovë, rrëfen për pasionin e tij në sportin në të cilin dy ose më shumë lojtarë hedhin shigjeta në një cak rrethor.
Arben Sllovinja, që është kryetar i Federatës së Pikados, thotë se ishte rrugë e gjatë derisa arritën ta marrin licencën, por është i bindur se shumë shpejt, ata do të pranohen edhe në federatën botërore të sportit që luhet kryesisht në pube.
Aktualisht disa prej qyteteve tashmë kanë filluar themelimin e klubeve në sportin e pikados, ndërsa është bërë e ditur se shumë shpejt do të fillojë kampionati i rregullt.
Themeli i Federatës së Pikados është konsideruar se e pasuron jetën sportive në vend.