Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
EXPRESS

Një adresë e veçantë për fëmijët e verbër

Kjo është thirrja artistike e përditshme e fëmijëve të verbër dhe atyre me të parë të dëmtuar në Qendrën burimore për mësim dhe këshillim “Xheladin Deda” në Pejë.

E tëra çfarë kërkojnë është barazia dhe përfshirja në komunitet, teksa qëndrimi njëditor në këtë institucion dëshmon shumëdimensionalitetin e mësimdhënies.

Nga viti 1982, me iniciativën e ish-drejtorit Mazllum Avdyli, u themelua kjo shkollë speciale, e cila hapi dyert për këtë kategori nga cikli parafillor e deri tek ai i mesëm.

Përvojën e parë të mësimdhënies mësuesja Ilirjana Shehu e ka pasur me këtë kategori të fëmijëve, teksa tani iu kanë bërë 21 vjet punë.

“Me fëmijët e verbër kryesisht e përdorim alfabetin e braillit. Për të, e përdorim makinën e braillit, ku përdoren fletat e veçanta për të shkruar. Librat shtypen për secilin nxënës me alfabetin e braillit sepse në shkollën tonë ekziston edhe shtypshkronja ku shtypet për secilin fëmijë në bazë të nivelit në të cilin janë. Kurse me fëmijët të cilët kanë dëmtime në të pamur përdorim libra me shkronja të zmadhuara. Edhe ato shtypen në kuadër të shkollës sonë”, thotë Shehu.

Fëmijët në këtë qendër burimore kanë hapësirë edhe për kreativitet artistik. Kabineti i muzikës mbushet me ritmet melodike të cilat ata i krijojnë, ndërkaq kabineti i artit shkëlqen nga ngjyrat e shumta që bartin mesazhe për përfshirje në shoqëri.

Administrata dhe informatika janë dy drejtimet e shkollës së mesme, të cilat kanë kabinete ku nxënësit mund të ushtrojnë edhe praktikën. Profesori i informatikës, Jusuf Mustafa Ahmetaj, tregon për veçantitë e kabinetit, i cili përdoret edhe nga cikli i mesëm i ulët.

“Veçori e kabinetit është programi me zë dhe pajisjet që janë ekstra atyre që ne i përdorim zakonisht. Njëra ndër to është pajisja për shkrim - lexim në brajt, që pwrbwhet prej 80 celulave, lexon dhe shkruan në brajt. Kjo duhet të përdoret krahas tastierës së zakonshme. Miu nuk përdoret tek të verbërit, por tek ata që kanë të pamur të dobësuar”.

Drejtori i kësaj qendre, Xhavit Kastrati, bën thirrje te prindërit që të mos i stigmatizojnë fëmijët e tyre, por t’i sjellin në këtë shkollë speciale. Ai tregon procedurat që duhet ndjekur për t’u lajmëruar tek ata apo te Drejtoria Komunale për Arsim.

“Në momentin që e kemi informatën, aktivizojmw njësinë e mësuesit udhëtues dhe mbështetësit në familje që nënkupton dy ekipe mobile të cilat shkojnë në terren dhe e bëjnë identifikimin e rastit duke e adresuar dhe vlerësuar rastin konform kompetencave të cilat i kemi. Fillimisht kemi kompetencën profesionale ku vlerësohet funksionimi i të pamurit tw nxënësit. Konform atij funksioni, ne i përgatisim materialet, ia dërgojmë shkollës apo institucionit edukativ-parashkollor, kështu qw ai person me dëmtime në të pamur me automatizëm ndjehet komod”, thotë Kastrati.

Kjo qendër burimore funksionon me formatin e qëndrimit ditor dhe bujtinë, teksa motrat konviktore kujdesen për gjendjen shëndetësore të nxënësve.

Qendra burimore “Xheladin Deda” aktualisht ka 105 nxënës, 40 prej të cilëve janë në intervenimin e hershëm apo ciklin parashkollor, 20 me kurrikulë, 20 të verbër, me dëmtime në të parë e të shumëfishta dhe përafërsisht 40 nxënës janë të integruar në shkolla të tjera, të mbështetura nga kjo qendër.

Artikuj të ngjashëm