Rruazat në penj i fusin me goxha përkushtim. I përzgjedhin ngjyrat të cilat i duan më së shumti dhe kështu krijojnë qafore e byzylykë. Kjo është vetëm një pjesë e punës që e bëjnë në orën e punëdores në qendrën burimore për mësim dhe këshillim “Përparimi” në Prishtinë.
Njëjtë sikurse shoqja e saj, edhe Egzona Ymeri e bën me shumë zell përgatitjen e aksesorëve.
Naxhije Zakuti – Kadriu, mësimdhënëse e punëdores dhe e gjuhës angleze, e cila merret me fëmijët me dëmtime të rënda dhe të shumëfishta, tregon se përpjekjet e nxënësve shkojnë përtej klasës.
“Materialet të cilat i bëjmë në këtë dhomë i shesim gjatë festave”, tha Zakuti-Kadriu. “Është viti i tretë që kemi filluar me klasën e punëdores, e financojmë e mirëmbajmë nga punimet që i bëjmë dhe i shesim. Kemi marrëveshje me Komunën e Prishtinës, ku në shesh dalim dhe i shesim, me mjetet të cilat e furnizojmë prapë”.
Themelet e kësaj qendre burimore e cila ofron arsim special datojnë që nga vitet e 80’ta, teksa atëherë objekti ka qenë në shkollën e tanishme “Naim Frashëri”.
“Kemi pasur katër dhoma mësimi, një për drejtorin dhe një për zyrtarin administrativ. Një hapësirë jashtëzakonisht e papërshtatshme për këtë kategori të fëmijëve, në klasë 6 karrige e tavolina, një shkumës dhe një dërrasë e zezë. Brenda atyre mundësive jemi munduar që t’u ofrojmë sa më shumë këtyre fëmijëve. Paralufte edhe me ato vështirësi të cilat i kishim, ajo dhomë u uzurpua nga drejtoria e atëhershme e serbëve, mbetëm vetëm me tre dhoma e punonim me tre ndërrime që të mos i linim jashtë nxënësit tanë”, tregon Igballe Asllani-Potera.
Igballe Asllani-Potera, që drejton këtë shkollë që prej vitit 2000, tregon se numri aktual i nxënësve është 91, teksa përfshijnë ciklin fillor e deri tek ai i mesëm.
E emëruar “Përparimi”, si simbolikë e rezultateve të ndryshimit te këta fëmijë, kjo qendër burimore posedon edhe dhomën multisensore, e cila ua stimulon lëvizjet dhe u ndihmon që të relaksohen.
Një pjesë e pëlqyer nga nxënësit është edhe kabineti i muzikës, në të cilin me përkushtim këndojnë dhe mësohen të luajnë në instrumente.
“Të gjithë e dimë që muzika ka ndikimin më të madh në jetën e njeriut, edhe te këta fëmijë është shumë i madh. Ka raste kur vijnë pa disponim, të lodhur, nuk duan as të hynë në shkollë, i joshim përmes muzikës se do të vijmë në kabinet të këndojmë e të vallëzojmë, kur vijnë këtu janë të relaksuar, madje shpesh edhe flenë këtu nga muzika klasike”, thotë Blerina Kallaba.
Kjo qendër burimore ka edhe katër mësimdhënës udhëtues. Përshtatja e nevojave të nxënësve me planprogramin e mësimit në shkolla të rregullta është përgjegjësi e tyre, teksa këtë e bëjnë në 17 komuna.
“Detyra jonë është që të bëjmë identifikimin e nevojave të fëmijëve me nevoja të veçanta në shkollat e rregullta. Ne e krijojmë një urë lidhëse në mes të qendrës burimore dhe shkollave të rregullta, e promovojmë arsimin gjithëpërfshirës, ndihmojmë në mbështetjen profesionale të hartimit të planit individual të fëmijëve, japim këshilla profesionale duke filluar nga drejtorët, konsulenca pedagogjike, mësimdhënësit, prindërit”, deklaron Dafina Ademi. “Është pak sfiduese sepse është numër i vogël, nganjëherë mungon edhe automjeti për t’i kryer këto detyra, por me rastin e pandemisë jemi duke punuar vetëm online. Por është sfidë sërish sepse në vende rurale mungon interneti, qasja, etj.”
Drejtoresha Asllani – Potera pranon se paragjykimet për këta fëmijë janë ulur dukshëm, por që ka një mesazh për prindërit e tyre.
“Unë si eksperte e edukimit special, si nënë, si person që është marrë me edukim ndër vite, do ta bëja një mesazh te prindërit me nevoja të veçanta që të pajtohen me gjendjen e fëmijëve të tyre dhe mos ta marrin si sëmundje. Edhe sëmundje po të jetë nuk është turp sepse askush nuk e zgjedhim asgjë, të drejtohen te institucionet përkatëse dhe mos të mbështeten në dëshirat e tyre personale”.
Qendra burimore “Përparimi” ua ka hapur dyert nxënësve të saj më 1 nëntor, pas rinovimit prej korrikut.