EXPRESS

“Ngjarja e një fijeje” thur shenjat identitare në tekstile

“Ngjarja e një fijeje. Narrativat globale në tekstil” mund të nënkuptojë emërtimin për materialin prej të cilit formohen dhjetëra vepra të ekspozuara në Galerinë Kombëtare të Kosovës. Por bëhet më kuptimplotë kur nis rrëfimi për organizimin e ngjarjes.

Gjashtëmbëdhjetë artistë e kishin të garantuar ekspozimin e veprave të tyre në kryeqytet. Edhe dhjetë të tjerë u janë bashkuar artistëve që eksplorojnë botën e tyre artistike nëpërmjet veprave që për medium kanë tekstilin. Aty janë rrëfimet personale e identitetet kulturore që lidhin fijet e së kaluarës dhe të tashmes.

Instituti për Marrëdhëniet e Jashtme Kulturore me ekspozitën shëtitëse “The Event of a Thread” ka mbledhur kulturat e narrativat e artistëve nëpër dhomat ekspozuese të Galerisë. Aty përfshihet evoluimi nga eksplorimi i fijes që nga përpunimi i saj e deri te transformimi në vepër arti.

Përfshirja e artistëve vendorë në ekspozitë ka qenë një lloj dëshmie se endja e saj ndikon në vepra. Ato rrëfejnë, komunikojnë me veprat pranë tyre. Ngjanë se ato ndryshojnë varësisht prej hapësirave kulturore. Dhe ky është pikërisht koncepti i ekspozitës që parasheh lidhjen në rrëfimin e ekspozitës të artistëve e bashkëkuratorëve.

Kuratoret gjermane Susanne Weiß dhe Inka Gressel, kanë sjellë edicionin e tetë të ekspozitës në Prishtinë, duke shpalosur narrativat globale në mediumin e tekstilit si pikënisje.

Kuratorja Susane Weiß, ka thënë se shenjat e folklorit janë të pashmangshme në këto vepra si elemente të ekspozitës kolektive “Ngjarja e një fijeje”.

“Pjesa e fortë e kësaj ekspozite është se është një lloj tapeti i madh si një lumë që zgjatet dhe zgjatet kudo që shkojmë. Është një moment i rëndësishëm i ekspozitës sonë që rrëfen histori të ndryshme dhe që burojnë nga vendet ku ne shkojmë. Njerëzit janë të njohur me to dhe kuptojnë se kanë lidhje me tekstilin si medium”.

Inka Gressel, ka thënë se ideja e ngjarjes është që të vihen në bashkëbisedim vendet e ndryshme me atë gjerman, në secilin vend ku udhëtojnë.

“Tekstilet janë në zemër të kësaj ekspozite. Është një lloj dialogu. Aty gjen kultura të ndryshme, forma të migrimit. Kemi ftuar edhe disenjatorë, gjeni edhe punë të artistëve lokalë që i kemi përzgjedhur bashkërisht me Hanën. Veprat janë të afërta edhe me arkitekturën si dhe shumë estetike”.

“Ngjarja e një fijeje. Narrativat globale në tekstile” nxjerr mënyrat komplekse të punës me tekstile. Narrativa shqiptare vjen nëpërmjet veprave të Blerim Luzhës, Farija Mehmetit, Silvi Naçit, Barbara Prenkas, Gani Rizas, Matej Rodiqit, Driton Selmanit dhe Valbona Zherkës.

Vepra e Zherkës, sjell në mendje punëdoret tradicionale që vendoseshin si dekore muri. “Rrugëtimi” është tapiceria e frymëzuar nga e kaluara, por edhe imagjinata e spekulimi utopik për të ardhmen.

Korridori në ngjitje të shkallëve për në katin sipër është pikëtakimi me “shtandin” me vepra të Gani Rizës. Artisti i lindur dhe rritur në Paris ka sjellë në një tavolinë teknika të ndryshme me tekstil, përfshirë tapiceri me simbole kombëtare si dhe figura të tjera. “ALBAN’$ 4EVER: Kam një histori për të treguar” quhet vepra e tij që ngërthen shumë elemente, që kishte nisur ta punonte nga viti 2020.

Në dhomën që i kushtohet pjesës së edukimit, karriget e vendosura rreth dy tavolinave janë veshur me pëlhurë me dizajnin e Blerim Luzhës. Ky ishte edhe njëri prej punimeve të tij që qëndron i varur në kornizë, bashkë me tri të tjera. Sfondi i zi është dizajnuar me lule të kaltra e të bardha dhe vija të imëta gjithandej. Është rezultat i dizajnit në letër me ngjyra akriliku i vitit 1974.

Vepra e artistit Driton Selmani, është e përbërë nga një seri vizatimesh të hartës së Kosovës. E punuar në vitin 2012, vepra ishte konceptuar në kohën e studimeve në Angli kur kishte kuptuar se Kosova shpesh nuk gjendej në harta, tekste e në lista shtetesh. Skicat për “Tell me ëhere I am from” janë përdorur nga kolegët e tij të cilëve u kishte kërkuar të tregonin se ku gjendej Kosova dhe si dukeshin kufijtë e saj.

“Shamitë” e Farija Mehmetit, sjellin kulturën rome nëpërmjet shamive shumëngjyrëshe e me forma të ndryshme. Shamitë e varura në mur janë edhe në versionin e pikturës, ku prezanton gruan rome duke i mbajtur ato të lidhura në kokë.

Vepër që rrëfen histori personale e jo vetëm, atë të shoqërisë, është ajo e Silvi Naçit. Gjashtë foto në letër janë në mur, një rrip në tavolinë. Ky i fundit është burimi i narrativës. Flet për dhunën jo veç në hapësira private.

Barbara Prenka e Matej Rodiqi, gjithashtu flasin me gjuhë artistike nëpërmjet tekstilit.

Bashkëkuratorja e ekspozitës, Hana Halilaj, ka thënë se artistët vendorë shtojnë histori të reja në ekspozitën shëtitëse “Ngjarja e një fijeje”.

“Në Galerinë Kombëtare kemi ftuar edhe dhjetë artistë të rinj sa i përket listës së kësaj ekspozite. Këta artistë më pas thurin e sjellin histori të reja. Punët janë të instaluara në mënyrë që të gjitha të jenë në bashkëbisedim me njëra-tjetrën. Ne jo vetëm që veshim me kuptime të reja për shkak të kontekstit ku shfaqen, por marrin kuptime të reja edhe pse janë të prezantuara krahas punëve të tjera të ndryshme”.

Güneş Terkol, nga Turqia ka sjellë vijat e figurës së njeriut të përziera me ato të objekteve në pjesë të ndryshme të trupit. Janë gjithsej katërmbëdhjetë pjesë arti që ndërtojnë veprën e saj “Desire passed by Band” e punuar në vitin 2010. Ajo ka thënë se ato reprezantojnë periudhën para kohës së Perandorisë Osmane dhe pas saj.

“Janë karaktere surrealiste që kanë objekte në disa pjesë të trupit, siç ndodh me krahët që ngjajnë në lugë, objekte nga shtëpia apo vende të tjera. E kam bërë këtë vepër në vitin 2010 në Izmir. Ishte një kompani austriako-turke ku punonin materialet e tekstilit. I mora mbetjet dhe bëra këto karaktere. Janë si një lloj bendi që bën muzikë, tinguj”.

Pas Prishtinës, në fijen e “Ngjarjes së një fijeje” do të bashkohet Shkupi.