Kulturë

“Ngjarja e një fijeje” thur shenjat identitare në tekstilet universale

Kulturat e narrativat e artistëve janë lidhur në ekspozitën “Ngjarja e një fijeje”. Aty përfshihen evoluimi nga eksplorimi i fijes që nga përpunimi i saj e deri te transformimi në vepër arti. Janë “narrativa globale në tekstil”, siç është pjesa e dytë e titullit të ekspozitës së hapur të enjten mbrëma në Galerinë Kombëtare të Kosovës. Veprat ndryshojnë varësisht prej hapësirave kulturore. Dhe ky është pikërisht koncepti i ekspozitës që parasheh lidhjen në rrëfimin e ekspozitës

“Ngjarja e një fijeje. Narrativat globale në tekstil” mund të nënkuptojë emërtimin për materialin prej të cilit formohen dhjetëra vepra të ekspozuara në Galerinë Kombëtare të Kosovës. Por bëhet më kuptimplotë kur nis rrëfimi për organizimin e ngjarjes.

Gjashtëmbëdhjetë artistë e kishin të garantuar ekspozimin e veprave të tyre në kryeqytet. Edhe dhjetë të tjerë u janë bashkuar artistëve që eksplorojnë botën e tyre artistike nëpërmjet veprave që për medium kanë tekstilin. Aty janë rrëfimet personale e identitetet kulturore që lidhin fijet e së kaluarës dhe të tashmes.

Instituti për Marrëdhëniet e Jashtme Kulturore me ekspozitën shëtitëse “The Event of a Thread” ka mbledhur kulturat e narrativat e artistëve nëpër dhomat ekspozuese të Galerisë. Aty përfshihet evoluimi nga eksplorimi i fijes që nga përpunimi i saj e deri te transformimi në vepër arti.

Përfshirja e artistëve vendorë në ekspozitë ka qenë një lloj dëshmie se endja e saj ndikon në vepra. Ato rrëfejnë, komunikojnë me veprat pranë tyre. Ngjan se ato ndryshojnë varësisht prej hapësirave kulturore. Dhe ky është pikërisht koncepti i ekspozitës që parasheh lidhjen në rrëfimin e ekspozitës të artistëve e bashkëkuratorëve.

Kuratoret gjermane Susanne Weiß dhe Inka Gressel kanë sjellë edicionin e tetë të ekspozitës në Prishtinë duke shpalosur narrativat globale në mediumin e tekstilit si pikënisje.

Kuratorja Susane Weiß ka thënë se shenjat folklorit janë të pashmangshme në këto vepra si elemente të ekspozitës kolektive “Ngjarja e një fijeje”.

“Pjesa e fortë e kësaj ekspozite është se është një lloj tapeti i madh si një lumë që zgjatet dhe zgjatet kudo që shkojmë. Është një moment i rëndësishëm i ekspozitës sonë që rrëfen histori të ndryshme dhe që burojnë nga vendet ku ne shkojmë. Njerëzit janë të njohur me to dhe kuptojnë se kanë lidhje me tekstilin si medium”, ka thënë për KOHËN kuratoja Weiß, e cila me profesion është muzeologe, por vepron edhe si ndërmjetësuese. Në karrierën e saj ka konceptuar seri të ndryshme ekspozitash që kanë zgjeruar programin e ekspozitave në mënyra specifike për vendin e saj dhe jo vetëm. Bashkë me Inka Gressel zhvillojnë ekspozitën shëtitëse që prej vitit 2015.

Inka Gressel ka thënë se ideja e ngjarjes është që të vihen në bashkëbisedim vendet e ndryshme me atë gjerman në secilin vend ku udhëtojnë.

“Ideja është që në çdo vend ku shkojmë lidhemi me artistë lokalë që punojnë me tekstil si dhe me kuratorë. Krijimi i këtyre dialogëve lokalë na ndihmon të mbajmë të lidhur këtë fije. Ne jemi të interesuara në tekstilet si një medium me shumë karakteristika ku mund të flasësh për fijet, besimet, shoqërinë, sfondet politike. Është medium statik prej ku mund të eksplorosh edhe histori. ‘Ngjarja e një fijeje’ është emri i ngjarjes ku çdo vend lidhet në këtë fije”, ka thënë kuratorja Gressel, derisa ka konsideruar se veprat e ekspozitës janë në komunikim me njëra-tjetrën.

“Tekstilet janë në zemër të kësaj ekspozite. Është një lloj dialogu. Aty gjen kultura të ndryshme, forma të migrimit. Kemi ftuar edhe disenjatorë, gjeni edhe punë të artistëve lokalë që i kemi përzgjedhur bashkërisht me Hanën. Veprat janë të afërta edhe me arkitekturën si dhe shumë estetike”, ka thënë më tej Gressel, e cila ka përfunduar Studimet Kulturore të Aplikuara në Luneburg dhe Berlin të Gjermanisë dhe në Madrid të Spanjës. Ka punuar si asistente kërkimore në galerinë e artit “Badischer Kunstverein” dhe në “Documenta 12”. Ka kontribuar në këto ngjarje si redaktore e autore.

“Ngjarja e një fijeje. Narrativat globale në tekstile” nxjerr mënyrat komplekse të punës me tekstile. Narrativa shqiptare vjen nëpërmjet veprave të Blerim Luzhës, Farija Mehmetit, Silvi Naçit, Barbara Prenkas, Gani Rizas, Matej Rodiqit, Driton Selmanit dhe Valbona Zherkës.

Vepra e Zherkës sjell në mendje punëdoret tradicionale që vendoseshin si dekore muri. “Rrugëtimi” është tapiceria e frymëzuar nga e kaluara, por edhe imagjinata e spekulimi utopik për të ardhmen.

Korridori në ngjitje të shkallëve për në katin sipër është pikëtakimi me “shtandin” me vepra të Gani Rizës. Artisti i lindur dhe rritur në Paris ka sjellë në një tavolinë teknika të ndryshme me tekstil, përfshirë tapiceri me simbole kombëtare si dhe figura të tjera. “ALBAN’$ 4EVER: Kam një histori për të treguar”, quhet vepra e tij që ngërthen shumë elemente, që kishte nisur ta punonte nga viti 2020.

Image
Korridori në ngjitje të shkallëve për në katin sipër është pikëtakimi me “shtandin” me vepra të Gani Rizës

Krejt pranë, në dhomën që i kushtohet pjesës së edukimit, karriget e vendosura rreth dy tavolinave janë veshur me pëlhurë me dizajnin e Blerim Luzhës. Ky ishte edhe njëri prej punimeve të tij që qëndron i varur në kornizë, bashkë me tri të tjera. Sfondi i zi është dizajnuar me lule të kaltra e të bardha dhe vija të imëta gjithandej. Është rezultat i dizajnit në letër me ngjyra akriliku i vitit 1974.

Vepra e artistit Driton Selmani është e përbërë nga një seri vizatimesh të hartës së Kosovës se si njihet ajo dhe si vizatohet. E punuar në vitin 2012, vepra ishte konceptuar në kohën e studimeve në Angli kur kishte kuptuar se Kosova shpesh nuk gjendej në harta, tekste e në lista shtetesh. Skicat për “Tell me where I am from” janë përdorur nga kolegët e tij të cilëve u kishte kërkuar të tregonin se ku gjendej Kosova dhe si dukeshin kufijtë e saj. Ajo përfshin veprën e qëndisur në kornizë dhe nëntë vizatime.

Image
Në dhomën që i kushtohet pjesës së edukimit, karriget e vendosura rreth dy tavolinave janë veshur me pëlhurë me dizajnin e Blerim Luzhës

“Shamitë” e Farija Mehmetit sjellin kulturën rome nëpërmjet shamive shumëngjyrëshe e me forma të ndryshme. Shamitë e varura në mur janë edhe në versionin e pikturës ku prezanton gruan rome duke i mbajtur ato të lidhura në kokë.

Vepër që rrëfen histori personale e jo vetëm, atë të shoqërisë, është ajo e Silvi Naçit. Gjashtë foto në letër janë në mur, një rrip në tavolinë. Ky i fundit është burimi i narrativës. Flet për dhunën jo veç në hapësira private. Atë e përshkon shkrimi “termi dhunë në familje është përdorur si një term ‘i butë’ që sugjeron se dhuna ndodhë në një kontekst intim që është privat dhe më pak kërcënues, më pak brutal, sesa dhuna që ndodhë jashtë shtëpisë… më shumë gra rrihen dhe vriten në shtëpi sesa…”, përfundon fjalia.

Image
Vepra e Valbona Zherkës sjell në mendje punëdoret tradicionale që vendoseshin si dekore muri. “Rrugëtimi” është tapiceria e frymëzuar nga e kaluara, por edhe imagjinata e spekulimi utopik për të ardhmen

Barbara Prenka e Matej Rodiqi gjithashtu flasin me gjuhë artistike nëpërmjet tekstilit.

Bashkëkuratorja e ekspozitës, Hana Halilaj, ka thënë se artistët vendorë shtojnë histori të reja në ekspozitën shëtitëse “Ngjarja e një fijeje”.

“Në Galerinë Kombëtare kemi ftuar edhe dhjetë artistë të rinj sa i përket listës së kësaj ekspozite. Këta artistë më pas thurin e sjellin histori të reja. Punët janë të instaluara në mënyrë që të gjitha të jenë në bashkëbisedim me njëra-tjetrën. Ne jo vetëm që veshim me kuptime të reja për shkak të kontekstit ku shfaqen, por marrin kuptime të reja edhe pse janë të prezantuara krahas punëve të tjera të ndryshme”, ka thënë Halilaj, kuratore në Galerinë Kombëtare të Kosovës.

Güneş Terkol nga Turqia ka sjellë vijat e figurës së njeriut të përziera me ato të objekteve në pjesë të ndryshme të trupit. Janë gjithsej katërmbëdhjetë pjesë arti që ndërtojnë veprën e saj “Desire passed by Band” e punuar në vitin 2010. Ajo ka ka thënë se ato reprezantojnë periudhën para kohës së Perandorisë Osmane dhe pas saj.

Image
Güneş Terkol nga Turqia ka sjellë vijat e figurës së njeriut të përziera me ato të objekteve në pjesë të ndryshme të trupit. Janë gjithsej katërmbëdhjetë pjesë arti që ndërtojnë veprën e saj “Desire passed by Band”

“Janë karaktere surrealiste që kanë objekte në disa pjesë të trupit, siç ndodh me krahët që ngjajnë në lugë, objekte nga shtëpia apo vende të tjera. E kam bërë këtë vepër në vitin 2010 në Izmir. Ishte një kompani austriako-turke ku punonin materialet e tekstilit. I mora mbetjet dhe bëra këto karaktere. Janë si një lloj bendi që bën muzikë, tinguj”, ka thënë ajo derisa ka shtuar se tekstili prej kohësh është bërë paleta e saj.

I pranishëm në hapjen e ekspozitës ka qenë Christian Böttcher, përfaqësues i Ambasadës së Gjermanisë në Kosovë. Ai ka thënë se tekstilet janë temë interesante sepse gjithkush mund ta gjejë veten në to.

“Tekstilet janë me ne, brenda nesh, rreth nesh, gjithmonë. Nuk ka të bëjë veç me veshjen, por me gjithçka që na rrethon. Është temë e përditshme diskutimi. Është moderne dhe tradicionale në të njëjtën kohë. Janë shumë të ndryshme dhe nuk ndalojnë së zhvilluari”, ka thënë ai në fjalën e tij në hapjen të ekspozitës “Ngjarja e një fijeje”. Pas Prishtinës, në fijen e “Ngjarjes së një fijeje” do të bashkohet Shkupi.