“Ngjarja e një fijeje. Narrativat globale në tekstil“, është ekspozita e cila bën bashkë veprat e rreth 25 artistëve nga vendi dhe bota që artin e tyre e shprehin nëpërmjet tekstilit. Se çfarë kuptimesh dhe porosish të qenësishme mund të gjenden në pëlhura, se cila është rëndësia e tyre kulturore dhe si mund të lexohen tekstilet, janë disa prej pyetjeve që gjejnë përgjigje në ekspozitën e cila hapet sonte (e enjte) në Galerinë Kombëtare të Kosovës. Aty zbërthehet edhe origjina e tyre, kuptimi dhe rolet e tekstileve në shoqëri
Tekstilet përbëjnë kuptim thelbësor në historinë njerëzore, pasqyrojnë një itinerar të zhvillimeve kulturore, ekonomike dhe shoqërore. Duke u nisur nga fibrat më të hershme të manipuluara në ngjyra deri te dizajnet e sofistikuara të tekstileve bashkëkohore, përpunimi i tekstileve si praktikë artistike bart më vete kuptime të ndryshme dhe komplekse të cilat japin përgjigje për zhvillimin njerëzor. Tekstilet janë pjesë e pandarë e shprehjes së identitetit dhe trashëgimisë kulturore, shërbejnë si mjet komunikimi dhe tregimi përmes motiveve, ngjyrave dhe teknikave. Tekstilet vazhdojnë të ndërthurin historinë e përbashkët duke bërë lidhje nëpër kohë dhe kultura.
Mbi këto premisa zhvillohet edhe ekspozita e dytë për sivjet e Galerisë Kombëtare të Kosovës. Pas suksesit të pakontestueshëm të ekspozitës “Dita natë, nata vjet” e kolektivit “Haveit”, vjen “Ngjarja e një fijeje. Narrativat globale në tekstil“ e kuruar nga Inka Gressel, Susanne Weiß dhe Hana Halilaj. Vernisazhi i saj mbahet sot (e enjte).
Tekstilet formojnë vendin ku arti takohet me artizanatin, traditat takohen me ditët e sotme dhe njohuritë lokale kryqëzohen me marrëdhëniet globale, ndërkaq këto ndërveprime priten të shfaqen në ekspozitën kolektive që bashkon rreth 25 artistë e grupe të huaja e vendore. Aty janë edhe veprat e pionierëve të kësaj teknike në Kosovë, Valbona Zherka, Blerim Luzha e Matej Rodiqi.
Ekspozita është paralajmëruar si ngjarje që nxjerr në pah shumë mënyra komplekse në të cilat artistët pjesëmarrës punojnë me tekstile. Ato i lidhin narrativat personale dhe estetike me konfigurimin social dhe ekonomik të botës së globalizuar duke ofruar këndvështrime globale të bazuara në kontekstet lokale.
Susanne Weiß ka shpalosur më shumë detaje rreth përmbajtjes së kësaj ekspozite duke thënë se ideja e saj, e cila ekziston tash e shtatë vjet, është që të përfshihen dhe akterë lokalë në to.
“Për këto shtatë edicione me radhë ne kemi vepruar duke sjellë në shumë vende një ekspozitë thelbësore, e cila është në një gjendje bashkëbisedimi me konceptet lokale të vendit pritës. Në to flitet gjithmonë për aspektet regjionale”, ka thënë Weiß, e ftuar të martën në emisionin “Express” në KTV bashkë me kuratoret Inka Gressel e Hana Halilaj.
Në vitin 1965, artistja e rrymës Bauhaus, Anni Albers, e përshkroi “Ngjarjen e një fijeje” si diçka që nuk përcjell vetëm një linjë, por disa sosh, pa fillim apo fund. Si e tillë ajo nënkupton fushëveprim të vazhdueshëm për të rivlerësuar marrëdhëniet dhe për të ristrukturuar lidhjet dhe kontekstet.
Në të gjitha pjesët e botës mund të dëshmohen mbishkrimet komplekse të tekstileve nëpër historitë e tyre kulturore dhe industriale. Në Galerinë Kombëtare të Kosovës kjo ekspozitë udhëtuese fillon me thurjen e ndërlikuar të narrativave nga globi dhe inicion biseda të reja në kontekstin lokal. Historitë janë të thurura me shkathtësi në pëlhura dhe tekstile skulpturore duke theksuar natyrën dinamike dhe të gjithanshme të fibrave.
Pjesë e veprave artistike të ekspozuara do të jenë punimet bazë të ekspozitës krahas atyre të rejave që do t’iu bashkëngjiten në Kosovë. Këtë kuratoret e quajnë si një libër i cili çdoherë prezantohet me tregime të reja.
Inka Gressel, kuratorja tjetër e ekspozitës, tekstilin e sheh si një medium i cili ngjason me arkitekturën organike të njeriut, nëpërmjet së cilës njihen origjina, kuptimi dhe roli i një shoqërie.
“Është një sistem kodimi në tekstile. Për shembull, dikur është ditur se me çfarë ngjyre janë veshur njerëzit me pozicione të caktuara në shoqëri, pastaj dhe paternat e ndryshme dhe kuptimet e tyre. Kështu që paraqitet dhe migrimi në tekstil pasi që këto ngjyra e paterna udhëtojnë nëpër kultura të ndryshme”, ka thënë ajo.
Për Hana Halilajn, kuratore e Galerisë Kombëtare të Kosovës, është me rëndësi që po mbahet një ekspozitë e tillë, e cila bën që të rimerret parasysh roli i tekstilit në art.
“Në këtë ekspozitë do të prezantohen dhe emrat e mirënjohur të artit me tekstil në Kosovë. Mirëpo, kur prezantohen me artistë ndërkombëtarë, ajo që vihet në pah është një gjuhë universale e një mënyre të të menduarit dhe jetesës të cilën e ndajmë me njeri-tjetrën, andaj është ndjenjë e bukur se si këto punë hapin bisedime të reja dhe reprezantojnë kultura të ndryshme rreth botës”, ka thënë Halilaj.
Ekspozita bën bashkë 13 artistë që kanë qenë pjesë e ekspozitës, bashkohet me 10 të tjerë nga Kosova. Ajo do të jetë e hapur deri më datë 28 prill, ndërkaq pas Prishtinës do të udhëtojë në Muzeun e Artit Bashkëkohor në Shkup me kuratoren Jovanka Popova.