EXPRESS

Mitrovica në rizgjim me jazz dhe yje botërorë

Koncerti me interpretues të shquar të botës së jazzit ka qenë pika e fundit e edicionit të parë të “Mitrovica International Jazz Days”. Për tri orë interpretim në zemër të qytetit verior të Kosovës, tingujt kanë qenë hapja e dritareve të kulturave të largëta.

Nisi me potencialin e talenteve vendore në shpalosjen e perlave botërore për në skenën e muzikës izraelite, e deri në atë peizazhet shumëngjyrëshe të muzikës botërore të përfaqësuar prej Bill Laurance dhe Michael League – emra të njohur botërorë të jazzit.

Edicioni i parë i festivalit “Mitrovica International Jazz Days”, ka ardhur fuqishëm sa i përket programit të pasur me emra të shquar të muzikës jazz. Po me të njëjtën jehonë të ngjarjes e ka shënuar edhe koncertin e fundit.

Të parët që kanë nisur zbërthimin e tingujve të muzikës jazz kanë qenë “UP Youth Jazz Ensamble” me talentet e reja të Fakultetit të Arteve në Prishtinë. Nën udhëheqjen e Dukagjin Muhaxherit, ansambli ka nisur shpalosjen e perlave botërore.

Interpretimi i kantautores dhe aranzhueses nga Izraeli, Daphna Levy, dhe mjeshtrit të pianos Stamir Miler nga Taxhikistani, ka qenë tjetër etapë e natës së fundit të “Mitrovica International Jazz Days”.

Pos në vokal, Levy ka luajtur edhe me daulle duke e mbajtur ritmin e tingujve minimalist, por të saktë e të ndjeshëm. E natyrshme ka qenë muzika e dyshes, e aq më tepër ajo jazz kur arrin të bashkojë kultura e t’i përshtatë ato me një pjesë të kulturës shqipe.

Nga skena nuk ka hezituar që herë-herë edhe të shpjegojë historitë e kuptimet e pjesëve që ka interpretuar.

“Ajo çfarë ne bëjmë është se e kombinojmë jazzin me muzikën tradicionale hebraike dhe gjithashtu me pjesë të mia të preferuara klasike. Kënga e radhës është në hebraisht, një prej më të preferuarave të mia, sepse ajo çfarë thotë është ‘nuk kam shtëpi, vendi i vetëm ku mund të shkoj janë dyert e blerta, natyra’“.

Dyshja ka improvizuar gjithashtu me pjesë të famshme për piano duke iu dhënë ngjyra të muzikës jazz. Megjithatë, loja e pianistit Tamir Miler përmbyllet me ruajtjen e strukturës së tingullit klasik.

Kapitulli përmbyllës i ngjarjes ka qenë interpretimi i britanikut, Bill Laurance, dhe amerikanit Michael League, që të dy kompozitorë, producentë dhe poliinstrumentistë. Loja e tyre ka qenë provë se jazzi është botë më vete, ka gjuhë të veçantë që kuptohet duke u zhytur në botën e tingujve që burojnë prej këtij zhanri.

Themeluesit e grupit “Snarky Puppy”, fitues i pesëfishtë i çmimeve “Grammy”, nëpërmjet muzikës kanë rrugëtuar publikun në vende imagjinare me përplot bukuri e paqe.

Bill Laurance, që ka luajtur në piano, ka thënë se pikërisht paqja ka qenë synimi kryesor i të bërit muzikë në Mitrovicë.

“Është shumë privilegj për ne të luajmë këtu në këtë edicion të parë, të jemi përkrahës të Festivalit. Kam dëgjuar për ngjarjet e fundit këtu dhe e gjeta veten, duke luajtur më ndryshe për shkak të kësaj. U inspirova për të përçuar një lloj paqeje. Kam pasur ndjesinë e një koncerti të fuqishëm dhe të rëndësishëm. Ne luajmë gjithkund, por ky koncert ishte shumë i veçantë”.

Amerikani Michael League, që ka luajtur në kitarë e ka vlerësuar muzikën e tyre më shumë se sa jazz.

“Ky projekt është interesant, sepse nuk është thjesht jazz. Ne luajmë lloje të ndryshme të muzikës në duo, muzikën që e kemi shkruar vetë ne. Është muzikë shumë specifike, është rezultat i ndikimeve të ndryshme që kemi si muzikantë dhe dëshira për të luajtur në një format më intim”.

Por kjo është veç një copëz mozaiku prej emrave të shquar që “Mitrovica International Jazz Days” ka sjellë në vend. Një tjetër fitues i çmimit “Grammy”, bas-kitaristi e këngëtari me prejardhje afrikane, Richard Bona, gjithashtu ka ngjitur skenën e festivalit.

Drejtoresha e “Mitrovica International Jazz Days, Rona Nishliu, është shprehur e lumtur me prezencën e publikut të madh në numër dhe performancat e artistëve të mëdhenj.

“Kemi pasur fat që kemi arritur të sjellim emra të tillë që janë pjesë e festivaleve më eminente si emra kryesorë. Pa dyshim se kemi vendosur standard të rëndësishëm në skenën e muzikës jazz në Kosovë. Normalisht që edicioni i ardhshëm nuk do të jetë i thjeshtë, nëse ndodh ta organizojmë, synojmë ta kalojmë edicionin e parë. Do të bëjmë shumë punë, shumë përpjekje që publikun ta shpërblejmë me program tjetër, të mirëmenduar, me emra që janë aktualë në gjithë botën, pse të mos i kemi edhe ne në Mitrovicë”.

“Mitrovica International Jazz Days” është vlerësuar si një lloj rizgjimi i Mitrovicës e rikthim në kohët kur konsiderohej si kryeqendër kulturore.