Kulturë

Mitrovica në rizgjim me jazz dhe yje botërore

Kur edhe këto anë u rrahën prej erërave e revolucioneve kulturore botërore, Mitrovica do të shndërrohej në njërin prej qyteteve që i pari do t’i përqafonte ato. Aty gjëllijnë rock-grupet e para shqip dhe qyteti për shumë vjet mbante epitetin e kryeqendrës kulturore. Vitet ’90, si krejt Kosovën, e heshtën, paslufta e la në hije. Por “Mitrovica International Jazz Days” që në edicionin e vet të parë është një lloj kontrasti i kësaj, shkëndijë e një lloj rizgjimi. Ka sjellë emra të shquar botërorë, aso që në sirtarë kanë edhe me shumë se një trofe “Grammy”. Koncerti përmbyllës ka qenë dëshmia e radhës

Koncerti me interpretues të shquar të botës së jazzit ka qenë pika e fundit e edicionit të parë të “Mitrovica International Jazz Days”. Për tri orë interpretim në zemër të qytetit verior të Kosovës, tingujt kanë qenë hapja e dritareve të kulturave të largëta. Nisi me potencialin e talentëve vendorë në shpalosjen e perlave botërore për në skenën e muzikës izraelite, e deri në atë peizazhet shumëngjyrëshe të muzikës botërore të përfaqësuar prej Bill Laurance dhe Michael League – emra të njohur botërorë të jazzit.

Edicioni i parë i festivalit “Mitrovica International Jazz Days”, ka ardhur fuqishëm sa i përket programit të pasur me emra të shquar të muzikës jazz. Po me të njëjtën jehonë të ngjarjes e ka shënuar edhe koncertin e fundit. Publikut të tij i ka lënë shije të mirë të muzikës dhe fijen që e mban të lidhur me edicionin e ardhshëm.

Me tri koncerte e pesë punëtori të shtrira në një javë në sheshin “Isa Boletini” në Mitrovicë, “Mitrovica International Jazz Days” qe ngjarja që e shëtiti “ekuipazhin” e saj nëpër ngjyra të ndryshme të jazzit, deri tek origjina e zhanrit. Të shtunën e ka kompletuar rrugëtimin e edicionit të parë. Nën qiell të hapur në freskinë e mbrëmjes së verës ambientin e kanë bërë të ngrohtë tingujt e muzikës. Shenjat e festivalit kanë qenë prezente kudo në njërin cep të sheshit të qytetit. Jehona e koncertit të fundit ka nisur disa orë para. Përgatitjet në çdo detaj kanë qenë shenja e seriozitetit dhe përkushtimit për ngjarjen.

Image
Interpretimi i izraelites Daphna Levy dhe Stamir Miler nga Taxhikistani ka qenë tjetër etapë e natës së fundit të “Mitrovica International Jazz Days” (Foto: Komuna e Mitrovicës)

Kapitulli i talenteve të reja

Të parët që kanë nisur zbërthimin e tingujve të muzikës jazz kanë qenë “UP Youth Jazz Ensamble” me talentët e rinj të Fakultetit të Arteve në Prishtinë. Pos lojës në instrumente, ansambli ka përfshirë edhe vokalistë. “La vie en rose” e interpretuar nga Andra Rexhepi, ka qenë e para pjesë e grupit e përcjellë me meloditë e violinave, pianos, perkusioneve e tupanëve. Rexhepi ka interpretuar edhe këngën “My way”, ku tingujt e pianos i kanë paraprirë interpretimit të lehtë e përrallor të saj.

Shpalosja e perlave botërore ka vazhduar me “Dream a little dream to me” nga Fisnik Beguni, ku ka dominuar edhe loja në saksofon e Dukagjin Muhaxherit, mentor i studentëve në “Jazz Improvizim”. Ai e ka udhëhequr ansamblin. Etrit Nura ka interpretuar këngën “Love” që ka nisur si lojë e lehtë me ritme të pastra që shkon drejt avancimit në interpretimin me vokal e në instrumente.

Megi Rexhepi, Ardit Ibrahimi dhe Fisnik Shkodra me klarineta kanë projektuar instrumentalin e pjesës “Take five” të cilët kanë sjellë magjishëm çdo tingull. Në të janë përfshirë edhe tinguj improvizues. Në pauzën e shkurtër të klarinetave kanë dominuar tingujt e tupanëve. Pjesa e jazz- ansamblit të Universitetit të Prishtinës është përmbyllur me interpretimin e “Minor Swing” ku krejt instrumentistët janë bërë një në lojë. Ka qenë si interpretim përshëndetës me publikun, ku secili instrumentist ka pasur hapësirën për ta treguar veten.

Tingujt e muzikës së ansamblit i kanë përmbushur Genc Hajrizi në piano, Urim Maliqi në kitarë, Yllka Simnica në bas kitarë, Olti Perjuci në bateri, Endrit Mala dhe Donjeta Krasniqi në violinë, Brigita Cikaj dhe Shpëtim Zymberi në violë. Vokalistë kanë qenë edhe Greta Azizi dhe Eriona Rama.

Image
“Është shumë privilegj për ne të luajmë këtu në këtë edicion të parë, të jemi përkrahës të Festivalit. Kam dëgjuar për ngjarjet e fundit këtu dhe e gjeta veten duke luajtur më ndryshe për shkak të kësaj. U inspirova për të përçuar një lloj paqeje”, ka thënë pianisti Bill Laurance i cili bashkë me Michael League me grupin “Snarky Puppy” morën pesë “Grammy” (Foto: Komuna e Mitrovicës)

Kapërcimi muzikor i kufijve

Interpretimi i izraelites Daphna Levy dhe Stamir Miler nga Taxhikistani ka qenë tjetër etapë e natës së fundit të “Mitrovica International Jazz Days”.

Pos në vokal, ajo ka luajtur edhe me daulle duke e mbajtur ritmin e tingujve minimalist, por të saktë e të ndjeshëm. E natyrshme ka qenë muzika e dyshes, e aq më tepër ajo jazz kur arrin të bashkojë kultura e t’i përshtatë ato mjaft mirë me një pjesë të kulturës shqipe. Kësisoj njëra pjesë për të cilën kantautorja izraelite, Lexy, ka thënë se është me motive të Lindjes së Mesme ka ngjarë në ritmin e këngëve popullore shqiptare.

Këngë të tjera kanë shpërfaqur më së shumti improvizimet ku ka luajtur muzikën me vokal si pjesë minimaliste të këngës. Kur i është bashkuar edhe pianoja, ajo ka vazhduar interpretimin e lehtë ku ngjyrat e zërit të saj përfshijnë vokal të ulët dhe secilin varg e përfundon me ulje graduale të zërit. Seria e tingujve paraprakisht i prin një ngjalljeje e vokalit dhe vibracionet e tij.

Nga skena nuk ka hezituar që herë-herë edhe të shpjegojë historitë e kuptimet e pjesëve që ka interpretuar.

“Ajo çfarë ne bëjmë është se e kombinojmë jazzin me muzikën tradicionale hebraike dhe gjithashtu me pjesë të mia të preferuara klasike. Kënga e radhës është në hebraisht, një prej më të preferuarave të mia, sepse ajo çfarë thotë është ‘nuk kam shtëpi, vendi i vetëm ku mund të shkoj janë dyert e blerta, natyra’ “, ka shpjeguar Daphne Levy para se të niste interpretimin e njërës prej këngëve, e cila ka ngjarë në këngë tradicionale me ritme dhe karakteristika më të theksuara në vokal.

Daphna Levy është këngëtare, kompozitore dhe aranzhuese nga Izraeli e cila ndërthur jazzin me muzikë etnike dhe me prekje të pjesëve klasike. Ka studiuar piano jazz dhe teatër. Albumi i saj “Late Night Journey” u regjistrua në Tel Aviv dhe New York me një grup ndërkombëtar muzikantësh nga SHBA-ja, Izraeli dhe Evropa. Njëri prej tyre është jazz-saksofonisti amerikan, Lew Tabackin.

Dyshja ka improvizuar gjithashtu me pjesë të famshme për piano duke iu dhënë ngjyra të muzikës jazz. Megjithatë, loja e pianistit Tamir Miler përmbyllet me ruajtjen e strukturës së tingullit klasik. Pjesa me titull “Wonderful”, tekstin e së cilës e kanë përkthyer në anglisht ka qenë lojë më dinamike në piano që nis e lehtë e zhvillohet me lojë vokali.

Tamir Miler kishte emigruar me familjen e tij në Izrael kur ishte adoleshent dhe prej aty kishte nisur të luante jazz. Ka performuar dhe regjistruar me artistë vendës dhe ndërkombëtarë. Ka lansuar gjithashtu një album me muzikë origjinale të titulluar “Walk In Spirit”. Miler ka luajtur në shumë grupe në festivale në vende të ndryshme dhe është mësues i kërkuar i pianos dhe organizues për grupe dhe orkestra.

Image
“Si muzikantë udhëtojmë nëpër botë, luajmë në shumë koncerte dhe çdo mbrëmje është e ndryshme, çdoherë ndryshon audienca. Por ka qenë një ndjenjë e veçantë sonte, besoj për shkak se Festivali është një gjë e re dhe se është një gjë që Rona e ka bërë me dashuri. Mund ta ndieja nga skena mirënjohjen e secilit”, ka thënë Michael League (Foto: Komuna e Mitrovicës)

Laureatët e pesëfishtë të “Grammyt” me tinguj paqeje

Kapitulli përmbyllës i ngjarjes ka qenë interpretimi i britanikut, Bill Laurance, dhe amerikanit Michael League, që të dy kompozitorë, producentë dhe poli-instrumentistë. Interpretimi i dyshes ka qenë provë se jazzi është botë më vete, ka gjuhë të veçantë që kuptohet duke u zhytur në botën e tingujve që burojnë prej këtij zhanri. Edhe po të jenë në seriozitetin më të madh, gjejnë mënyrën të shkrihen me rrymat e jazzit dhe krijojnë tema më argëtuese, sikurse ka ngjarë me lojën e dyshes, fitues të pesëfishtë të çmimit “Grammy”.

Themeluesit e grupit “Snarky Puppy” nëpërmjet muzikës kanë rrugëtuar publikun në vende imagjinare me përplot bukuri e paqe.

Bill Laurance që ka luajtur në piano, ka thënë se pikërisht paqja ka qenë synimi kryesor i të bërit muzikë në Mitrovicë.

“Është shumë privilegj për ne të luajmë këtu në këtë edicion të parë, të jemi përkrahës të Festivalit. Kam dëgjuar për ngjarjet e fundit këtu dhe e gjeta veten, duke luajtur më ndryshe për shkak të kësaj. U inspirova për të përçuar një lloj paqeje. Kam pasur ndjesinë e një koncerti të fuqishëm dhe të rëndësishëm. Ne luajmë gjithkund, por ky koncert ishte shumë i veçantë”, ka thënë ai.

Laurance ka bashkëpunuar gjatë me kitaristin, këngëtarin dhe kompozitorin e famshëm, David Crosby. Në një intervistë në vitin 2018, Crosby e kishte përshkruar Laurance si një nga pianistët më të mirë që ka takuar ndonjëherë në jetën e tij. Ai gjithashtu ka kompozuar muzikë për filma, prej ku është shpërblyer me shumë çmime.

Muzika ka qenë krejtësisht nga albumi i tyre “Where you wish you were”. Në repertor kanë qenë interpretuar “Anthem for a tiny nation”, “Sant Esteve”, “Ngoni baby”, “Duo”, “Meeting of the mind”, “Tricks”, “Bricks” e “Round House”. Interpretimi i tyre në përgjithësi ka qenë tejet serioz dhe të ngurtë në fillim që ndërrojnë kah dhe bëhen improvizues.

Në përgjithësi, muzika e tyre është më serioze dhe anon nga melankolia e zhvillimi i temave më të ndjeshme. Pjesët e fundit kanë qenë me ritme më të gjalla, ku edhe ka ftuar publikun të mbajë ritmin me duartrokitje.

Amerikani Michael League, që ka luajtur në kitarë e ka vlerësuar muzikën e tyre më shumë se jazz.

“Ky projekt është interesant, sepse nuk është thjeshtë jazz. Ne luajmë lloje të ndryshme të muzikës në duo, muzikën që e kemi shkruar vetë ne. Është muzikë shumë specifike, është rezultat i ndikimeve të ndryshme që kemi si muzikantë dhe dëshira për të luajtur në një format më intim”, ka thënë League, derisa ka theksuar se e gjithë muzika që kanë luajtur ka qenë origjinale.

Për të koncerti në Mitrovicë ka qenë e veçantë për pjesëmarrjen në Festivalin si projekt i ri në qytet.

“Si muzikantë udhëtojmë nëpër botë, luajmë në shumë koncerte dhe çdo mbrëmje është e ndryshme, çdoherë ndryshon audienca. Por ka qenë një ndjenjë e veçantë sonte, besoj për shkak se Festivali është një gjë e re dhe se është një gjë që Rona e ka bërë me dashuri. Mund ta ndieja nga skena mirënjohjen e secilit”, ka thënë ai më tej.

League e kishte tërhequr muzika që në moshë të re dhe kishte filluar të luante në kitarë në moshën 13-vjeçare dhe bas kitarë kur ishte 17 vjeç. Ai studioi jazz në Universitetin e Teksasit. Ka interpretuar e regjistruar me artistë të zhanreve të ndryshme.

Në vitin 2014, League dhe Laurance fituan çmimin e tyre të parë “Grammy” për performancën më të mirë R&B me “Snarky Puppy” dhe Lalah Hathawa. Në vitin 2016, “Sylva”, albumi bashkëpunues midis “Snarky Puppy” dhe “Metropole Orkest” fitoi “Grammy Award” si albumi instrumental më i mirë bashkëkohor, ashtu si edhe albumi pasues i tyre, “Culcha Vulcha” në vitin 2017. Albumi “Live at the Royal Albert Hall” i “Snarky Puppy” i vitit 2020 kishte fituar çmimin tjetër “Grammy” në vitin 2021 si albumi më i mirë instrumental bashkëkohor.

Por kjo është veç një copëz mozaiku prej emrave të shquar që “Mitrovica International Jazz Days” ka sjellë në vend. Një tjetër fitues i çmimit “Grammy”, bas-kitaristi e këngëtari me prejardhje afrikane, Richard Bona, gjithashtu ka ngjitur skenën e festivalit. Me të edhe ishte hapur ngjarja, të hënën e 28 gushtit. Nëpërmjet muzikës së tij ka krijuar atmosferë magjike, duke tejkaluar kufijtë gjuhësorë e kulturorë. Në kuadër të programit të festivalit ka interpretuar edhe dyshja Elina Duni dhe Rob Luft ku kanë ngjyrosur perlat shqiptare me ritme jazzi.

“MIJD Big Band”, “Ganna Ensemble”, italiani Endrico Morello, dyshja me armenianin Karen Asatrian dhe ukrainasin Andrej Prozorov, e kanë ndërtuar pjesën tjetër të programit, të cilët gjithashtu kanë mbajtur punëtori me instrumentistë të rinj në tema të ndryshme. “Folklori, tradita dhe jazzi”, “Gjeni zërin tuaj” e lojëra kreative me fëmijë kanë qenë prej temave e aktiviteteve. E fundit ngjarje para koncertit përmbyllës ka qenë “Diskuto dhe mëso me Michael League dhe Bill Laurance.

“Ishte e mrekullueshme të takojmë dhe të mësojmë, të lidhemi me studentët këtu. Ishte privilegj të udhëtojmë këtu”, ka thënë Laurance për punëtorinë.

Festivali si standard i ri në skenën vendore

Drejtoresha e “Mitrovica International Jazz Days, Rona Nishliu, e cila e ka vlerësuar qytetin si burim të talentëve, i ka konsideruar këto aktivitete si tejet të vlefshme.

“Mitrovica gjithmonë ka nevojë të përfitojë nga eksperiencat e njerëzve që ia kanë dalë me shumë sukses. Për shembull kemi pasur sonte një punëtori me Michael dhe Bill që janë fitues të pesëfishtë të çmimit ‘Grammy’. Të rinjtë që kanë qenë aty prezentë vërtetë kanë përfituar shumë nga eksperienca e këshillat e tyre”, ka thënë Nishliu. Në përmbyllje të festivalit është shprehur e lumtur me prezencën e publikut të madh në numër dhe performancat e artistëve të mëdhenj.

“Kemi pasur fat që kemi arritur të sjellim emra të tillë që janë pjesë e festivaleve më eminente si emra kryesorë. Padyshim se kemi vendosur standard të rëndësishëm në skenën e muzikës jazz në Kosovë. Normalisht që edicioni i ardhshëm nuk do të jetë i thjeshtë, nëse ndodh ta organizojmë, synojmë ta kalojmë edicionin e parë. Do të bëjmë shumë punë, shumë përpjekje që publikun ta shpërblejmë me program tjetër, të mirëmenduar, me emra që janë aktualë në gjithë botën, pse të mos i kemi edhe ne në Mitrovicë”, ka thënë kantautorja Nishliu.

Koncertet i ka vlerësuar si net magjike, ndërsa organizimin në përgjithësi si mënyrë për të mbajtur të zhvilluar skenën kulturore në qytet.

“Përkundër faktit që muzika jazz ka një audiencë shumë të limituar të adhuruesve, na ka ardhur mirë që përpos fanatikëve të këtij lloji ka pasur edhe qytetarë që e kanë ndjekur ngjarjen thjesht për shkak të zgjimit të nostalgjisë për Mitrovicën e dikurshme me aktivitete kulturore”, ka thënë Nishliu, drejtuese e “MIJD”.