EXPRESS

Mbyllet "Chopin Fest" me shkëlqimin e Avery Gaglianos

Nëntë mbrëmje koncertale me solistë ndërkombëtarë e vendorë dhe mijëra veta në publik, janë bilancet e edicionit të 13-të të “Chopin Piano Festit”.

E fundit instrumentiste që përmbylli tingujt pianistikë të këtij edicioni ishte amerikania 21-vjeçare, Avery Gagliano.

Me virtuozitetin e saj e lojën magjepsëse ka konfirmuar edhe një herë tjetër misionin e Festivalit: të dëgjohet lojë e nivelit të lartë me alamet artistësh që shkelin skenat botërore.

Me veprat e Mozzart, Chopin e Schubert, pianistja Avery Gagliano ka lidhur audiencën me ndjeshmërinë, thellësinë emocionale e shprehjen e saj muzikore. Për një orë e gjysmë, të premten mbrëma, e mbajti të lidhur publikun me rrëfimin e saj nëpërmjet pianos.

Ndonëse ka performuar gjithandej në skena madhështore, koncerti në Prishtinë ka qenë po aq i veçantë për pianisten Gagliano.

“Vërtet u ndjeva shumë e lidhur me publikun. Është thjesht e mrekullueshme kur mund të luash dhe të ndiesh se po e ndan atë eksperiencë me secilin. Fakti se është vend krejt i ri për mua, nuk kam qenë kurrë më parë këtu, e ka bërë këtë përjetim krejtësisht ndryshe. Gjithashtu e kam parë publikun shumë të dashur, të gjithë ishin shumë të lumtur. Ishin shumë të kujdesshëm dhe kjo me të vërtetë ka shumë rëndësi për mua”.

Drejtoresha artistike e Festivalit e profesoresha e pianos, Lejla Pula, ka thënë se në kuadër të “Chopin Piano Festit” ka pasur disa herë artistë nga SHBA-ja, por se është hera e parë që një pianiste kaq e re vjen me nivel kaq të lartë në interpretim.

“U mrekulluam të gjithë, luajti një program shumë të afërt, nga Mozzarti, Chopini e Schuberti. Me shumë vëmendje e ka dëgjuar audienca jonë, edhe ne si organizatorë jemi shumë falënderues që për një muaj ishin bashkë me ne dhe më vjen mirë që ky virtuozitet dhe subtilitet artistik i hatashëm është shprehur. Të gjithë kanë mbresa nga ky koncert. Me të vërtetë ky është edhe qëllimi kryesor i Festivalit”

Para të pranishmëve, Pula së bashku me drejtoreshën organizative, Besa Luzha, kanë bërë të ditur se do të hapin një fond për furnizimin me një piano të re, e cila do të jetë më cilësore për interpretim. Kanë treguar se çdokush që do të kontribuojë do t’i gdhendet emri në një nga tastet e pianos.

Luzha e ka konsideruar këtë edicion të festivalit si sfidues, por edhe të këndshëm.

“Ka qenë një rrugëtim i gjatë njëmujor me shumë sfida sigurisht, por edhe me shumë kënaqësi, me mbrëmje të bukura, me përshtypja nga më të ndryshme të artistëve të shumtë që kanë ardhur për të interpretuar. Përshtypjet më të mira me siguri se i kemi pasur nga vetë ju që na keni përcjellë krejt këtë kohë’”

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, e ka e vlerësuar Festivalin si pasqyrë të skenës së muzikës klasike në kryeqytet.

“Pamë një edicion tjetër shumë të suksesshëm, shumë të gjatë, me shumë koncerte e performanca të bukura nga shumë vende të botës. Kjo e siguron edhe më tutje skenën e pasur kulturore të Prishtinës. Unë jam shumë i gëzuar që jemi këtu bashkërisht ta kurorëzojmë këtë sukses të edicionit të 13-të të Festivalit”.

Ndonëse pa progres në infrastrukturë, “Chopin Piano Fest” arriti ta pushtojë kryeqytetin me magjinë e pianos. Edhe ky edicion u mbyll me premtimet për kushte më të mira infrastrukturore.

“Po punohet në dizajnin e sallës multikulturore deri në fund të këtij viti. Edhe Bashkimi Evropian është duke iu bashkëngjitur këtij procesi. Na kanë premtuar që do ta përkrahin me fonde. Do të fillojmë ndërtimin në prill të vitit 2024, pra vitin e ardhshëm, për t’u bërë kryeqyteti me sallë koncertale”.

Prej 9 majit deri më 9 qershor, “Chopin Piano Fest” ka mbërthyer kryeqytetin me frymën e veprave klasike. Figura të shquara kanë ngjitur skenën e Amfiteatrit të Bibliotekës Universitare në kryeqytet. E organizatorët kanë Pbërë të ditur se qysh prej tash do t’i nisin përgatitjet për edicionin e ardhshëm, për një tjetër maratonë koncertesh.