Kulturë

Bie perdja e “Chopin Piano Festit” me shkëlqimin e Avery Gaglianos

Maratona koncertale dhe pianistike e “Chopin Piano Festit” është një mozaik me plot vepra, yje botërore, talente që bëhen bashkë me publikun për muzikë të mirë e interpretime kulmore. Krejt të akorduar e në harmoni. I tillë ka qenë edicioni i 13-të, perdja e të cilit ka rënë me lojën mahnitëse të pianistes amerikane Avery Gagliano. Koncertet janë njëra anë. Kushtet, ana tjetër. Në mes janë premtimet për sallë e infrastrukturë që reprizohen tashmë, sikurse në koncertin përmbyllës, pas tingullit të fundit të pianos

Nëntë mbrëmje koncertale me solistë ndërkombëtarë e vendorë, dhjetëra nxënës të pianos nga shkollat e muzikës në Kosovë, maratonë pianistike dhe mijëra veta në publik, janë bilancet e edicionit të 13-të të “Chopin Piano Festit”.

E fundit instrumentiste që përmbylli tingujt pianistikë të këtij edicioni qe amerikania 21-vjeçare, Avery Gagliano. Me virtuozitetin e saj e lojën magjepsëse ka konfirmuar edhe një herë tjetër misionin e Festivalit: të dëgjohet lojë e nivelit të lartë me alamet artistësh që shkelin skenat botërore. Edhe ky edicion u mbyll me premtimet për kushte më të mira infrastrukturore.

Amfiteatri i Bibliotekës Universitare është adresa e kahershme e eksplorimit mes tingujsh. Për këtë edicion, ndërhyrja në skenë ka qenë më e dukshme me tentativat për ta bërë ambientin sa më të ngrohtë e të denjë për instrumentistët e huaj. Ndonëse pa progres në infrastrukturë, “Chopin Piano Fest” arriti ta pushtojë kryeqytetin me magjinë e pianos, edhe pse edicionin e kaluar organizatorët e Festivalit ishin siguruar se i sivjetmi do të mbahej në një sallë të denjë dhe me kushte. Madje, këtë edicion, interpretuesit e publikun i ka pritur rrëmujë e mbetjeve nga ndërrimet e inventarit brenda objektit para hyrjes së sallës.

Megjithatë kanë qenë interpretimet mahnitëse që kanë bërë edhe këtë edicion të paharruar për publikun besnik të Festivalit.

Pianistja Avery Gagliano ka lidhur audiencën me ndjeshmërinë, thellësinë emocionale e shprehjen e saj muzikore. Për një orë e gjysmë, të shtunën mbrëma, e mbajti të lidhur publikun me rrëfimin e saj nëpërmjet pianos. Përkundër moshës, veçse numëron pjesëmarrjen në dhjetëra festivale dhe disa prej çmimeve të rëndësishme për piano.

Koncertin e saj recital e ka nisur me “Sonata No.4, K.282” të austriakut Wolfgang Amadeus Mozart. Me lojën e saj ka hedhur magji nëpër secilën notë të veprës. Ka nisur lehtë me seri tingujsh në fillim për t’u avancuar vazhdimisht. Me një ndërprerje të shkurtër mes saj, rrjedha i ndërrohet krejtësisht dhe sikur fillon tjetër rrëfim muzikor. Janë dy tema që zhvillohen paralelisht. Secila pjesë është kapitull më vete. Lojën intensive e ndan prej asaj më të lehtë me shtypjen e dy tasteve, por prapë rigjen gjendjen paraprake e madje vjen edhe më fuqishëm secilën herë.

Mjeshtërisht ka interpretuar edhe “Mazurkat” Chopinit. “Nr.1, G - dur”, ka qenë si melodi e shthurur me eksperimentim tingujsh. Pjesën e përmbyll me tërheqjen e tastit, jehona e të cilit ndërpritet shpejt. Në “Nr.2 As - dur” tingujt sikur janë fundosur në një grumbullim të çakorduar, për ta gjetur më pas fillin e tyre në renditje të mirëfilltë. “Nr.3, cis – mol” është karakterizuar me tingujt e renditur nga më të ulëtit tek të lartit. Pjesa është ndërprerë shpesh prej tingujve tejet më seriozë dhe më dominues. Loja me tonin vjen thekshëm në pjesë të veçanta. Kur intensiteti ulet, fundi ka tingull me ton të lartë që vjen krejt kontrast me atë paraprak.

“Barcarolle op. 60”, po ashtu e Chopinit, nuk është zgjeruar fort përtej kornizave të tingujve që mbahen nën kontroll me disa tendenca për të depërtuar. Megjithatë e arrin dhe lëvizjet mes tingujsh zhvillohen me nota të larta për t’u rikthyer në gjendjen fillestare. Gjallërohet në pjesën e fundit të veprës dhe sikur i thyen kufijtë dhe lirohet. Pianistja shpërthen me tingull duke elaboruar nëpër të.

Në pjesën e fundit, Gagliano ka interpretuar edhe “4 Impromplus, D 935, op. Posth. 142” të Franz Schubertit. Është vepër ideale për t’i shfaqur teknikat e virtuozitetin dhe Galiano është dëshmuar kaherë.

Ka performuar si soliste me orkestra në të gjitha Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përfshirë “Orkestrën Filarmonike Aspen”, “Filarmoninë Tuscarawas”, “Orkestrën e Festivalit MostArts”, “Lojtarët e Oregon Mozartit”, “Orkestrën Filharmonike Bravura” e të tjera. Si muzikante e pasionuar kamertale bashkëpunon rregullisht me ansamble dhe si artistike mysafire me “Jupiter Symphony Chamber Players” në New York.

Vëmendjen ndërkombëtare e fitoi pasi mori Çmimin e Parë dhe Çmimin Më të Mirë Concerto të konkursit kombëtar të pianos “Chopin” në vitin 2020 dhe si gjysmëfinalistja e vetëm amerikane në konkursin e 18-të ndërkombëtar “Chopin” në vitin 2021.

Ndonëse ka performuar gjithandej në skena madhështore, koncerti në Prishtinë ka qenë po aq i veçantë për pianisten Avery Gagliano.

“Vërtet u ndjeva shumë e lidhur me publikun. Është thjesht e mrekullueshme kur mund të luash dhe të ndjesh se po e ndan atë eksperiencë me secilin. Fakti se është vend krejt i ri për mua, nuk kam qenë kurrë më parë këtu, e ka bërë këtë përjetim krejtësisht ndryshe. Gjithashtu e kam parë publikun shumë të dashur, të gjithë ishin shumë të lumtur. Ishin shumë të kujdesshëm dhe kjo me të vërtetë ka shumë rëndësi për mua”, ka thënë pianistja Gagliano, shfaqjet kryesore të së cilës përfshijnë ato në salla e festivale me famë botërore, si festivali “Verbier”, “Gilmore”, “Bravo!”, “Vail Festival”, “Ravinia Festival”, “Aspen Music Festival”, “Sëiss Alps Classics Festival”. Ka luajtur edhe në salla madhështore, si “Carnegie Hall”, “Warsaw Philharmonic Hall”, “Cavatina Hall”, “Louis Vuitton Foundation”, “Salle Cortot”, dhe “WQXR Greene Space”.

Krejt në fund, pianistja Avery Gagliano ka luajtur edhe një pjesë nga “Magnolias Suite” të kompozitorit amerikan Robert Nathaniel Dett, si shenjë falënderimi për publikun.

Drejtoresha artistike e Festivalit e profesoresha e pianos, Lejla Pula, ka treguar se fillimisht interpretimin e Gaglianos e kishte dëgjuar në vitin 2021, kur po interpretonte në garën “Chopin” në Varshavë. Ka thënë se në kuadër të “Chopin Piano Festit” ka pasur disa herë artistë nga SHBA-ja, por se është hera e parë që një pianiste kaq e re vjen me nivel kaq të lartë në interpretim. “U mrekulluam të gjithë, luajti një program shumë të afërt, nga Mozzarti, Chopini e Schuberti. Me shumë vëmendje e ka dëgjuar audienca jonë, edhe ne si organizatorë jemi shumë falënderues që për një muaj ishin bashkë me ne dhe më vjen mirë që ky virtuozitet dhe subtilitet artistik i hatashëm është shprehur. Të gjithë kanë mbresa nga ky koncert. Me të vërtetë ky është edhe qëllimi kryesor i Festivalit”, ka thënë Pula.

Image
Pianistja Avery Gagliano ka lidhur audiencën me ndjeshmërinë, thellësinë emocionale e shprehjen e saj muzikore

Sipas saj, qëllimi është të dëgjohet sa më shumë muzikë kualitative klasike, derisa ka vënë në pah edhe vështirësitë e mundin e përgatitjes për një koncert recital. Për koncertet në përgjithësi ka vlerësuar se kanë qenë të nivelit të lartë artistik.

“Më bëhet zemra mal kur sheh që në publik ka edhe njerëz që nuk kanë lidhje me muzikë, se studentë po se po. Unë vetë e njoh skenën dhe e di sa e vështirë është. Është muzikë e interpretuar aty për aty. Me orë të tëra në ditë duhen ushtruar për një vit për të përgatitur një recital të tillë. Është kënaqësi shumë e madhe, por jo mjaftueshëm falënderuese në kuptimin e asaj sa duhet investuar. Kam dëshirë që muzika klasike në Kosovë të popullarizohet sa më shumë, kemi talente në të gjitha qytetet e Kosovës”, është shprehur Pula më tej, derisa për edicionin e ardhshëm ka thënë se planifikojnë të sjellin artistët që këtë edicion nuk kanë pasur mundësi të vijnë.

Para të pranishmëve, Pula së bashku me drejtoreshën organizative, Besa Luzha, kanë bërë të ditur se do të hapin një fond për furnizimin me një piano të re, e cila do të jetë më cilësore për interpretim. Kanë treguar se çdokush që do të kontribuojë do t’i gdhendet emri në një nga tastet e pianos.

Luzha e ka konsideruar këtë edicion si sfidues, por edhe të këndshëm.

“Ka qenë një rrugëtim i gjatë njëmujor me shumë sfida sigurisht, por edhe me shumë kënaqësi, me mbrëmje të bukura, me përshtypja nga më të ndryshme të artistëve të shumtë që kanë ardhur për të interpretuar. Përshtypjet më të mira me siguri se i kemi pasur nga vetë ju që na keni përcjellë krejt këtë kohë’” ka thënë drejtoresha organizative, Besa Luzha.

Image
Ndonëse pa progres në infrastrukturë, “Chopin Piano Fest” arriti ta pushtojë kryeqytetin me magjinë e pianos, edhe pse edicionin e kaluar organizatorët e Festivalit ishin siguruar se i sivjetmi do të mbahej në një sallë të denjë dhe me kushte

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, e ka vlerësuar Festivalin si pasqyrë të skenës së muzikës klasike në kryeqytet.

“Pamë një edicion tjetër shumë të suksesshëm, shumë të gjatë, me shumë koncerte e performanca të bukura nga shumë vende të botës. Kjo e siguron edhe më tutje skenën e pasur kulturore të Prishtinës. Unë jam shumë i gëzuar që jemi këtu bashkërisht ta kurorëzojmë këtë sukses të edicionit të 13-të të Festivalit”, ka thënë ministri Çeku.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se shpejt do të ofrohen kushtet e duhura infrastrukturore. Ka thënë se projekti për ta kthyer ish-objektin e “Gërmisë” në hapësirë shumëfunksionale kulturore do të nis të jetësohet në prill të vitit 2024.

“Po punohet në dizajnin e sallës multikulturore deri në fund të këtij viti. Edhe Bashkimi Evropian është duke iu bashkëngjitur këtij procesi. Na kanë premtuar që do ta përkrahin me fonde. Do të fillojmë ndërtimin në prill të vitit 2024, pra vitin e ardhshëm, për t’u bërë kryeqyteti me sallë koncertale”, ka thënë Rama para të pranishmëve. Sipas tij, “Chopin Fest” është ndër festivalet që e kanë ngritur nivelin artistik dhe kulturor të kryeqytetit.

E pranishme ka qenë edhe zëvendësambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Alyson Grunder. Është shprehur se ndihen krenarë kur një pianiste aq e re i përfaqëson në skenën ndërkombëtare.

“Me të vërtetë kam kënaqësinë t’i drejtohem kësaj audienca të mrekullueshme muzikëdashëse sonte. Kemi pasur mundësinë të ndjekim disa performanca të mrekullueshme në ‘Chopin Fest’ dhe me të vërtetë kam qenë e mahnitur me talentin si vendor, ashtu edhe ndërkombëtar të shfaqur në këto koncerte. Për ne është gjithmonë kënaqësi dhe ndihemi krenarë që një pianiste kaq e re na përfaqëson në skenën ndërkombëtare”, ka thënë Grunder.

Prej 9 majit deri më 9 qershor, “Chopin Piano Fest” ka mbërthyer kryeqytetin me frymën e veprave klasike. Figura të shquara kanë ngjitur skenën e Amfiteatrit të Bibliotekës Universitare në kryeqytet. E organizatorët kanë bërë të ditur se qysh prej tash do t’i nisin përgatitjet për edicionin e ardhshëm. Për një tjetër maratonë koncertesh.