Janë dhjetëra filma vendorë në kategorinë e filmave kombëtarë, kryesorë në festivalin ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”. Rrëfime për ekzistencën, temat sociale, për luftën dhe jo vetëm, janë shpalosur të martën mbrëma në platenë e “DokuKinos”
Filma të shkurtër dokumentarë e artistikë nga Kosova kanë vend të veçantë në programin e festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”. Në fakt kategoria ku rreshtohen këto prodhime kinematografike është kryesorja dhe ajo përcakton fituesin e Festivalit, tash për të dytin vit rresht. Rrëfime për ekzistencën, temat sociale, për luftën dhe jo vetëm, janë shpalosur të martën mbrëma në platenë e “DokuKinos”.
Janë pesë filma të shkurtër që janë shfaqur aty. Secili ka temë unike e të qartë. Festivali “DokuFest” është adresa për premierën e tyre kombëtare.
“SOS” nga Anita Morina e ka hapur serinë e filmave vendorë për sesionin e së martës mbrëma.
Filmi me regji nga Morina sjell historinë e Drinit, një i ri nga Kosova me rutinën e tij të përditshme duke regjistruar kohën e vajtje-ardhjeve të trenit të vetëm në këtë stacion. Flet për gjendjen e shtetit si reflektim i stacionit të trenit që dikur mbushej me udhëtarë e kishte disa linja. E sot kalon andej vetëm një herë në dy ditë.
Regjisorja Anita Morina ka thënë se filmi ka lindur kur ka takuar një të ri që ka punuar në stacionin ku janë bërë xhirimet.
“U ndala ta pyesja të ma tregonte rrugën dhe ai ishte i lumtur që u ndala dhe që po flet me dikë. E pyeta se çfarë bën dhe më tha se punon me trena. Qeshi, hyri brenda. Ne jemi shpeshherë patetikë në jetë pasi kërkojmë më shumë se ta shikojmë trenin, të dashurohemi, të flasim me familjen dhe me këtë gjë kam dashur që disa pjesë të vogla të jetës t’i bëj bashkë dhe ta sjell një jetë më glamuroze sesa duam të jetë jeta. Jam munduar të rrezatoj brenda atij lokacioni ku edhe ka ndodhur krjet ngjarja. Kështu që ‘SOS’ është pak a shumë e bazuar në një person, por komplet fiksion”, ka theksuar Morina.
Filmi “Ditëlindja e Benit” nga Robert Deçani flet për një nëntëvjeçar, dita e veçantë e të cilit e nxjerr atë me babanë e tij për në supermarket. I pafajshëm e naivë, papritmas vëren se një i panjohur e sulmon babanë e tij pasi si i përhumbur përplas karrocën shumë herë tek të tjerët.
“No Parking” nga Zana Radogoshi ka për temë qendrore sensacionin në media. Etika shkelet çdo ditë. Nuk ka empati. Ndikimi i rrjeteve sociale dhe i teknologjisë në përgjithësi në këtë epokë është tema.
“Ka ardhur si inspirim i përditshmërisë sonë që na përcjellë çdo ditë. Sot kemi krijuar varësi nga rrjetet sociale dhe jemi munduar ta sjellim gjithë këtë zhurmën e heshtur që na është bërë pjesë e jetës sonë. Këta filma që i patë nuk do të thotë se do të ndryshojnë, se do të bëjnë revolucion në shoqëri, por është një reflektim dhe reagim artistik i vogël dhe besoj se do të vetëdijesohemi dhe do të reflektojmë për dëmet që jemi duke i bërë vetes dhe gjeneratave të reja”, ka thënë Radogoshi.
“The rabbit is dead” nga maqedonasi Hanis Bagashov ka në qendër një regjisore të re, e cila përpiqet të zhvillojë filmin e saj të parë.
Në qendër ka Evën, një filmbërëse nga Maqedonia që jeton dhe punon në Bullgari. Në një takim virtual, prezanton para ekspertëve filmin e saj me titull “The truck’s driver”.
Regjisorja kupton se filmbërja është punë e vetmuar dhe se duhet mësuar me shumë refuzime.
E filmi “Mua besoj më shpëtoi portreti” i Alban Mujës më në fund është shfaqur premierë kombëtare pas rrugëtimit të suksesshëm në skenën ndërkombëtare. Aty Skënder Muja tregon sesi rreth tre mijë veta u detyruan të niseshin në drejtim të panjohur në prill të 1999-s. I vendosën në një shkollë të kthyer në kamp përqendrimi. Aty i mbajtën për 15 ditë.
Narracioni i Mujës, ilustruar me pamjet e burrave në një klasë mësimi e derisa vijon vizatimin e portretit me shkumës të bardhë në dërrasë të zezë, vijon me tregimin sesi në njërën prej ditëve, ai dhe të tjerët u përdorën si testues minash. Pasi kishin kuptuar se Muja ishte piktor, kishin menduar se atëherë duhej të dinte të vizatonte edhe portrete. E Muja natyrisht se dinte, për 30 vjet ishte arsimtar i artit.
Tregon se do t’i merrnin në kamion dhe të gjithë ishin të sigurt se do të ekzekutoheshin. Komandanti, të cilit Muja ia kishte punuar portretin, i kishte thënë se do t’i dërgonin në një vend të sigurt. “Portreti si duket po të shpëton”, transmeton Skender Muja në dokumentar fjalët që komandanti ia kishte thënë.
Regjisori e skenaristi i filmit “Mua besoj më shpëtoi portreti”, Alban Muja, ka thënë se rrëfimi do të sillej me patjetër. E si artist vizual, u përcaktua që kjo do të ndodhte nëpërmjet filmit.
“Fokusi ka qenë që babai dhe të burgosurit e tjerë të sillen në shkollën ku u mbajtën në paraburgim. Është një storie e vjetër, por që është realizuar vitin e kaluar. Ka qenë një storie që për një kohë të gjatë ka qenë e gatshme por që nuk kam ditur se si do ta realizoj. Unë vij nga skena e artit, ndryshe prej kolegëve që vijnë nga skena e filmit”, ka theksuar Muja.
Është shprehur i lumtur me premierën vendore.
“Dikush i thotë dokumentar, por për neve ka qenë një projekt për të cilin kemi menduar se duhet të ndahet me publikun dhe si të tillë e kemi realizuar vitin e kaluar. Kemi pasur fatin ta kemi premierën në
“Berlinale” dhe tash jemi të kënaqur që po e sjellim këtu, tek taksapaguesit tanë”, ka deklaruar Muja.
Këta filma janë veç një fragment i “DokuFestit” për prodhimet vendore kinematografike. Garojnë në kategorinë kryesore të festivalit – atë të filmave kombëtarë.