Ndryshe prej Prizrenit ku “Autostrada Biennale” ka vënë shënjestrën në imazhet që do të zhduken, në Prishtinë i ka kthyer ato. Artistja turke Hera Büyüktaşcıyanc ka vazhduar kërkimet e saj për lumenjtë a ujërat e zhdukura të Kosovës. Ndryshe prej Prizrenit dy vjet më parë – kur me veprën “Bebëza e syrit tim është foleja jote” i lëshonte lumenjtë teposhtë prej Kalasë – tash pesë të tillë dalin prej ish-Fabrikës së Tullave në Prishtinë e njohur si “Tulltorja”.
Aty po çelin edhe “Fushat e lulediellit” e Agnes Denes, që në shpalosjen e radhës për publikun vjen në koncept ndryshe. Për herë të parë mbinë më 2021 në Prishtinë në platenë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve.
Të dyja veprat vijnë si simbol i rezistencës ndaj ciklit të shkatërrimit aktual. Dhe kjo ndodh në “Tulltoren” e cila ende s’e ka mbushur vitin e transformuar në galeri arti nëpërmjet bienales nomade “Manifesta 14”. Derisa Bienalja evropiane synonte shërimin, “Autostrada…” ia kthen jetën, qoftë edhe përkohësisht.
Hera Büyüktaşcıyan ka ndjekur pothuajse të njëjtën metodë siç bëri edhe në Prizren. Kishte nisur hulumtimin për lumenjtë e Prishtinës. Në qytetin pa lumë natyrisht se do të duhej të improvizonte.
“Po mendoja t’i lidha vijat e padukshme të ujit me tullat. U lidh disi në mënyrë poetike me këtë material që nuk mund të formohet pa ujë, por kur shihni këto mure që janë shenjat e ‘Manifestas’, mund të shihni etnicitete”.
Pritet që në atë hapësirë të organizohet program i pasur publik me debate e shëtitje të organizuara deri më 9 shtator, aq sa zgjat programi i “Autostrada Biennale”.
Sipas njërës prej organizatorëve, Vatra Abrashi, vepra “Kush flet nga pluhuri, kush sheh nga deltina” vjen me mesazh të fuqishëm.
“Sjell memorien e ujërave dhe trajton urgjencën tonë si shoqëri që të veprojmë sa më shumë në mbrojtjen e ujërave. Dihet se Fabrika e Tullave i ka pasur edhe lumenjtë, kështu që risjellja e kësaj vepre dhe e këtij instalacioni është shumë adekuat për kontekstin e Prishtinës, por edhe të vetë Fabrikës së Tullave”.
Rrjedha e lumenjve artistikë vjen si simbol që i mban në jetë bimët e mbjella në prill të këtij viti me rastin e Ditës së Tokës.
“Fushat e lulediellit” vjen me mesazhin për mbrojtjen e mjedisit dhe thirrjen për të reflektuar e vepruar me urgjencë mbi çështjet globale.
Vetë vizualja – qoftë edhe me lulëzimin minimal – flet për transformimin aty. Lulediellit sjellin edhe njëlloj bukurie dhe energjie bashkë me mesazhin pozitiv.
Kuratorja Övül Durmuşoğlu ka thënë se pas Prizrenit e kanë sfiduar veten edhe me shenjat në Prishtinë. Kujtimet janë kryefjalë në vlerësimin e saj për veprat.
“Disi memoriet janë shumë më shumë. Në një mënyrë të trajtimit të të menduarit, të kuptimit të anës së vështirës dhe gjenerimit të kësaj ane që bëhet një vegël zhvilluese. ‘Fushat e lulediellit’ bëhet shumë e rëndësishme ta kthejmë, të bisedojmë për këto shenja, të ecim rreth saj, të bisedojmë për të dhe të jemi të aftë të shohim se si jemi të rrethuar prej saj. Është hapësirë me shumë kujtime”.
I pranishëm ka qenë edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili ka vlerësuar se intervenimi në “Tulltore” po vazhdon si shenjë e transformimit aty.
“Kjo është një hapësirë industriale që për dekada të tëra është përdorur si një vend ku hidhen mbeturinat. Ka pasur tonelata mbeturina të cilat i kemi pastruar dhe kemi krijuar hapësirën për qytetarë, për instalacione artistike nëpërmjet të të cilave i është kthyer shpirti këtij vendi dhe jo vetëm, edhe shpirti i kryeqytetit. Nëpërmjet intervenimeve në hapësira publike, kryeqyteti vetëm se po transformohet në një vend të artit dhe kulturës, të njohur jo vetëm në regjion, por edhe botërisht”.
Veprat përveç ringjalljes së “Tulltores” me art, kanë sjellë edhe njëlloj bukurie dhe energjie bashkë me mesazhet pozitive. Dhe këtë e ka bërë Bienalja e Prizrenit në rrugëtimin e saj të katërt.