EXPRESS

“Lavdi vetes” për sakrificën e grave, dashurinë dhe jetën

Për Vlora Konushevcin asgjë në poezi nuk është e ngurtë. Liria që e gjen te të shkruarit poezi e ka udhëhequr gjatë shkrimit të librit të parë me poezi, të titulluar “Lavdi vetes”.

Vlora, e cila tash e dy dekada merret me shkrimin, për të përmbledhur këtë libër është dashur të ndjekë filtra rigorozë në përzgjedhjen e poezive.

“Mendoj që erdhi koha që gjithë ajo punë dhe ai mund me u përmbledhë, që t’ua bëj një shtëpi vargjeve, ku mund të jetojnë përjetësisht, sepse ne tani po jemi dëshmitarë të publikimeve edhe në rrjetet sociale, edhe në platforma që e përcjellin kulturën, por libri i shtypur mendoj që mbetet, edhe pse tash po shihet prej kontekstit më tradicional, por është i vetmi i rëndësishëm për vargje të cilësdo gjini qofshin”, tregon autorja e librit “Lavdi vetes”.

Libri, që përbëhet nga pesëdhjetë e dy poezi, është i ndarë në katër cikle poetike. Në to thuren përjetimet personale të autores, ku autorja i thur lavdi vetes, por edhe dashurisë, mësimeve e jetës.

“Jam munduar që në pjesën e parë ‘Lavdi vetes’ ta ngre vetëdijen tek lexuesi për sakrificën dhe mundin e grave tona. Pastaj tek cikli i dytë trajtohet dashuria, e kush nuk i ka kënduar asaj, do të thotë të gjithë poetët, si duket aty lindin dhe ndoshta aty vdesin, por ka poezi që trajtojnë edhe divorcin, edhe humbjen e dashurisë. Një poezi në libër, të cilën e konsideroj interesant, titullohet “Trashëgimi humbjesh”, ku e kam bërë një lloj eksperimenti, jam përpjekur ta paraqes një ndodhi prej dy perspektivave. Konsideroj që ka dalë diçka interesante dhe nuk është provuar më herët. Tek cikli i tretë kam folur për mësimet e që për mua është cikli më i mirë. Aty prapë kam prekur tema të ndryshme që na trajtojnë neve si shoqëri, luftën e paqen, dashurinë, jetën, e gjëra të tilla, dhe cikli i fundit është më personal pasi që aty kam më shumë dedikime për prindërit e mi, djalin tim dhe njerëzit e mi të afërt, të cilëve me anë të vargjeve jam munduar në njëfarë formë me i falënderu për inkurajimin e vazhdueshëm që ma kanë dhënë”, shprehet tutje ajo.

Poezia e Vlora Konushevcit cilësohet si klithmë e njeriut që kërkon të ecë përpara, e nxitur nga gëzimi përvëlues i njohjes së lirisë. Poezitë dhe përkthimet e saj publikohen në shumë revista letrare dhe portale kulturore.