Trajton tema personale e sociale me një qasje intime. Vlora Ademi shpalos veten në librin e saj të parë. Nis nga fëmijëria e saj dhe perceptimi i asaj kohe tash që po numëron të dyzetat, për të kaluar te personat më të dashur të saj. Prek edhe tema të cilat pos në zemrën e saj, depërtuan te të gjithë. E këtë e bën kur në titullin e poezisë së saj përmend nënë Ferdonijen
Kopertina e bardhë me figurën gruas në pasqyrë dhe titullin “Katërdhetë e pak”, mbështjell dinamikën e të menduarit dhe përjetuarit shndërruar në poezi. Përmban katërdhjetë e pak nga to, përderisa zbërthen po aq vite të autores dhe gjithçka që i ka lënë asaj përshtypje deri më tash.
Trajton tema personale e sociale me një qasje intime. Vlora Ademi shpalos vetën në librin e saj të parë. Nis nga fëmijëria e saj dhe perceptimi i asaj kohe tash që po numëron të dyzetat, për të kaluar tek personat më të dashur të saj. Prek edhe tema të cilat pos në zemrën e saj depërtuan tek të gjithë, e këtë e bën kur në titullin e poezisë së saj përmend nënë Ferdonijen. Situatën e saj e të shumë nënave të tjera që humbën më të afërmit e tyre gjate luftës në Kosovë, e kthen në vetërefkeltim
“Katërdhetë e pak” në përurim të premten mbrëma në “Kino Armatë”, është vlerësuar si përsosje në vetvete, ndonëse është hera e parë që autorja i ndanë poezitë e saj me lexuesin. Tema të tilla personale, thjeshtë të dëgjuara në vargje, i vesh me emocion në gjuhën e përditshme të të folurit, disa metra larg standardit.
“Dimnat”, “Kronikë”, “Paplotni”, “Në vetën e tretë”, “Kapërcimet” e “Qiej të naltë” janë titujt me të cilët ka ndarë cikle të ndryshme poezish, disa prej të cilave u lexuan në promovimin e këtij libri nga aktorja dhe regjisorja Melihate Qena, por edhe të tjerët. Vargjet i komentuan nga poeti, shkrimtari dhe publicisti Primo Shllaku, kritiku, eseisti, gazetari Agim Baçi, redaktori, përkthyesi dhe interpreti i pavarur, njëkohësisht redaktori i librit Gazmend Bërlajolli.
Autorja ka treguar se përtej temave që trajton, në të është edhe vetë ajo.
“Libri përmban katërdhetë e pak poezi. Është i ndarë në pesë cikle. Ka tema të ndryshme. Meqë është brenda librit një Vlorë katerdhetë e pak, përmban prej kujtimeve të fëmijërisë, është qyteti i lindjes Prizreni, është mami dhe nipat e mi, është dashuria që s’ka libër që duhet t’i mungojë, janë gratë që janë viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, është një poezi për nënat Ferdonije që veçse po e nënkupton temën. Ky është libri ‘Katërdhetë e pak’”, ka thënë Vlora Ademi.
Përderisa botimi i tij i parë është bërë në muajin dhjetor dhe i dyti në muajin shkurt, Ademi ka zgjedhur pranverën si kohën ideale për promovim. Thotë se gjërat e tilla të vogla janë motiv për poetin.
“Artisti gjithmonë e gjen një motiv te gjërat e imëta, te gjërat e vogla dhe të thjeshta që për të tjerët mund të jenë të zakonshme, por për një artist ato mund të jenë poezia vetë. Është gjithmonë një pikë e vogël që mjafton që t’i përkushtohesh poezisë, dhe e kupton se çka dëshiron t’i japësh asaj poezie”, ka thënë autorja. Ka dikë që u bë shtysë për botim.
“Profesor Primo Shllakun unë e quaj maestro në jetën e përditshme. Ai i ka meritat pse sonte po promovohet libri ‘Katërdhetë e pak’, sepse gjithë kohën më ka bërë presion. Më thoshte se duhet ta kem një libër, sepse libri është pasaporta e një poeti dhe se duhet të prezantohem para botës me një të tillë. Më tregonte se nuk mjafton vetëm të shkruaj dhe t’i mbaj për vete në sirtarë. Ka qenë një fazë e gjatë derisa kam thënë ‘po’, do të botohet dhe edhe unë do t’ia dhuroj komunitetit artistik një libër të ri”, ka thënë Ademi duke treguar sa shumë e vlerëson poetin që ka shembull. Falë kësaj lidhjeje që ka me të, është pikërisht Shllaku ai që ka shkruar parathënien e librit të saj të parë.
“Te vëllimi i Vlora Ademit që keni në dorë, jo veç temat, por edhe qasjet janë të larmishme: thellime dhe përvoja jetësore, mbresëlanëse e bindëse, që karakterizojnë nji ardhje të qëllimshme për poezi, si formë sintetike mendimi e shestimi letrar. Vlora Ademi ka prirjen dhe shënjestrat e sigurta kah poezia spirituale, kah përvojat e thella dhe intimiteti”, ka shkruar Shllaku në parathënien e librit. Në panel i kurseu fjalët për poezinë e Ademit, e vëmendjen e ktheu te poezia në përgjithësi.
Pjesë në panel qe edhe redaktori i shumë librave, që këtë titull e mori edhe njëherë nga libri i parë i Vlora Ademit. Ka thënë se puna nuk ishte aspak e vështirë.
“Te Vlora ka qenë veçanti, sepse nuk ka pasur shumë punë. Nuk e ka të paqartë imazhin për vete, madje e ka shumë të kthjellët. Nuk bën shumë prozaizëm, është e kursyer në shprehje. Kjo është shumë mirë sepse çdo fjalë e tepërt e dëmton poezinë. Kjo e ka bërë punën me Vlorën shumë më të lehtë se sa me ndonjë poet tjetër”, ka thënë Gazmend Bërlajolli.
Kritiku letrar nga Shqipëria, Agim Baçi, ka elaboruar poezinë e saj në një mënyrë pozitive duke çmuar raportin që krijon me lexuesin.
“Ajo që më ka lënë përshtypje që në fillim fare është ajo që kishe dëshirë ta rilexoje. Kjo është fuqia që ka një poezi. Të duket sikur ke nevojë të qëndrosh vetë me atë vargun edhe ta rishohësh. Kur poezitë më ngjisin kam nevojë t’i mbaj mend dhe i ripërsëris me vete. Kur e lexova poezinë e Vlorës dhe u riktheva ta lexoja e pash se e kisha mbajtur në mend. Ajo është origjinale, është e drejtpërdrejtë dhe të shtynë të krijosh figuracione për të imagjinuar”, ka thënë Baçi.
Libri i parë me poezi i poetes Vlora Ademi u promovua në kuadër të fondit feminist të organizatës “Artpolis”.