Pasojat e luftës janë të pranishme përherë në jetën e personazheve të filmit “Last Exit”. Në filmin me skenar dhe regji të Bekim Gurit, janë përjetimet e vuajtjet. Mbi të gjitha, sakrifica e dy prindërve për një takim të vetëm me të birin e burgosur. Xhirimet, që tashmë kanë nisur, pritet të vazhdojnë edhe për rreth një muaj.
Fatmiri që luhet nga aktori Bajrush Mjaku dhe Fatimja, që e luan aktorja Teuta Ajdini-Jegeni, në njërin prej korridoreve të hotelit “Grand” në Prishtinë, po marrin udhëzime nga një punonjëse që luhet nga aktorja gjermane, Gabrielle Scharnitzky. Aty kryhet procedura e vdekjes së vullnetshme. Punonjësja gjermane heziton të bindet se dy personazhet me vetëdëshirë dhe të pandikuar nga një palë e tretë kërkojnë eutanazinë. U jepen dy ditë kohë për të menduar për vendimin e tyre.
Aktorja Scharnitzky, që mban dhjetëra role në kinematografinë gjermane dhe jo vetëm, ka thënë se sekuencat e lojës së saj në film peshojnë esencën e jetës.
“Filmi ka të bëjë me jetën e vdekjen dhe sesi përballemi me faktin se ka zgjidhje për gjithçka. Pjesa e lojës sime në fund të filmit prezanton atë zgjidhje. Ka të bëjë me atë nëse do të jetosh apo të vdesësh. Ato çfarë kemi xhiruar janë shumë të fuqishme sepse kur hyn në atë pyetje, aty është esenca e jetës. Seti, njerëzit, regjisori, diopia, të gjithë janë të vetëdijshëm për këtë. Është një atmosferë që krijon mesazhe”.
Skena e 140-të e filmit që është xhiruar të dielën, është mozaiku i një rrëfimi të errtë, plot emocion e zhvillime dramatike.
Pas gjetjes së eshtrave të djalit të tyre Dritonit – i zhdukur në luftën e fundit në Kosovë – djali tjetër i Fatmirit dhe Fatimes, Agroni (Agron Shala), pëson aksident trafiku në Zvicër. Me të marrë lajmin për gjetjen e eshtrave të vëllait të tij të zhdukur, nga trishtimi humb mendjen dhe godet për vdekje dy persona në vendkalimin për këmbësorë. Agroni merr dënim të gjatë me burgim.
Prindërit e tij të moshuar, që jetojnë në Kosovë, tentojnë disa herë të pajisen me vizë, por kot. Ia mësyjnë të kalojnë kufirin jashtëligjshëm, por kapen. U ndalohet udhëtimi për pesë vjet. Duke besuar se nuk do ta presin lirimin e të birit, e rrjedhimisht nuk do ta takojnë edhe një tjetër herë, zgjedhin vetëvrasjen e asistuar në Zvicër. E shohin si të vetmin opsion për të takuar djalin e tyre në burg.
Regjisori e skenaristi i filmit “Last exit”(Dalja e fundit), Bekim Guri, ka thënë se tema e filmit është e veçantë, por edhe projekt goxha i vështirë e produksion madhor.
“Besoj se është një projekt i parë nga një kënd tjetër siç është tema e të zhdukurve dhe e liberalizimit të vizave, pengesave që kemi pasur për udhëtim. Normalisht, për mua nuk është e lehtë ta shoh atë që e kam shkruar pasi është një temë shumë e rëndë, është duke na munduar të gjithëve në fakt, por ka qenë realiteti i shumë familjeve në Kosovë, gjë që po e jetësojmë”.
Guri, i cili ka më shumë se dhjetë vjet që jeton jashtë vendit, ka thënë se filmi portretizon fatin e vështirë të të jetuarit në mërgim.
“Shumë familje kanë pasur fat të keq kur ka pasur momente gëzimi e hidhërimi. Ka ndodhur që nuk kanë pasur mundësi të kthehen në vendlindje, qoftë për shkak të punës apo dokumentacionit. Kjo gjithmonë më ka shqetësuar që ‘kurbeti’ është një plagë e hapur te të gjithë popujt, por te ne ka lënë një plagë shumë të madhe, sepse jemi popull shumë i vogël dhe jemi detyruar të migrojmë”.
Sikurse kjo skenë, edhe shumë të tjera ishin planifikuar të vendoseshin me të vërtetë në qytetet Basel dhe Gjenevë, atje ku zhvillohet ngjarje në film. Por për shkak të mjeteve financiare, skenat që kanë pasur mundësi t’i improvizojnë vizualisht – si ajo e aplikimit për eutanazi në ‘Grand’ ku ngjarja zhvillohet në ambient të mbyllur.
Producenti i filmit, Mumin Jashari, ka thënë se po planifikojnë që xhirimet të kryhen brenda 35 ditëve pune.
“Është një punë që ka marrë kohë diku katër deri në pesë vjet prej kur kemi filluar këtë projekt. Tani i ka ardhur jetësimi dhe kemi filluar me një ekip shumë të mirë, me një energji shumë pozitive, edhe pse me vështirësi buxhetore ne si producentë tash, por sigurisht se do t’ia dalim”.
Aktori Bajrush Mjaku, që në film e luan rolin kryesor, atë të Fatmirit, ka treguar se në një pjesë të filmit rrëfehen edhe keqpërdorimet me fatet njerëzore.
“Përfshin prej luftës e këndej, deri në 2007-n çfarë ndodhi, mbi të gjitha getoizimi i kosovarëve, si liria e lëvizjes. Mandej djali i bie në luftë, për të cilën mafiozët vijnë e mashtrojnë dhe i japin para të majme vetëm e vetëm për ta kthyer në shtëpi, që fatkeqësisht ai veçse është vrarë. Janë mafiozë në numër të shumtë”.
Nga ajo që shihet në sheshxhirim e po ashtu nga shpjegimet e ekipit “Last Exit” pritet të jetë film që me finesa hedh dritë mbi fatet njerëzore.