Në film janë përjetimet e vuajtjet. Mbi të gjitha, sakrifica e dy prindërve për një takim të vetëm me të birin e burgosur. Të dielën në mesditë, njëra prej skenave ka ndërtuar fatet e trishta të një prej familjeve kosovare. Xhirimet pritet të vazhdojmë edhe për rreth një muaj. “Last Exit” nën regji dhe me skenar të Bekim Gurit trajton pasojat e luftës në Kosovë, pamundësinë e lëvizjes, e deri te gjetja e metodave gati morbide për të pasur një takim midis prindërve e djalit të tyre
Pasojat e luftës janë të pranishme përherë në jetën e personazheve të filmit “Last Exit” nën regji dhe me skenar të Bekim Gurit. Në film janë përjetimet e vuajtjet. Mbi të gjitha, sakrifica e dy prindërve për një takim të vetëm me të birin e burgosur. Të dielën në mesditë, njëra prej skenave ka ndërtuar fatet e trishta të një prej familjeve kosovare. Xhirimet pritet të vazhdojnë edhe për rreth një muaj.
Fatmiri që luhet nga aktori Bajrush Mjaku dhe Fatimja, që e luan aktorja Teuta Ajdini-Jegeni, në njërin prej korridoreve të hotelit “Grand” në Prishtinë po marrin udhëzime nga një punonjëse - rol që e luan aktorja gjermane, Gabrielle Scharinitzky - në institucionin që kryen procedurën e vdekjes së vullnetshme. Punonjësja gjermane heziton të bindet se dy personazhet me vetëdëshirë dhe të pandikuar nga një palë e tretë kërkojnë eutanazinë. Pranë tyre e gatshme për detyrë është edhe mjekja, por se atyre u jepen dy ditë kohë për të menduar për vendimin e tyre. Ju kërkohet ta peshojnë fort vendimin.
Pajtimi me vdekjen në rrethana kur s’ke nga t’i ikësh do të ishte zgjedhje e imponueshme. Por ata lumturohen kur shohin se vdekja me vetëdëshirë ka shumë gjasa t’u aprovohet e të praktikohet brenda dy ditësh. “Lumturia” e tyre sjell anën e errtë të vuajtjeve në të kaluarën. Por fati i tyre po shkon drejt tragjikes absolute kur eutanazia bëhet urë e takimit të dy prindërve me të birin e tyre.
Skena e 140-të e filmit që është xhiruar të dielën, është mozaiku i një rrëfimi të errtë, plot emocion e zhvillime dramatike.
Pas gjetjes së eshtrave të djalit të tyre Dritonit – i zhdukur në luftën e fundit në Kosovë, djali tjetër i Fatmires dhe Fatimes, Agroni (Agron Shala), pëson aksident trafiku në Zvicër. Me të marrë lajmin për gjetjen e eshtrave të vëllait të tij të zhdukur, nga trishtimi humb mendjen dhe godet për vdekje dy persona në vendkalimin për këmbësorë. Agroni merr dënim të gjatë me burgim.
Prindërit e tij të moshuar, që jetojnë në Kosovë, tentojnë disa herë të pajisen me vizë, por kot. Tentojnë të kalojnë kufirin jashtëligjshëm, por kapen. U ndalohet udhëtimi për pesë vjet. Duke besuar se nuk do ta presin lirimin e të birit, e rrjedhimisht nuk do ta takojnë edhe një tjetër herë, zgjedhin vetëvrasjen e asistuar në Zvicër - si vend që e mundëson këtë gjë - si të vetmin opsion për të takuar djalin e tyre në burg.
Regjisori e skenaristi i filmit “Last exit”(Dalja e fundit), Bekim Guri, ka thënë se tema e filmit është e veçantë, por edhe projekt goxha i vështirë e produksion madhor.
“Besoj se është një projekt i parë nga një kënd tjetër siç është tema e të zhdukurve dhe e liberalizimit të vizave, pengesave që kemi pasur për udhëtim. Normalisht, për mua nuk është e lehtë ta shoh atë që e kam shkruar pasi është një temë shumë e rëndë, është duke na munduar të gjithëve në fakt, por ka qenë realiteti i shumë familjeve në Kosovë, gjë që po e jetësojmë”, ka thënë regjisori e skenaristi i filmit.
Është shprehur i kënaqur me procesin e deritanishëm me filmin. Aktorët sipas tij, janë tejet të përkushtuar në punën e tyre. Në film luajnë edhe aktorët Fjolla Muhaxheri, Labinot Lajçi e të tjerë.
Guri, që edhe vetë jeton për mbi 10 vjet jashtë vendit, ka thënë se filmi portretizon fatin e vështirë të të jetuarit në mërgim.
“Shumë familje kanë pasur fat të keq kur ka pasur momente gëzimi e hidhërimi. Ka ndodhur që nuk kanë pasur mundësi të kthehen në vendlindje, qoftë për shkak të punës apo dokumentacionit. Kjo gjithmonë më ka shqetësuar që ‘kurbeti’ është një plagë e hapur te të gjithë popujt, por te ne ka lënë një plagë shumë të madhe, sepse jemi popull shumë i vogël dhe jemi detyruar të migrojmë”, ka thënë Guri, regjisor i filmave “Një fëmijë”, “Një pikë gjaku”, “Heshtje” e “Rutinë”.
I përpiktë ka qenë në sheshxhirim e detajist në çdo veprim të aktorëve. Skenën jo më shumë se dyminutëshe që është dubluar për më shumë se dhjetë herë, e avanconte çdoherë me detaje që i bënin aktorët të flisnin pa fjalë.
Sikurse kjo skenë, edhe shumë të tjera ishin planifikuar të vendoseshin me të vërtetë në qytetet Basel dhe Gjenevë, atje ku zhvillohet ngjarje në film. Por për shkak të mjeteve financiare, skenat që kanë pasur mundësi t’i improvizojnë vizualisht - si ajo e aplikimit për eutanazi në ‘Grand’ ku ngjarja zhvillohet në ambient të mbyllur – u është dashur të reduktojnë skenat që do të xhirojnë jashtë vendit.
“Kemi kërkuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës afro 600 mijë euro, është dhënë vetëm 20 për qind e shumës. Gjatë rrugës kemi pasur kontakte me produksione të tjera të Zvicrës, një prej producentëve është shkëputur për arsye personale në momentin që ne kishim nevojë për fonde, e që na detyroi të gjitha xhirimet që i kishim në Zvicër t’i kthejmë në Kosovë. Përfshirë skenën që jemi duke e xhiruar në ‘Grand’, ideja është që po ndodh në Basel të Zvicrës”, ka thënë regjisori Bekim Guri.
Në vend të pjesës tjetër të mjeteve, është llogaritur mospagesa e shfrytëzimit të hapësirave si sheshxhirim për hapësira si në stacion policor, spital, burg, aeroport e në kufirin me Shqipërinë.
“Me skenografi dhe me shenja do ta bëjmë të pranueshëm për shikuesin që ngjarja po ndodh në Zvicër, në dy qytete: në Basel dhe Gjenevë, pos kësaj edhe në kufi Serbi-Hungari, ku do të improvizohet në Morinë”, ka shpjeguar Bekim Guri, regjisor e skenarist i filmit “Last exit”. Ka thënë se synojnë që filmin ta përfundojnë këtë vit, në mënyrë që tërë vitin tjetër ta kenë përpara për mundësi pjesëmarrje në çdo festival të kategorisë “A”.
Producenti i filmit, Mumin Jashari, ka thënë se po planifikojnë që xhirimet të kryhen brenda 35 ditëve pune.
“Është një punë që ka marrë kohë diku katër deri në pesë vjet prej kur kemi filluar këtë projekt. Tani i ka ardhur jetësimi dhe kemi filluar me një ekip shumë të mirë, me një energji shumë pozitive, edhe pse me vështirësi buxhetore ne si producent tash, por sigurisht se do t’ia dalim”, ka thënë Jashari.
Ai ka thënë se procesi deri në nisje të xhirimeve ishte zvarritur duke pritur për bashkëprodhues nga Maqedonia e Veriut e Zvicra.
“Kemi aplikuar edhe në Maqedoni të Veriut për mbështetje dy vjet e radhë ku na kanë humbur dy vjet duke pritur një koproduksion, pasi dy rolet kryesore janë nga Maqedonia. Ka ekip nga të gjitha trojet shqiptare. Sigurisht është edhe aktorja gjermane që ndihemi krenarë që e kemi në projekt, i ka dhënë peshë dhe shpresojmë se do të ketë të ardhme shumë të mirë”, ka thënë producenti i filmit “Last exit”, Mumin Jashari.
Aktori Bajrush Mjaku, që në film e luan rolin kryesor, atë të Fatmirit, ka thënë se në këtë projekt filmik portretizon fatin e shumë kryefamiljarëve në Kosovë.
“Më është besuar roli i Fatmir Krasniqit, është njëri prej kryefamiljarëve kosovarë i cili nëpërmjet historisë, biografitë e tij, të gjitha të hequrat e tij do të mundohet të portretizojë fatin e shumë kryefamiljarëve të cilët kanë përjetuar të njëjtat gjëra që i ka përjetuar Fatmiri”, ka thënë aktori Mjaku.
Ai ka treguar se në një pjesë të filmit rrëfehen edhe keqpërdorimet me fatet njerëzore.
“Përfshin prej luftës e këndej, deri në 2007-n çfarë ndodhi, mbi të gjitha getoizimi i kosovarëve si liria e lëvizjes. Mandej djali i bie në luftë, për të cilën mafiozët vijnë e mashtrojnë dhe i japin para të majme vetëm e vetëm për ta kthyer në shtëpi, që fatkeqësisht ai veçse është vrarë. Janë mafiozë në numër të shumtë”, ka thënë aktori Bajrush Mjaku. Nga ajo që shihet në sheshxhirim e po ashtu nga shpjegimet e ekipit “Last Exit” pritet të jetë film që me finesa hedh dritë mbi fatet njerëzore.