EXPRESS

Kthimi i grupit “Por-no” në Prizren

Bendi “Por-no”, skena e publiku kanë tetë vjet që nuk janë bashkuar.

Kjo distancë kohore nga publiku i kinemasë “Lumbardhi” në Prizren mori konfirmimin për sa më shumë koncerte të tilla.

Grupi muzikor i cili ndër vite ka komunikuar me publikun në mënyrë të fragmentuar, në vitin më të brishtë të koncerteve nxori albumin “Dyftyrëshi”, i cili është incizuar në mes të viteve 2016 e 2018.

“Dyftyrëshi”, që ka qenë në fokus të koncertit, është realizuar nëpër studio të ndryshme muzikore me një rreth të gjerë bashkëpunëtoresh. Si i tillë, albumi i publikuar në vitin 2020 ka marrë ngjyra muzikore nga personaliteti i secilit artist që është përfshirë në të.

Për ta përcjellë atë te publiku të shtunën mbrëma me një interaktivitet të fuqishëm janë bërë tok Dritëro Nikqi në vokal e kitarë, Liburn Jupolli në piano, Fisnik Bekolli në kitarë, Rron Qena në perkusione dhe Krenar Ismaili në violinë.

Partet e pianove me të cilat muzikanti Liburn Jupolli ka punuar para disa vjetëve në studio për herë të parë depërtuan te një publik më i gjerë. Koncerti i së shtunës mbrëma në Prizren i dha Jupollit kënaqësinë e trefishtë.

Rron Qena, i njohur më shumë si piktor i është kthyer lojës në perkusione. Gjatë koncertit, ritmin e ka përcjellë edhe me def dhe tarabukë. Për grupin përfshirja e elementeve të folklorit ka qenë një mision esencial.

Koncerti në “Lumbardh” e ka kthyer në skenën kosovare pas gati dy dekadash edhe këngëtaren Mimoza Hajdini, e cila tash e një kohë jeton në Kanada. Kënga “Nuk di çka më të thanë” që është pjesë e albumit “Dyfytyrëshi” dëshmon më së miri për krijimin e albumit me artistë në distancë.

Koncerti i bendit “Por-no” erdhi në kuadër të “Albumeve pandemike” që është pjesë e programit muzikor "Variacionet e dëgjimit". I krijuar nga “Lumbardhi”, ky program synon ta rikthejë lidhjen e humbur të artistëve me publikun përgjatë vitit pandemik.

Me koncertin e bendit “Por-no”, “Lumbardhi” ka përmbyllur sezonin e “Albumeve Pandemike”, i cili ka sjellë në Prizren edhe koncertet e bendit “SYTË” në fund të qershorit dhe Ilir Bajri Trio në fund të korrikut.