Kthimi i Korit të Filarmonisë së Kosovës në Shkup pas më shumë se një dekade u bë në kushte të jashtëzakonshme.
Pavarësisht rrethanave të krijuara nga pandemia, publiku që u mblodh në këtë koncert ishte goxha i madh në numër, raporton KOHA.
Secilit prej tyre iu mat temperatura para se të hynte në sallë për ta përjetuar një rrugëtim në botën e veprave shqiptare.
Koncerti u hap me veprën “Uncloudy Day”, kompozuar nga Josiah Kelley Alwood, për të vazhduar me veprën vokalo-instrumentale “Only in sleep” të kompozitorit Eriks Esenvalds, e që pati në fokus zërin e sopranos Ilvije Dragusha, pastaj me hitin e njohur “Underneath the stars” të kantautores Kate Rusby për të vazhduar me “Northen Light” të Ola Gjeilo.
Koristët, pos për veprat ndërkombëtare, qëndruan në skenë edhe për këngë popullore shqiptare. Të kompozuara nga Thoma Simaku, u interpretuan “Moj e bukura more”, “Qenke veshur me të bardha” dhe “Trëndelinë”, e në repertor qe edhe “N’mjedis ballit” e Esat Rizvanollit. Pjesa e veprave shqiptare ka vazhduar me “Xhike loke” të kompozitorit e dirigjentit Rafet Rudi.
Sipas programit, koncerti do të mbyllej me veprën “Alleluia” të Jake Runestad-it. Por, pas duartrokitjeve të gjata të mbi 100 vetave që ishin në publik, dirigjenti i koncertit, Hajrullah Syla, ka akorduar Korin edhe një herë. Kësisoj, koncerti është përmbyllur me këngën popullore polifonike “Janinës ç’i panë sytë”, duke e çuar ndjeshmërinë e të pranishmëve në një tjetër nivel.
Violinisti Blerim Grubi, profesor në Fakultetin e Artit në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, tha se koncerti ishte i mrekullueshëm.
Dirigjenti nga Shkupi, Behar Veseli, doli nga salla i entuziazmuar me nivelin e interpretimit të Korit të Filarmonisë së Kosovës.
Sopranoja Ilvije Dragusha tha se pavarësisht rrethanave të krijuara nga pandemia, gjithçka shkoi mirë.
Dirigjenti Hajrullah Syla u nda i kënaqur me koncertin dhe përmendi faktin se në një sallë me komoditet të lartë e akustikë ideale interpretimet dalin në pah në mënyrë më të mirë.
Drejtori i Filarmonisë së Kosovës, Baki Jashari, pas koncertit në Shkup, e cilësoi madhështor këtë interpretim dhe kjo për shkak të vendit ku u realizua koncerti.
Programin e njëjtë të koncertit në Shkup, Kori i Filarmonisë e interpretoi muajin e kaluar në Prizren e në Pejë.