Kulturë

Kori në Shkup me perla muzikore, përsërit thirrjen për sallë koncertale

Kthimi i Korit të Filarmonisë së Kosovës në Shkup pas më shumë se një dekade është bërë në kushte të jashtëzakonshme. Por pavarësisht rrethanave të krijuara nga pandemia, numri i atyre që kanë parë koncertin e së shtunës mbrëma ka qenë goxha i madh. Të shtunën janë regjistruar 1 mijë e 85 raste pozitive me koronavirus në gjithë Maqedoninë e Veriut. Secilit që pak para orës 19:00 ia ka mësyrë sallës së madhe të Filarmonisë në Shkup i është matur temperatura. Bartja e maskave e ulja në distancë ishin disa prej masave të marra për koncertin e Korit të Filarmonisë së Kosovës në shtetin maqedonas. Të ulur në formë zigzage me nga një radhë karrigesh bosh, të pranishmit kanë hyrë në botën e veprave shqiptare e atyre ndërkombëtare. Por interpretimi në ndërtesën e përuruar më 2017, e cila kushtoi 40 milion euro, artistëve kosovarë ua ka dhënë dy ndjesi: në njërën anë e kanë parë veten duke punuar në kushte ideale e në tjetrën e kanë rritur zhgënjimin 20-vjeçar për mungesë kushtesh pune në Prishtinë.

Për rreth një orë ata kanë përjetuar ambient ideal me akustikë, sallë, hapësira të tjera mbështetëse e kujdes maksimal që veprat të dalin në pah sa më mirë.

“Uncloudy Day”, kompozuar nga Josiah Kelley Alwood, qe vepra me të cilën u hap koncerti për të vazhduar me veprën vokalo-instrumentale “Only in sleep” të kompozitorit Eriks Esenvalds, e që pati në fokus zërin e sopranos Ilvije Dragusha, pastaj hitin e njohur “Underneath the stars” të kantautores Kate Rusby për të vazhduar me “Northen Light” të Ola Gjeilo.

Programi ka vazhduar pa Korin e plotë me veprën “Ain’t no grave can hold my body down”, aranzhuar prej Paul Caldëellit dhe Sean Ivory, që u interpretua nga zërat femërorë të Korit, shoqëruar nga Artemida Qarri-Haxhiaj në piano dhe Astrit Stafaj në kitarë. Koristët qëndruan në skenë edhe për tri këngë popullore shqiptare të kompozuara nga Thoma Simaku: “Moj e bukura more”, “Qenke veshur me të bardha” dhe “Trëndelinë”, e në repertor qe edhe “N’mjedis ballit” e Esat Rizvanollit. Pjesa e veprave shqiptare ka vazhduar me “Xhike loke” të kompozitorit e dirigjentit Rafet Rudi.

Më pas Kori i është kthyer prapë repertorit ndërkombëtar. Mbrëmja vazhdoi me veprën bashkëkohore “Rivers of Light” të kompozitorit Eriks Esenvalds, që e sollën si solistë baritoni Shaban Behrami e kontratenori Safet Berisha. Sipas programit, koncerti do të mbyllej me veprën “Alleluia” të Jake Runestad-it. Por pas duartrokitjeve të gjata të mbi 100 vetave që ishin në publik, dirigjenti i koncertit Hajrullah Syla ka akorduar Korin edhe një herë. Kësisoj, koncerti është përmbyllur me këngën popullore polifonike “Janinës ç’i panë sytë”, duke e çuar ndjeshmërinë e të pranishmëve në një tjetër nivel.

Violisti Blerim Grubi, i cili është profesor në Fakultetin e Artit në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka thënë se koncerti ishte i mrekullueshëm. Sipas tij, Shkupi dhe Prishtina janë shumë afër dhe bashkëpunimet e tilla duhet të jenë më të shpeshta.

“Bashkëpunimet duhet të vazhdojnë. Shqiptarët në Maqedoninë Veriore kanë nevojë për aktivitetet kulturore të Kosovës. Përse të mos jepen repriza në Shkup e Tetovë. Shkëmbimet kulturore janë të rëndësishme e sidomos për shqiptarët që janë në këto troje”, ka thënë ai pas koncertit.

Sipas Grubit, infrastruktura kulturore e Shkupit duhet të jetë edhe në Prishtinë. “Të gjithë koristët e shijuan atmosferën e një koncerti me sallë që ofron kushte shumë të mira. Ky është një shembull që pushtetarët në Prishtinë ta bëjnë një sallë koncertale”, ka thënë ai.

Dirigjenti nga Shkupi, Behar Veseli, ka thënë se ka dalë nga salla i entuziazmuar me nivelin e interpretimit të Korit të Filarmonisë së Kosovës.

“Këto bashkëpunime duhet të jenë më të shpeshta”, ka thënë ai.

Sopranoja Ilvije Dragusha ka thënë se gjithçka ka shkuar mirë, pavarësisht rrethanave të krijuara nga pandemia. Koncertin e njëjtë Kori e ka dhënë muajin e kaluar në Prizren e në Pejë.

“Jam ndier shumë dhe dhe shpresoj që publiku është ndier mirë dhe është ndarë i kënaqur”, ka thënë ajo.

Dirigjenti Hajrullah Syla ka thënë se koncerti nga perspektiva e tij ka shkuar shumë mirë. Ka përmendur faktin se në një sallë me komoditet të lartë e akustikë ideale interpretimet dalin në pah në mënyrë më të mirë. “Shpresoj që shpejt të kemi një koncert të tillë edhe në Prishtinë në një sallë si kjo”, ka thënë ai. Sa i përket programit, ai ka thënë se është menduar që të ketë edhe vepra të kompozitorëve shqiptarë. “Ato vepra bartin një histori në vete dhe besoj që kjo ka ndikuar mirë te publiku në sallë. Besoj që e kanë përjetuar shumë mirë atë që e kemi interpretuar”, ka thënë ai.

Sa u përket sallave koncertale, Kosova ka histori tersi me këto projekte. Mbi një milion euro janë shpenzuar për atë që u nis si teatër i operës dhe baletit “Dr.Ibrahim Rugova”, por pas një dekade është mbuluar edhe gropa ku shihej se aty më 2009 kishin filluar punimet. Një tjetër projekt është salla koncertale e Prishtinës. Por vitin e kaluar shteti nuk ka qenë në gjendje që ta gjejë një hapësirë për të investuar 11.4 milionë euro të Bashkimit Evropian për sallë koncertale. Mjetet ishin ridestinuar në një tjetër projekt.

Drejtori i Filarmonisë së Kosovës, Baki Jashari, pas koncertit në Shkup ka thënë se bëhej fjalë për një interpretim madhështor për shkak të vendit ku u realizua.

“Kemi në plan që në momentin e parë të mundshëm edhe orkestrën ta sjellim këtu. Ishte një habi e gjithë neve për shkak të akustikës së mrekullueshme, temperaturës ideale, një ambient profesional për perfpormanca të ndryshme”, ka thënë ai. Sipas Jasharit, pas kësaj përvoje me kushte ideale është e vështirë të kthehen në Prishtinë ku nuk ka kurrfarë infrastrukture për koncerte. “Është e pafalshme që 20 vjet pas themelimit të Filarmonisë së Kosovës dhe nga lufta e fundit, ne në kryeqytet nuk kemi fare sallë koncertale. Kjo është natyrisht një goditje që e vërejta te anëtarët e Korit, të cilët ishin melankolikë. Shikonin me lakmi se si as 100 kilometra larg Prishtinës kemi një sallë të mrekullueshme”, ka thënë Jashari. Filarmonia e Kosovës shpesh është përgëzuar nga udhëheqësit politikë për nivelin e saj pas ngjarjeve ku audienca ishte kryesisht ndërkombëtare. Ky institucion angazhohet për përvjetorë të Pavarësisë e jubile të ndryshëm. Por kujdesi i shtetit ndaj Filarmonisë së Kosovës sa u përket kushteve të punës është i barabartë me zero. Por niveli i këtij institucioni është sikur të punonte tash e 20 vjet në ndërtesën e Filarmonisë së Maqedonisë së Veriut.