Kisha Shën Ndou në Prishtinë ka bashkuar artistët Antonio Gashi, Visar Kuçi e Drilon Çoçaj në koncertin me të cilin zyrtarisht të mërkurën mbrëma është hapur “Prishtina Guitar Week”.
Ky festival me edicionin e parë këtë vit i solli publikut një hapësirë të munguar kur bëhet fjalë për koncerte instrumentale specifike.
Nën tingujt e violonçelit e të kitarës, Antonio Gashi dhe Drilon Çoçaj performuan program të pasur duke filluar me “La follia” të Arcangelo Corellit, vepër e shekullit XVIII e aranzhuar për kitarë dhe violonçel nga mestro Valter Deshpali.
Skena u është lënë Visar Kuçit në violinë dhe Drilon Çoçajn në kitarë me vepra nga Enrique Granados, Arvö Part e Manuel De Falla.
Për Drilon Çoçajn organizator, por në të njëjtën kohë dhe performues i kësaj nate, rëndësia e “Prishtina Guitar Week” është mjaft e madhe pasi që ai e sheh këtë si një mision për të vazhduar kontributin e profesionistëve të mëhershëm të kitarës klasike në Kosovë te kitaristët e rinj që sipas tij janë jashtëzakonisht të talentuar.
Edhe
“Classic Jazz Trio+” rikthehet në kohë dhe gjen lirinë
“Shumë mirë ka shkuar, normal jemi lodhur e sidomos unë që përveç organizimit edhe kam performuar tërë natën, por ka qenë shumë mirë jemi kënaq. Kemi pasur gara, aktivitete, kanë filluar materklasat në fakultet të arteve, gjithashtu koncertet. Sonte është koncerti i parë zyrtar, por e kemi pasur edhe një koncert para dy ditëve, ku ka performuar një student i kitarës. Dhe jemi shumë të lumtur që kjo ngjarje po përkrahet shumë prej kolegëve, prej artistëve edhe njerëzve që e duan muzikën”.
Koncertit ia ka dhënë epitetin e një nate magjike violionisti Visar Kuçi.
“Një ndjenjë e veçantë për shkak që kur luan me kitarë është shumë më intime sepse kitara është një instrument që ka një volum më të vogël sesa piano ose orkestra edhe u kriju një atmosferë magjike në ato momente dhe unë e shijova shumë, në fillim nuk ishte e lehtë me u përshtat por pastaj u bë shumë e këndshme”.
Violonçelisti Antonio Gashi ka thënë se një ngjarje si kjo ka peshë edhe për gjeneratat e reja.
“Definitivisht një prej festivaleve më impresionuese për mua, sepse i ka përfshi të gjitha segmentet do të thotë ka edhe koncerte, ka masterkurse ka edhe gara, i ka të gjitha në një ndërtesë që është shumë e bukur edhe për të rinjtë sepse e kanë rastin me i dëgju edhe mjeshtëra të ndryshëm, Petrit Çeku dhe të tjerët që janë mjeshtëra të kalibrit botëror”.
Pianisti Misbah Kaçamaku ka thënë se Prishtinës i ka munguar një ngjarje e tillë. Ka thënë se janë unike kombinimet e instrumenteve që ofrojnë përjetime të veçanta.
Edhe
Interpretuesi gjenial i dramës muzikore që peshon çdo notë
“Seni më i mirë që i ka ndodhur Prishtinës është festivali i kitarës, do të thotë ne kemi festivale të pianos, muzikës kamertale, por definitivisht Prishtinës iu ka dashtë një festival i kitares. Publiku jonë ka pasur shumë pak mundësi me i dëgju kombinimin kitarën dhe violinën ose çellon e janë instrumente që shkojnë fenomenal mes vete, krijojnë një far lloj atmosfere që pak ka mujt publiku i Prishtinës me përjetu, kështu që unë jam tepër i lumtur”.
Festivali sonte sjell koncertin e kitaristit të njohur spanjoll, Pedro Mateo. Përmbylljen do ta bëjë të premten maestro Petrit Çeku.