Kulturë

Kitara fton violinën e violonçelin në përjetimin unik të muzikës

Me emra të shquar e vepra të përzgjedhura, “Prishtina Guitar Week” ka goditur në shenjë qysh me koncertin e parë të edicionit të parë. E natyrshme, kitara është kryefjala, por në hapje ajo ka ftuar violinën e violonçelin në një lojë harmonie, të papërjetuar shpesh në Prishtinë. Drilon Çoçaj në kitarë, Antonio Gashi në violonçel e Visar Kuçi në violinë i kanë sjellë publikut një mbrëmje intime muzikore e një ngjarje si kjo është cilësuar e domosdoshme për Prishtinën

Heshtja e ftohtë në Kishën e Shën Ndout në Prishtinë rrethuar nga ikonografia, u thye me “La Follia” të Arcangelo Corellit, i njohur si “babai i teknikës së violinës”. Vepra e shekullit XVIII me rrënjë nga Portugalia, në shqip ka kuptimin “marrëzia”, e cila i referohet mënyrës së shfrenuar të shijimit të muzikës. Krejt ndryshe e ka përjetuar publiku në sallë interpretimin e veprës, me të cilën Antonio Gashi në violonçel dhe Drilon Çoçaj në kitarë kanë hapur siparin e një programi të pasur veprash, të mërkurën mbrëma në koncertin që zyrtarisht ka nisur të parin edicion të “Prishtina Guitar Week”. Në fakt, “La follia” ka qenë edhe një lloj homazhi për Valter Deshpalin, që e ka aranzhuar këtë vepër. Maestroja me rrënjë arbëreshe, i cili vdiq në prillin e sivjetmë, rron nëpërmjet veprave të tilla.

Rrugëtimi muzikor vazhdoi me Visar Kuçin dhe Drilon Çoçajn me “Danzas Espanolas”, e cila ngërthen ndjesi të ndryshme muzikore, duke filluar nga ajo galante, orientale, zambra e arabeska. Kjo vepër e Enrique Granados, këtë herë në kitarë e violinë u prit me duartrokitje të forta, me të cilat publiku tregoi edhe një herë entuziazmin e tij.

“Fratres” e Arvö Part nisi me dinamikë ndryshe nga pjesët paraprake, e cila bashkë me lëvizjet e lojës në violinë nga Visar Kuçi ofroi një ndjenjë adrenaline e tempi të shpejtë në sallë. Programi përfundoi me një maratonë nga “7 këngë popullore spanjolle” të Manuel De Fallas. Nga “El pano moruno” e deri te “Cancion” publiku kishte vëmendjen e plotë drejtuar interpretimit. Kulminacioni u arrit me “Polo”, me përfundimin e së cilës salla u përmbyt nga duartrokitjet e forta për Kuçin e Çoçajn.

Dirigjenti e kompozitori Rafet Rudi ka vlerësuar se programi qe një përzgjedhje e qëlluar, pasi që kishte mjaft vepra të njohura, mirëpo të cilat nuk janë dëgjuar asnjëherë vetëm në këto instrumente.

“Mendoj se këto iniciativa për festivale specifike, që i dedikohen një instrumenti, janë shumë të dobishme dhe stimulative për gjeneratat e reja. Sa i përket koncertit të sotëm jam shumë i kënaqur së pari për përzgjedhjen e programit, sepse kishte vepra të njohura që ne i kemi dëgjuar kryesisht në variante të tjera, por jo në këtë kombinim si sonte. Këta artistët tanë – që janë artistë të një gjenerate tashmë të mesme, e mendoj se ia dolën mbanë, publiku e pranoi mjaft mirë dhe ata e meritojnë përkrahjen e publikut”, ka thënë Rudi.

Për Drilon Çoçajn, organizator, por në të njëjtën kohë dhe performues i kësaj nate, rëndësia e “Prishtina Guitar Week” është mjaft e madhe, pasi që ai e sheh këtë si mision për të vazhduar kontributin e profesionistëve të mëhershëm të kitarës klasike në Kosovë te kitaristët e rinj që, sipas tij, janë jashtëzakonisht të talentuar.

“Shumë mirë ka shkuar, normalisht jemi lodhur e sidomos unë, që përveç organizimit, edhe kam performuar tërë natën, por ka qenë shumë mirë. Jemi kënaqur. Kemi pasur gara, aktivitete, kanë filluar masterklasat në Fakultetin e Arteve, gjithashtu koncertet. Sonte është koncerti i parë zyrtar, por e kemi pasur edhe një koncert para dy ditësh, ku ka performuar një student i kitarës. Dhe jemi shumë të lumtur që kjo ngjarje po përkrahet shumë prej kolegëve, prej artistëve dhe njerëzve që e duan muzikën”, ka thënë Çoçaj.

Violonçelisti Antonio Gashi ka thënë se një ngjarje si kjo ka peshë edhe për gjeneratat e reja.

“Definitivisht një prej festivaleve më impresionuese për mua, sepse i ka përfshirë të gjitha segmentet, do të thotë ka edhe koncerte, ka masterkurse, ka edhe gara, i ka të gjitha në një ndërtesë, që është shumë e bukur edhe për të rinjtë, sepse e kanë rastin të dëgjojnë edhe mjeshtër të ndryshëm. Petrit Çeku dhe të tjerët që janë mjeshtër të kalibrit botëror”, ka thënë Gashi.

Koncertit ia ka dhënë epitetin e një nate magjike violinisti Visar Kuçi.

“Ishte ndjenjë shumë e veçantë për mua, sepse kur luan bashkë me kitarë, është eksperiencë shumë më intime për shkak të volumit më të vogël sesa pianoja dhe orkestra. Ishte shumë e këndshme dhe magjike si eksperiencë për mua”, ka thënë Kuçi.

Image
Rrugëtimi muzikor vazhdoi me Visar Kuçin dhe Drilon Çoçajn me “Danzas Espanolas”

Rëndësia dhe nevoja e një eventi të tillë vërehet nga publiku fare lehtë. Misbah Kaçamaku, pianist i pranishëm në publik, ka thënë se “Prishtinës i është dashur një festival i kitarës”.

“Publiku ynë ka pasur pak mundësi të dëgjojë kombinimin e kitarës dhe të çellos, ato të dyja e krijojnë një atmosferë që publiku i Prishtinës pak ka mundur ta përjetojë”, ka thënë Kaçamaku.

Genc Salihu, këngëtar dhe kompozitor, ka thënë të jetë i lumtur që skena e muzikës klasike në Kosovë ka filluar të lulëzojë.

”Jam dashamirës i muzikës klasike dhe jam shumë i lumtur që mundem me marr pjesë në një koncert të tillë në Prishtinë, e jo vetëm në mbështetje të shoqnisë”, ka thënë ai, teksa ka shtuar se një hap kaq i natyrshëm drejt afirmimit të kitarës po ndodh në Kosovë me këtë festival.

Duartrokitjet e gjata dhe ovacionet pas përfundimit të koncertit rezultuan në dy përsëritje të të dy pjesëve të ndryshme nga Visar Kuçi dhe Drilon Çoçaj, duke paraqitur kështu qartazi vlerësimin dhe etjen e publikut prishtinas për një ngjarje të tillë. Nisma e këtij festivali me ambicien se do të mbahet tradicionalisht shfaqet si një shpresë për pasurimin e skenës së muzikës klasike në vend. Sipas organizatorëve, ky festival shërben si një platformë e nevojshme për talentet e reja të kitarës për ta shprehur veten, duke pasur mundësi edhe të mësojnë nga artistë të afirmuar të fushës. Kjo iniciativë e re në skenën muzikore klasike të Prishtinës filloi të hënën me një koncert matine nga Urim Maliqi, përderisa gjatë këtyre ditëve në Fakultetin e Arteve u mbajtën masterklasa nga Petrit Çeku dhe Pedro Mateo, kitarist nga Spanja, i cili është ngjitur në skenë të enjten mbrëma me koncert solistik në Kishën e Shën Ndout në Prishtinë. Është kitaristi ma famë botërore, Petrit Çeku, që do ta kurorëzojë të premten mbrëma “Javën e Kitarës në Prishtinë”.