EXPRESS

Interpretuesit e rinj sfidohen me ariet magjepsëse

Skena operistike është testuar edhe një herë tjetër me interpretimin e arieve magjepsëse. Ka ngjarë shpesh të sillet mozaiku i kryeveprave botërore. Ngjashëm edhe të dielën mbrëma, në natën e tretë të “Prishtina International Vocal Festival”. Kushtet kanë qenë kontrasti i dukshëm me interpretimin e sopranos Kejsi Haxhija dhe baritonëve Harris Bajraktari e Shinasi Ramadani. Koncert përplot magji e muzikalitet i artistëve të rinj.

Interpretuesit kanë shëtitur nëpër copëzat e kryeveprave botërore. Vokali i gjeneratës së re ka qenë krejt dekori i Amfiteatrit të Bibliotekës Universitare në kryeqytet.

Arieve magjepsëse të kryeveprave operistike botërore u janë bashkëngjitur edhe këngë unike. “If I were a rich man” nga muzikantët amerikanë Shaldon Harnick dhe Jerry Bock ka qenë tejet atraktive. Me interpretim të baritonit Shinasi Ramadani ka ngjarë në një bisedë të hareshme.

Kjo edhe ka qenë pjesa të cilën Ramadani është shprehur se e ka më për zemër pasi, sipas tij, tregimi është shumë tërheqës. Ka thënë se ndihet më mirë kur interpreton me tinguj minimalë.

“Unë ndiej më shumë hapësirë dhe më shumë liri kur kemi recitale pa orkestër. Është një atmosferë më intime, ashtu që më shumë më konvenon”.

Interpretimi i sopranos, Kejsi Haxhija, ka qenë rrëfim më melankolik që sikur kthehet në një bashkëbisedim dhe shpërthim në mllef bashkë me emocionet e fuqishme që përcjell.

“Këto janë arie që mua më përshtaten shumë, më pëlqen t’i këndoj, i shijoj kur i këndoj në skenë. Ishte një eksperiencë shumë e bukur që m’u dha si mundësi”.

Për baritonin Harris Bajraktari, ka qenë sfidues interpretimi në një sallë si ajo e Amfiteatrit të Bibliotekës Universitare.

“Repertori im konsiston në arie nga romantizmi dhe klasicizmi. Ishte me të vërtetë sfidë, sepse jemi me një vend ku kushtet mungojmë shumë dhe duke ditur se repertori operistik kërkon shumë energji dhe shumë zë, mendoj se ka qenë eksperiencë shumë fantastike”.

Nata e tretë e “Prishtina International Vocal Festival” ka konsistuar me atë që gjithmonë e bën Festivali – me përkrahjen e të artistëve të rinj. Udhëheqësi i ngjarjes, Hajrullah Syla, ka thënë se për këngëtarët e rinj janë më se të nevojshme paraqitje të tilla.

“Festivali është kujdesur çdo vit që të ketë hapësirë për artistë të rinj të cilët janë qoftë studentë, qoftë të sapodiplomuar. Kanë nevojë për hapësirë, për ta shpalosur programin që e kanë përgatitur dhe thjesht të jenë para publikut, një eksperiencë që padyshim i pret në rrugën e tyre të gjatë. Këtë hapësirë e kemi qysh prej edicionit të parë dhe besoj se është shumë e rëndësishme për artistët e rinj dhe do të vazhdojë edhe në edicionet në vazhdim, sepse me të vërtetë është shumë e nevojshme për ta”.

“Pri Vocal Fest” koncertin e radhës e organizon të mërkurën në po të njëjtën adresë me emra të shquar të skenës vendore të muzikës klasike.