Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
EXPRESS

“Home Neverland” për udhëtimet e vetmuara në Prishtinë

Është një botë me shumë ngjyra, tinguj e improvizime ajo e krijimtarisë së kompozitorit e poli-instrumentistit Robert Bisha. Një lloj avangarde e tij ku pështjellohet klasikja me populloren shqiptare e jazzin. E ka eksploruar para publikut në Prishtinë të premten me tinguj pianoje dhe jo vetëm, në atmosferën e qytetit jo të panjohur për të.

Bisha shpesh e ka stacion Kosovën, përherë me shpalosje unike muzike.

Kombinimi i tingujve të çiftelisë me ata të pianos nuk do të mund të imagjinohej. Por këtë e bën ai. Me plot guxim, ritëm e stil ka ardhur me “Home Neverland” për udhëtimet e vetmuara.

Organizim jo fort i zakonshëm ka qenë ai Qendër për Praktika Rrëfyese. Pikërisht rrëfim nëpërmjet vijës muzikore ka qenë koncerti i tij.

Bisha ka interpretuar pjesë të veprës “Home Neverland” të vitit 2019 dhe ato të kompozuara më vonë.

Edhe “Home Neverland” për udhëtimet e vetmuara në Prishtinë Shtojca për Kulturë “Home Neverland” për udhëtimet e vetmuara në Prishtinë

Ndonëse jo fort praktikohen koncerte të tilla në ambiente të hapura, për kompozitorin e poli-instrumentistin që jeton e vepron midis Shqipërisë dhe Italisë është krejt e zakonshme.

“Zakonisht bëj koncerte kështu. Jam ftuar shumë herë të bëj koncerte jashtë si në agim a në perëndim. Klima ishte fantastike, pak fllad, vendi fantastik. Është një qendër që vërtet është unike, ndoshta e vetmja kështu në gjithë Prishtinën. Është një dimension shumë i mirë, shumë intim. Mund të jesh i lirshëm, të bësh çfarë të duash”.

Tingujt e tij i sjell edhe në versionin e atyre të ksilofonit e çiftelisë. Edhe vetë kompozitori ka theksuar se ka shumë ritme në vepra. Por s’e definon muzikën në zhanre dhe ka shpjegim për këtë.

“Ka shumë ritme, nuk i ndaj me zhanre, nuk është se dua të jenë jazz, popullore, çka të kalojë le të kalojë. E liroj dhe e luaj. Patjetër se ka zhanre, jazzi është pa fund, është gamë e madhe. Nuk ka fund e as fillim. Thjesht nuk po e definoj, dua t’i lë hapësirë lirisë, nëse mund ta quajmë të tillë”.

Edhe “Ilirian Ahmeti Trio” me jazz pa kufij tingëllon edhe shqip Kulturë “Ilirian Ahmeti Trio” me jazz pa kufij tingëllon edhe shqip

Shpirtin prej muzikanti shumëdimensional e ka dëshmuar edhe në këtë koncert, pas atij në Prizren në premierën botërore të suitës simfonike “Monade” në shtator të vitit të kaluar.

Edhe vepra “Home Neverland” e interpretuar të premten mbrëma në oborrin e ish-bibliotekës “Hivzi Sulejmani” lidhet me Prizrenin. Në korrik të vitit 2020 ishte interpretuar në kinemanë “Lumbardhi” në kushte të pazakonta me veç 50 persona në krejt hapësirën e gjerë. Veprën e përshkruan si rrugëtim nëpër humbje dhe gjetje e vetes në kujtimet e lashta dhe në takimet e pakohë. Robert Bisha, me origjinë nga Shkodra, pos pianos luan një sërë instrumentesh të tjera, duke përfshirë fizarmonikën, çiftelinë, bateritë e kitarën. Ndërsa pjesa më e madhe e muzikës së tij është improvizuese, me prirje avangarde dhe jazz.