Jeta e Anitës dhe e Belinës është e lumtur. Si dy motra të martuara për dy vëllezër ato përmbushin përditshmëritë e tyre me punë të shtëpisë dhe një shërbim që e ofrojnë për t’i ndihmuar gratë që të mbesin shtatzëna. Këtë përshtypje e jep me të nisur shfaqja “Hana po fluturon”, prodhim i Teatrit të Ferizajt “Adriana”. Brenda minutash shpërfaqet edhe tema e tekstit të Arta Arifit, me regji të Iliriana Arifit.
E dhënë premierë muajin e kaluar në Teatrin e Ferizajt, “Hana po fluturon” erdhi si mysafire në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Për më shumë se një orë kasta e aktorëve në përbërje të Dardane Mehmetit, Edona Berishës, Dashuri Rexhepit, Arben Marevcit, Gresë Gashit, Nea Hamzës dhe Nexhat Xhoklit, me anë të lojës teatrale sollën për publikun në Prishtinë një copë historie të trishtë nëpër të cilën qytetarët e Kosovës kanë kaluar.
Jeta e rëndomtë që motrat bëjnë merr një kah krejtësisht tjetër kur para shtëpisë së tyre ngrihen themelet për ndërtimin e një spitali. Ato mundohen me të gjitha forcat që ta parandalojnë këtë gjë. Me ndërtimin e spitalit do të rrënohet muri rrëzë shtëpisë së tyre i cili mban shumë kujtime, sidomos ato të luftës së fundit në Kosovë. E kjo bëhet e ditur pak pa përfunduar shfaqja.
Regjisorja Arifi ka folur më tepër rreth temës së zgjedhur. Ka thënë se me aq sa ka mundur të kuptojë nga publiku, shfaqja ka arritur ta ketë ndikimin e pritur.
“Kjo u ndje edhe te pjesa e fundit që solli një lloj duartrokitje ku ti heziton si audiencë dhe nuk e ndan mendjen a të duartrokas sepse nuk është tema për tu duartrokitur, a të mos duartrokas sepse tema është e tillë sa që neve na bën të mendojmë e të hezitojmë që ta bëjmë një reaksion të duhur në momentin e duhur. Unë po shpresoj që kemi arritur ta japim një mesazh. Shpresoj se në të ardhmen do të kemi gra të guximshme te cilat do të kenë fuqinë për ta treguar historinë e vet sepse sado që është dhembje e madhe është edhe një lloj çlirimi i vet personave të cilët kanë përjetuar ngjarje të tilla”.
Tutje në skenë del edhe Hana, vajza e vogël për të cilën kujdesen Anita dhe Belina. Dashurinë që këto të dyja e kanë për Hanën e shprehin në mënyrë të çuditshme, njësoj edhe Bardhi dhe Marini, burrat e tyre.
Pas paraqitje së vajzës së vogël “Hana po fluturon” nis të merr formë dhe tema që e trajton qartësohet edhe më.
Ndër të tjera, Arifi ka thënë se edhe shfaqjet e tilla shërbejnë për të mos e lënë të kaluarën në harresë.
“E bukura e krejt kësaj gjëje është se ajo pjesë e audiencës që ishte sonte prezentë me ne e mirëpriti në mënyrën e vet secili sepse ishte një lloj qetësie e llojit të vet sepse ne si artistë e ndjejmë energjinë e audiencës edhe kur jemi prapa skenës kështu që kjo është një temë pak më delikate. Ndoshta është një temë që nuk do të dëshironim ta kishim për çdo ditë sepse është një temë shumë e rëndë të cilën e kemi kaluar e tejkaluar por ende jemi brenda saj ku edhe tash në vitin 2023 e kemi dhembjen e atyre që nuk mund t’i gjejmë”.
Shpirti luftarak dhe refuzimi për t’u dorëzuar i Anitës dhe Belinës bie ndesh me gjendjen e burrave e tyre. Ata duket qartë se janë pajtuar me çdo gjë. Spitali do të ndërtohet dhe muri përballë do të bjerë. Por Anita dhe Belina nuk mund të largohen nga ky mur dhe nga kujtimet e tyre. Përpjekjet i vazhdojnë duke ia drejtuar një letër kryetarit, ku kërkojnë që të ndalohen punimet. Fati i tyre duket se është shkruar ndryshe.
Aktorja Edona Berisha, e cila e luan rolin e Anitës, ka thënë se mjeshtëria e regjisores Iliriana Arifi ka bërë që shfaqja të tregojë sukses.
“Tekstin kur e kemi parë në fillim e kishim dilemën se a to të kuptohet si ngjarje nga ana e publikut por regjisorja e kishte idenë e qartë dhe e dinte saktë se çfarë do të bënte. Ne në fillim nuk e kishim të qartë se si do ta plotësojë sepse tutje janë shfaqur edhe videot, loja e aktorëve dhe u plotësua dhe kuptohet kur vjen si ngjarje te publiku. Por sa kam marrë komente nga publiku në fillim asnjëherë nuk kuptohet se ajo vajza ka qenë dikur dhe nuk është më por në fund jepet mesazhi dhe kuptohet”.
Pas shumë përpjekjesh për të ndaluar rrënimet, Anita dhe Belina ngjiten mbi mur dhe vendosin të protestojnë. Edhe më kot. Me rënien e murit bie edhe jeta e tyre, bashkë me sekretin e fshehur për vite të tëra.
Në rolin e Marinit vjen aktori Dashuri Rexhepi, i cili ka shpalosur dimensionet e ndryshme të shfaqjes duke bërë të ditur se “Hana po fluturon” nuk prek vetëm temën për të pagjeturit.
“Është një shfaqje që përfshinë shumë. Është një shfaqje që përfshinë shumëçka. Nuk është vetëm dhunimi, i ke ato gratë shtatzëna, e ke dashurinë e vëllezërve, të motrave pastaj fshehtësinë, sekretet sa mbahen, përdhunimin, prishjen e shtëpisë e shumë tema të ndryshme në një shfaqje një orëshe. Unë po mendoj dhe e falënderoj publikun gjithandej ku është mbajtur shfaqja, por edhe këtu i falënderoj shumë”.
Skenograf i shfaqjes “Hana po fluturon” është Bekim Korça, ndërsa për kostumet ka punuar kostumografja Eleonora Gagica.