“Hana po fluturon” vjen si një thirrje për të mos harruar. Sado e vështirë që është, në fund edhe Anita dhe Belina ndajnë rrëfimin e tyre. Shfaqja, e cila ka ardhur mysafire në Teatrin Kombëtar të Kosovës, shpërfaq pasojat e shumëfishta të luftës së fundit në Kosovë. Prek një prej temave më të ndjeshme
Jetesa e Anitës dhe e Belinës mund të përshkruhet si e lumtur. Janë dy motra të martuara për dy vëllezër që përmbushin përditshmëritë e tyre me punë të shtëpisë dhe një shërbim që e ofrojnë për t’i ndihmuar gratë që të mbesin shtatzëna. Këtë përshtypje e jep me të nisur shfaqja “Hana po fluturon”, produksion i teatrit të Ferizajt “Adriana”. Brenda minutash shpërfaqet edhe tema e tekstit të Arta Arifit, nën regji të Iliriana Arifit.
E dhënë premierë muajin e kaluar në Teatrin e Ferizajt, “Hana po fluturon” erdhi si mysafire në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Për më shumë se një orë kasta e aktorëve në përbërje të Dardane Mehmetit, Edona Berishës, Dashuri Rexhepit, Arben Marevcit, Gresë Gashit, Nea Hamzës dhe Nexhat Xhoklit, me anë të lojës teatrale sollën për publikun një copë historie të trishtë nëpër të cilën qytetarët e Kosovës kanë kaluar.
Jeta e rëndomtë që motrat bëjnë merr një kah krejtësisht tjetër kur para shtëpisë së tyre ngritën themelet për ndërtimin e një spitali. Ato mundohen me të gjitha forcat që ta parandalojnë këtë gjë. Me ndërtimin e spitalit do të rrënohet muri rrëzë shtëpisë së tyre, i cili mban shumë kujtime, sidomos ato të luftës së fundit në Kosovë. E kjo bëhet e ditur pak pa përfunduar shfaqja.
Regjisorja Arifi ka folur më tepër rreth temës së zgjedhur. Ka thënë se me aq sa ka mundur të kuptojë nga publiku, shfaqja ka arritur ta ketë ndikimin e pritur.
“Kjo u ndje edhe te pjesa e fundit që solli një lloj duartrokitje ku ti heziton si audiencë dhe nuk e ndan mendjen a të duartrokasësh, sepse nuk është tema për t’u duartrokitur, a të mos duartrokasësh, sepse tema është e tillë saqë neve na bën të mendojmë e të hezitojmë që ta bëjmë një reaksion të duhur në momentin e duhur. Unë po shpresoj që kemi arritur ta japim një mesazh. Shpresoj se në të ardhmen do të kemi gra të guximshme, të cilat do të kenë fuqinë për ta treguar historinë e vet, sepse sado që është dhembje e madhe është edhe një lloj çlirimi i vetë personave, të cilët kanë përjetuar ngjarje të tilla”, ka thënë Arifi.
Tutje në skenë del edhe Hana, vajza e vogël për të cilën kujdesen Anita dhe Belina. Dashurinë që këto të dyja e kanë për Hanën e shprehin në mënyrë të çuditshme, njësoj edhe Bardhi dhe Marini, bashkëshortët e tyre.
Pas paraqitje së vajzës së vogël “Hana po fluturon” nis të marrë formë dhe tema që e trajton qartësohet edhe më.
Ndër të tjera, Arifi ka thënë se edhe shfaqjet e tilla shërbejnë për të mos e lënë të kaluarën në harresë.
“E bukura e krejt kësaj gjëje është se ajo pjesë e audiencës që ishte sonte prezente me ne e mirëpriti në mënyrën e vet secili, sepse ishte një lloj qetësie e llojit të vet pasi që ne si artistë e ndiejmë energjinë e audiencës edhe kur jemi prapa skenës, kështu që kjo është një temë pak më delikate”, ka thënë Arifi. Por në këtë rast ka shtuar edhe diçka.
“Kjo ndoshta është një temë që nuk do të dëshironim ta kishim për çdo ditë, sepse është një temë shumë e rëndë, të cilën e kemi kaluar e tejkaluar, por ende jemi brenda saj, ku edhe tash në vitin 2023 e kemi dhembjen e atyre që nuk mund t’i gjejmë”, ka thënë ajo.
Shpirti luftarak i Anitës e Belinës dhe refuzimi për t’u dorëzuar bien ndesh me gjendjen e bashkëshortëve. Ata duket qartë se janë pajtuar me çdo gjë. Spitali do të ndërtohet dhe muri përballë do të bjerë. Por Anita dhe Belina nuk mund të largohen nga ky mur dhe nga kujtimet e tyre. Përpjekjet i vazhdojnë duke ia drejtuar një letër kryetarit, ku kërkojnë që të ndalohen punimet. Fati i tyre duket se është shkruar ndryshe.
Efektet vizuale të projektuara si pjesë e shfaqjes nëpërmjet videove e plotësonin tregimin për ambientin përreth shtëpisë. Pemë të larta, gjelbërim, pastaj shiu i rrufeshëm e deri te momenti më kulmues i shfaqjes paraqiten me anë të këtyre videove. Po ashtu edhe momenti kur Anita dhe Belina e rrëfejnë historinë e tyre.
Aktorja Edona Berisha, e cila e luan rolin e Anitës, ka thënë se mjeshtëria e regjisores Iliriana Arifi ka bërë që shfaqja të tregojë sukses.
“Tekstin kur e kemi parë në fillim e kishim dilemën se a do të kuptohet si ngjarje nga ana e publikut, por regjisorja e kishte idenë e qartë dhe e dinte saktë se çfarë do të bënte. Ne në fillim nuk e kishim të qartë se si do ta plotësojë, sepse tutje janë shfaqur edhe videot, loja e aktorëve dhe u plotësua, dhe kuptohet kur vjen si ngjarje te publiku. Por sa kam marrë komente nga publiku në fillim asnjëherë nuk kuptohet se ajo vajza ka qenë dikur dhe nuk është më, por në fund jepet mesazhi dhe kuptohet”, ka thënë Berisha.
Pas shumë përpjekjesh për të ndaluar rrënimet, Anita dhe Belina ngjiten mbi mur dhe vendosin të protestojnë. Edhe më kot. Me rënien e murit bie edhe jeta e tyre, bashkë me sekretin e fshehur për vite të tëra. Bëhej fjalë për momentin kur në kohë të luftës u dëbuan nga shtëpia. Bashkëshortët e tyre vazhduan që të fshihen në mal, ndryshe do t’i vrisnin. Sekreti i tyre ishte ajo çka ka ndodhur pranë atij muri. Aty ku ato ishin të bindura se Hana ishte e varrosur.
Në rolin e Marinit vjen aktori Dashuri Rexhepi, i cili ka shpalosur dimensionet e ndryshme të shfaqjes duke bërë të ditur se “Hana po fluturon” nuk prek vetëm temën për të pagjeturit.
“Është një shfaqje që përfshin shumëçka. Nuk është vetëm dhunimi, i ke ato gratë shtatzëna, e ke dashurinë e vëllezërve, të motrave, pastaj fshehtësinë, sekretet sa mbahen, përdhunimin, prishjen e shtëpisë e shumë tema të ndryshme në një shfaqje njëorëshe. Unë po mendoj dhe e falënderoj publikun gjithandej ku është mbajtur shfaqja, por edhe këtu i falënderoj shumë”, ka thënë Rexhepi.