Vizatimi kishte qenë lënda e tij e preferuar qysh nxënës, por Arsim Sylës iu deshën shumë vite për t’iu përkushtuar pikturës.
Pandemia e cila mbylli shumë dyer, për të hapi një horizont të ri për ta nxjerrë jashtë pasionin që kishte brenda vetes.
Në moshën 61-vjeçare, Syla filloi të merret me realizimin e pikturave. Dëshira që po i rritej çdo ditë e më shumë ka bërë që një prej dhomave të shtëpisë ta shndërrojë në një vend pune, e vazhdimisht të mbledhë mjete që i duhen për pikturim.
“Edhe pse pak vonë, koha e pandemisë më ka zgjuar prej gjumit artistik, dhe duke i parë disa video në ‘YouTube’ dhe media të tjera, thashë s’qenka shumë problem dhe mund edhe unë t’ia filloj kësaj pune. Unë jam i pashkolluar për nga ana e artit, nuk kam të përfunduar ndonjë Akademi të Arteve dhe në fillim jam frikësuar shumë prej ngjyrave të vajit e tash s’po mund të ndahem prej tyre. Duke i pyetur kolegët, ish-profesorët më treguan nga pak dhe fillova. Fillimisht kam punuar me sprej dhe ngjyra të akrilit, por kur fillova me ngjyra të vajit tash s’po mund t’u ndahem”, shprehet Syla.
Syla në dhomën ku po punon, i ka të varura 35 piktura të realizuara gjatë një viti. Lidhja që ka me detin e ka bërë që ai të dominojë në punimet e tij artistike, kurse ndërtesat në zonën e Prishtinës së vjetër dëshiron t’i përjetësojë në piktura.
“I kam disa fotografi që i kam bërë gati, sidomos të zonës së Prishtinës së Vjetër dhe po i pres t’i bëj me kalimin e kohës, sepse këto do të zhduken dhe kam dëshirë të mbeten. I marrë edhe pikturat e piktorëve të tjerë dhe prej tyre edhe mësoj duke i punuar”, tregoi ai.
Arsim Syla vazhdimisht del dhe fotografon vende të ndryshme, të cilat përmes ngjyrave i zhvendos në pikturë. Syla, tashmë 62-vjeçar, është kthyer në nxënës entuziast për të pikturuar dhe mirëpret çdo sugjerim profesional.
“Unë vazhdimisht eksperimentoj dhe do të doja njerëzit që i përkasin këtij lëmi të vijnë dhe të më sugjerojnë”, thekson Syla.
Arsim Syla thotë se qetësinë më të madhe po e gjen brenda dhomës së pikturimit, ndërsa është pishman që këtë pasion nuk e ka nisur më herët.
“Unë vij këtu dhe tri orë mbes në këmbë duke punuar e as nuk e di që kanë kaluar tri orë duke u munduar për një detaj të vogël. Mua më pastron shpirtërisht, sikur kur mediton, që e ki kokën e ngarkuar, kur vij këtu më hiqen të gjitha dhe kur e shoh një punë që deri diku më ka pëlqyer, unë fle rahat”, ka treguar Syla.
Ai do të vazhdojë që të eksperimentojë çdo ditë në pikturë dhe ia ka vënë qëllim vetes që të paktën tri orë të ditës t’i kalojë duke pikturuar.