Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
EXPRESS

Filharmonia pushton Vitinë dhe Kamenicën me “Frymë”

Shtëpitë e Kulturës në Kamenicë e Viti janë kthyer në salla koncertale për më shumë se një orë. Sallat kanë qenë plot e entuziazmi është vërejtur edhe në notat më të ulëta në interpretim.

Tingëllon si refren e shënim historiografie se “është koncerti i parë i Filharmonisë” në filan qyteti, por kur futen në lojë ndjenjat e publikut e të muzikantëve ka krejt tjetër peshë. Dhe dëshmia e radhës – Kamenica e Vitia, ku është ndalur “Filharmonia në lëvizje”, siç titullohet nisma, e cila ka synime të shumëfishta.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Paleta muzikore e shpalosur mjeshtërisht nga anëtarët e saj nën drejtimin e tre dirigjentëve ka qenë ndërthurje e zhanreve të muzikës. Ritme valsi, rock, orientale e moderne kanë mbërthyer shtëpitë e kulturës “Isa Kastrati” në Kamenicë dhe “Gursel e Bajram Sylejmani” në Viti me koncertin e serisë “Frymë”.

E enjtja për Kamenicën dhe e premtja për Vitinë kanë qenë ngjarje historike. I njëjti program ka frymuar në dy qytete për herë të parë. E nisur me “Oregon” të kompozitorit holandez Jacob de Haan. Ka nisur lehtas, por ka gjetur ritmin harmonik duke u kombinuar, pos frymorëve, me tinguj ksilofoni dhe tupani.

Koncertit i ka paraprirë fjala e dirigjentes Lirjona Sylejmani para publikut në Viti. Siç nuk ndodh zakonisht në koncertet e Filharmonisë që interpretuesit t’i drejtohen publikut, Sylejmani konsideroi se ua kishte borxh publikut vendas. Shtëpia e Kulturës, që mban emrin e babait dhe xhaxhait të saj, nuk ka pasur kurrë hare për Lirjona Sylejmanin, e cila e kishte vizituar atë çdo 28 shtator, datë që shënon rënien heroike të babait të saj dëshmor, Bajram Sylejmani, xhaxhait të saj, Gursel Sylejmani. Paraqitja në skenë për të shënuar interpretimin e parë në qytetin e saj ia ka kthyer në mendje luftën me dhimbjen e mungesën, por edhe krenarinë, nga rendi i parë i ulëseve të publikut.

“Kam qenë me ndjenja të përziera si çdoherë kur jam në këtë sallë, edhe në ato fjalët e pakta para koncertit që këtë herë shpresoj që kujtimeve të mia pikërisht ky koncert do t’i shtojë shije tjetër kësaj salle. Si çdoherë tjetër, edhe këtë herë natyrisht se jam krenare se e bija dhe mbesa e kujt jam, por shpresoj që të paktën familjen ta kem bërë krenare”.

Kolona zanore e filmit “Piratët e Karaibeve” e pjesët “Fanfare Nueve” e “Arabesque” kanë qenë gërshetim me tinguj ksilofoni e tupan krahas frymorëve. Shuplakat e disa anëtarëve të formacionit e kanë bërë më të hareshëm koncertin. Ngjyrat e vallëzimit latin janë sjellë para publikut në Viti nëpërmjet “Danzon nr.2”.

Pos veprave të kompozitorëve botërorë, perlat e muzikës shqiptare e kanë shumëfishuar entuziazmin e publikut, që dukshëm është vërejtur sa e kanë gjetur titullin e këngëve qysh në interpretim të notave të para. Ka nisur me këngën shkodrane “Pranvera filloi me ardhë” të aranzhuar nga Kreshnik Aliçkaj, pjesë të cilën e ka bërë përrallor interpretimi në flaut. Përpunimi klasik i këngës popullore “Hapi sytë e zezë” ka sjellë ritmin e këngës tipike qytetare me aranzhim të Avni Krasniqit. Meloditë e secilës pjesë në versionin klasik të këngës shqiptare vijnë familjare për publikun. I tillë ka qenë interpretimi i këngës “Mallëngjimi”, e cila është përcjellë me vokal nga tenori Liridon Sadriu.

Laramani e programit është vërejtur jo veç në gërshetimin e zhanreve midis veprave botërore e shqiptare, por edhe në përfshirjen e solistëve.

Baki Jashari, drejtor i Filharmonisë së Kosovës, ka thënë se formacioni është përzgjedhur duke marrë parasysh kapacitetin e sallave për interpretim.

“Është përvojë për të parën herë dhe nuk e dimë se si do të pranohet Filharmonia e Kosovës.”

Magji mbi këngën “Agimet Shqiptare” të Avni Mulës ka hedhur Adelina Paloja me vokalin e saj në pjesën tejet emocionuese.

“Çfarë kënaqësie! Vërtet që interpretimi në Kamenicë më përmbushi…”

Ndërkohë instrumentali i këngës “Baresha”, kompozuar nga Rexho Mulliqi dhe kënduar nga Nexhmije Pagarusha është dëshmuar si himn i këngës shqiptare çdoherë që notat e saj kanë kumbuar në koncertet e Filharmonisë. Pjesa e dirigjuar nga Hajrullah Sylla solli melodi dhe harmoni nëpërmjet tingujve të këngës ikonike.

“Ndjenjë shumë e mirë. Publiku ishte shumë i këndshëm dhe e priti shumë mirë koncertin.”

Gjatë kësaj vepre barrën kryesore në interpretim e pati klarinetisti Shkumbin Bajraktari, i cili e ka çmuar mikpritjen në këto qytete.

“Ne zakonisht koncertojmë nëpër Prishtinë. Në qytetin e Kamenicës kemi ardhur për të koncetuar dhe jemi habitur.”

“Filharmonia në lëvizje” synon edhe qendra të tjera. Drejtori Baki Jashari ka paralajmëruar se destinacion i radhës i Filharmonisë do të jetë Vushtrria e më pas qytete të tjera, si Istogu, Hani i Elezit, Podujeva e Kaçaniku. “Nga bota e re” do të jetë koncerti i radhës në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë më 29 janar, ku do të interpretohen veprat e Antonin Dvorak, Joaquin Rodrigo dhe Kreshnik Aliçkaj. Koncerti do të drejtohet nga dirigjenti izraelito-gjerman, Maayan Franco, e formacionit do t’i bashkohet maestroja në kitarë, Petrit Çeku.