Se edhe publiku i qyteteve të vogla të Kosovës mirëpret Filharmoninë e Kosovës është dëshmuar edhe natën e mbrëmshme në Klinë, aty ku Filharmonia e Kosovës po vinte për herë të parë. Nderimin dhe emocionet e tyre për orkestrën frymore prej dhjetëra muzicientësh, klinasit e shprehën me duartrokitje të gjata, nga ku herë-herë mund të dëgjoje edhe ndonjë “Bravo”.
Koncerti “Frymë” tashmë ka çelur shumë shtigje të reja, të pashkelura më parë nga Filharmonia e Kosovës. Megjithatë ai i mbrëmshmi në Klinë dallonte pak nga ata të mëhershmit në Suharekë, Kamenicë apo Viti. Në Qendrën e Kulturës “Jehona e Dukagjinit” në Klinë ky koncert u organizua në kuadër të shënimit të 15-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe 25- vjetorit të epopesë së UÇK-së. Si shkak i kësaj, ndryshe nga herët e tjera, nga sopranoja Adelina Paloja dhe tenori Liridon Sadriu u interpretuan gjithsej katër këngë me motive kombëtare. Teksa Sadriu interpretoi këngë si: “O vendi im” e “Për ty Atdhe” Paloja erdhi me “Unë biri yt Kosovë” dhe “Agimet shqiptare”. Pjesa e parë e koncertit kishte përmbajtje të veprave botërore, kurse e dyta shëtiste nëpër meloditë shqiptare.
I pranishëm qe edhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, i cili e ka vlerësuar lart bashkëpunimin me “Filharmoninë në lëvizje”.
“Ishte një pritje e jashtëzakonshme. Është një sallë e kulturës, një ambient që sonte u pasurua me një interpretim fasionues të seksionit frymorë të Filharmonisë së Kosovës, që është pjesë edhe e programit shtetëror për shënimin e pesëmbëdhjetë vjetorit të Pavarësisë dhe 25-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por është pjesë edhe një angazhimi të ri të institucioneve shtetërore të kulturës dhe Filharmonisë, “Filharmonia në lëvizje” për ta takuar publikun aty ku është dhe në gjithë Kosovës. Sot ishim në Klinë. Filharmonia ka qenë muajve të kaluar edhe në qytetet e tjera e kështu do të vazhdojë edhe më tutje. U ndjeva shumë mirë sepse nuk ishim në ambientin e zakonshëm siç jemi mësuar në Prishtinë ose këtu në Klinë dhe me një interpretim të jashtëzakonshëm”.
Për interpretimin e parë në qytetin e Klinës dhe ecurinë e “Filharmonisë në lëvizje” ka folur vetë drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari .
Edhe
Filharmonia me “Frymë” e merr Klinën në lëvizje tingujsh
“Natyrisht ky ishte kontakti jonë i parë, i Filharmonisë së Kosovës me publikun e Klinës. Tashmë janë bërë disa muaj që Filharmonia është duke e zhvilluar një program që e kemi pagëzuar me titull: “Filharmonia në lëvizje”. Besoj se tashmë është marrë vesh që jemi duke koncertuar nëpër qendra të ndryshme. Deri tashmë i kemi kaluar qytete si Suhareka, Kamenica, Vitia. Edhe koncerti i sotëm ishte i veçantë për shkak sepse publiku ishte tjetër. Natyrisht gjithmonë ekziston dyshimi se a do t’ju pëlqej, vazhdimisht mundohemi të modifikojmë programet tona”.
nëpër qytetet dhe para publikut ku nuk kanë performuar më herët e ka cilësuar si të jashtëzakonshëm njëra nga dirigjentet e koncertit, Lirjona Sylejmani.
“Po është jashtëzakonisht kënaqësi për shkak që në Prishtinë sigurisht jemi mësuar të kemi vazhdimisht koncerte dhe në njëfarë mënyre publiku veçse është i mësuar me neve si Filharmoni dhe me programin tona kështu që po mundohemi me përshtatë një program që mos me qenë ndoshta shumë i vështirë dhe i pakapshëm për publikun që e dëgjon për herë të parë dhe për këtë arsye po mundohemi të kemi një program sa më të këndshëm dhe edhe ne po kënaqemi”.
Për qytetarët e Klinës, kjo eksperiencë ishte e mrekullueshme.
Edhe
Filharmonia shkëmben emocionet me Kamenicën në koncertin historik
“Po ishte një mbrëmje e mirë. Një koncert i mirë i muzikës klasike dhe unë u ndjeva shumë mirë edhe publiku ka qenë i mirë. Edhe orkestra frymore e Filharmonisë së Kosovës ka qenë e mrekullueshme”.
Sa i përket interpretimit nëpër qytete të vendit, koncertet e radhës do të jenë në Gjakovë, Pejë e Prizren.