EXPRESS

“Demë Dedë Boga” kthehet në Rugovën e shekullit të 17-të

Shkrimtari Binak Kelmendi me romanin “Demë Dedë Boga” ka larë një borxh. Është borxhi ndaj vetes. Kishte kohë që e mbante në vete një rrëfim të tillë, i bartur ndër breza tash e katër shekuj. Vepra, të cilën Botimet KOHA e sjell enkas për Panairin e Librit në Prishtinë, është përuruar të mërkurën.

Vetë titulli e zbulon menjëherë personazhin kryesor. Vjen si kronikë për historinë nëpër të cilën ka kaluar ana e Rugovës, rrëfyer nëpërmjet Demë Dedë Bogës. Kelmendi ka thënë se është përpjekur që nga tregimet të sjellë një pasqyrë të jetës në Bogë, prej nga e ka prejardhjen autori.

“Në këtë libër kam punuar intensivisht 18 muaj kohë pas kohe. Kthehu prapa, shkruaj, fshij, shto dhe mendoj që është pasqyrë e një jete në Bogë të Rugovës, atje nga i kam rrënjët unë që fillon me Demë Bogën në fakt emri i tij i vërtetë ka qenë Dedë e më vonë është bërë Demë. Këtë jetë jam përpjekur ta paraqes nëpërmjet kapitujve të ndryshëm të cilët Flaka i quajti mirë, tregime të ndara në 29 pjesë”.

Kohët e sundimit nga të huajt dhe përpjekjet pushtuesve për të ngulitur traditat dhe zakonet të tyre, e më pas edhe pasojat si ndërrimi i emrave të vendeve, feve, traditave, e sidomos emrave të njerëzve janë të përmbledhura në romanin e Kelmendit.

Dedë Cali ishte i pari nga Boga të konvertohej nga feja katolike në atë myslimane.

“Janë tregime që ndërlidhen njëra me tjetrën që tregojnë periudha të ndryshme të kohës, edhe para Dedë Calit përkatësisht Demë Bogës e edhe pas tij. Personazhe kryesore natyrisht janë Deda përkatësisht Dema dhe dy moshatarët e tij, të cilët edhe si fëmijë por edhe si të rritur i ndanë jeta e përkatësia përkatësisht disponimi për të qenë pjesë e një riti fetar”.

Flaka Surroi, botuese dhe redaktore e librit, ka thënë se nëpërmjet tregimeve brenda romanit, lexuesi do të njihet me doket, mitet, përrallat, rrëfimet, traditat, besëtytnitë, që të gjitha të bartura brez pas brezi, e që përshkruajnë jetën në Bogën e Pejës së shekullit të 17-të.

“Teksti është i shpërndarë në 29 njësi që thjesht do të mund të trajtoheshin edhe si tregime më vete. Por ato, të ndërlidhura me histori dhe rrjedhë logjike, e formojnë mozaikun e plotë të shndërruar në roman. Ideja e zhvillimit të të gjithë historisë nëpërmjet dy personazheve, Antropologut dhe Etnologut, që kanë të përbashkët familjen, të kaluarën dhe kureshtjen, është fantastike. Ata dy do ta marrin barrën e gërmimit, jo vetëm fizik, të së kaluarës”.

Surroi ka veçuar edhe sensin e humorin dhe përfshirjen e shkrimtarit në çastet më të papritura të dramës, e që, sipas sa,j një qasje e tillë i jep sharmë edhe më të madh romanit.

“Ky roman është një nga ata që nuk të lejon ta lëshosh prej dore. Ritmi të cilin e imponon Binaku është i një seriali në vazhdime, përfundimin e të cilit edhe mund ta parafytyrosh, por jo edhe përherë t’ia qëllosh. Me një gjuhë jashtëzakonisht të pasur shqipe, me një numër të pafund fjalësh të kombinuara me domethënie shumë përshkruese, Binaku me lehtësinë më të madhe i qaset edhe të folmes së trevës, për t’i dhënë edhe më shumë shije rrëfimit. Me këto kalime bën sikur të të bartë prej një epoke në tjetrën dhe jo vetëm virtualisht”.

Binak Kelmendi shquhet për vepra që kanë për bazë historinë, legjendat e rrëfimet që janë bartur si gojëdhëna. “Demë Dedë Boga” është romani i pestë i tij, që vjen pas romaneve “Vezët e vdekjes”, “Guri i vashës”, “Portat e Pejës”, që më 2024 mori shpërblimin “Rexhai Surroi” dhe “Rruga 66”. Ka botuar edhe përmbledhje me tregime dhe njihet edhe si përkthyes i veprave të njohura nga frëngjishtja. Ka punuar gazetar e redaktor në “Rilindje”, “Zëri” e KOHA dhe është kryetar i PEN-Qendrës së Kosovës.