EXPRESS

Bluza me portretet e grave që kanë bërë historinë

Portretet e grave shqiptare që kanë lënë gjurmë në histori, Era Selmanaj i ka vendosur në bluza që mund të vishen në përditshmëri.

Studentja e dizajnit të modës në koleksionin e saj të parë ka bërë bashkë përvojën e saj hulumtuese dhe kreativitetin në fushën e modës. Sipas saj, kontributi i grave shqiptare shpesh është neglizhuar, andaj figurën e saj ka dashur ta bëjë sa më të pranishme.

"Ideja ka lindur shumë spontanisht për të bërë diçka që vishet çdo ditë. Ekzistojnë shumë dizajnerë të rinj që po bëjnë veshje me motive kombëtare dhe mua më ka pëlqyer shumë kjo ide. Por e kam parë që mungojnë shumë figurat femrore dhe përfaqësimi i tyre. Gjithçka ka lindur duke hulumtuar për historinë e femres shqiptare. Kur flitet për historinë, femrat shqiptare shpesh janë nën hije andaj kam dashur t’i rikujtoj përmes një edicioni special të bluzave”, ka thënë ajo.

Në bluzat e dizajnuara nga Era Selmanaj janë të vendosura gjashtë figura të grave shqiptare dhe prapa tyre është i vendosur mbishkrimi që i personifikon ato. Përveç kësaj, lulet të cilat rrethojnë portretin e tyre kanë një domethënie tjetër të veçantë. Era tregon se përse i ka zgjedhur pikërisht këto gjashtë gra dhe çfarë kuptimi kanë ato për të.

“Në ilustrime i kam vendosur gjashtë figura të cilat janë të shoqëruara me lule. Në figurën e Marigonës janë të vendosura lulëkuqet dhe disa nga virtytet që e përshkruajnë atë. E kam vendosur edhe Mbretëreshën Teutë – Mbretëreshën ikonike ilire, është edhe Donika Kastrioti, sepse jemi mësuar ta përmendim vetëm Gjergj Kastriotin dhe pa dyshim prapa tij ka qëndruar një grua stoike siç është Donika Kastrioti. Po ashtu është edhe figura e Dora d'Istria dhe u dedikohet të gjitha femrave që janë kreative, të guximshme, feministe. Këtu është edhe figura jonë emblematike “Shotë Galica” dhe mbretëresha Gjeraldini”, ka shpjeguar Selmanaj.

Selmanaj do të vazhdojë të hulumtojë për më shumë gra të tilla për t’i bërë ato pjesë të bluzave. Por ajo nuk e ka ndërmend të ndalet vetëm te bluzat, por edhe në veshje të tjera të përditshme.

“Besoj që duhet të largohemi nga koncepti që disenjatorët të bëjnë vetëm fustane të dasmave. Ideja është për ta bërë një brend shqiptar, që përpos figurave tona ka më përmbajtë edhe koncepte të tjera të fushës së artit. Besoj që ne disenjatorët e rinj mund edhe ta edukojmë klientelen, sepse veshja nuk është vetëm që të dukem mirë por edhe ta përfaqësoj karakterin dhe identitetin e secilit”, ka thënë tutje disenjatorja e re.

Bluzat e dizajnuara nga Era Selmanaj ndodhen në dyqanin “A&M”, që ndodhet në qendër të Prishtinës.