Portretet e figurave të grave në qendrën kulturore “Barabar” janë të thjeshta. Subjekti është në qendër, prapavija është e turbullt. Qëndrimi i tyre shfaq vetëbesimin e palëkundur përballë sfidave. Janë protagonistet e ekspozitës “Gratë udhëheqëse në fokus” të kuruar nga Eliza Hoxha, me fotografitë e shkrepura nga Arben Llapashtica.
Ekspozita vjen si retrospektivë e asaj të prillit të këtij viti kur dhjetë figura u shfaqën në ekranet e shpërndara nëpër hapësirë. Kësaj here, të martën mbrëma, ekspozita zgjerohet. Dhjetë figurave paraprake u shtohen edhe dhjetë të tjera.
Në to bartet rrëfimi për sfidat që i kanë përcjellë në rrugëtimin e tyre profesional. Sërish fotografitë bartin mesazhet e këtyre grave në shiritat e verdhë. Vijnë si simbol i lidershipit. Në këtë koncept është zhvilluar ekspozita e organizatës “Integra”.
Figurat si Atifete Jahjaga, Zake Prelvukaj, Gjyljeta Mushkolaj, Shukrije Markoviq, Kaqusha Jashari, Feride Rushiti, Edita Tahiri, Fahrije Hoti, Mimoza Gavrani, Ramize Shala, Jeta Xharra, Teuta Sahatqija, Gordana Gjoriq, Mirjeta Qehaja, Urma Menekshe, Majlinda Kelmendi e Hiljminjeta Apuk, midis tjerash, vijnë nga fusha të ndryshme. Por, jo vetëm. Element tjetër është gjithëpërfshirja sa i përket përkatësisë etnike.
Kuratorja e ekspozitës, Eliza Hoxha, ka thënë se ekspozita paraqet rrugëtimin e grave të vendit që, siç ka thënë, nuk ka qenë i lehtë.
“Pavarësisht sukseseve që kanë pasur, kanë mbetur në hije për shkak të dinamikave politike e historike dhe profesionale. Por unë gëzohem që sot u rikthehemi profileve të shumta që jo gjithmonë e kanë dritën e duhur dhe madje jo rastësisht. Ato përderisa janë në mesin tonë, ne duhet të jemi pranë tyre të ndriçohemi nga puna e tyre, angazhimi, përvoja e tyre”, ka thënë Hoxha.
Të njëzet gratë që kanë portretet e ekspozuara i ka konsideruar si pishtarë për vajzat e reja.
“Sot i festojmë 20 gra të profileve të ndryshme të cilat kanë dëshmuar që përtej sfidave të shumta që kanë pasur në rrugëtimin e tyre profesional dhe personal, ato ia kanë dalë. Kanë ndriçuar për veten dhe për Kosovën. Sot ndriçojnë për ne dhe do të vazhdojnë të jenë pishtarë për vajza të reja”, ka thënë Hoxha, kuratore e ekspozitës “Gratë udhëheqëse në fokus”.
Ngjarja përkon me nismën “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”. Me të e ka ndërlidhur Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm të Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), Caroline Ziadeh.
“Kjo kampanjë – ’16 Ditët e Aktivizmit’ – feston gruan dhe arritjet e tyre. Gruaja është ndërtuese e paqes dhe e së ardhmes. Shumë herë kampanjat rrisin ndërgjegjësimin për gruan duke trajtuar viktimat, dobësitë e gruas. Sot po i sjellim të gjitha ato të forta. Sot festojmë kalimin e tyre nga të qenët viktimë në festë. Gratë sot janë këtu dhe ne duhet ta transformojmë dhimbjen e tyre në forcë”, ka thënë Ziadeh.
Bashkë me ekspozitën, paneli me diplomaten Edita Tahiri, juristen Gjyljeta Mushkolaj dhe artisten Mirjeta Qehaja, moderuar nga gazetarja Aulonë Kadriu, ka sjellë një lloj vështrimi për pozitën e gruas në shoqëri.
Tahiri ka thënë se diskriminimi më i madh ndaj grave vjen prej pushtetit.
“Në parlament burrat janë zemërgjerë, na japin 40 për qind, por në pushtet, në qeveri, në parti politike, të gjithë liderët janë burra, s’ka gati gra lidere. Pushtetin duhet ta kenë burrat dhe kur ata janë liderë partish, bëhen bosat e grave”, ka thënë Tahiri.
Sipas saj, është e nevojshme që gratë të fuqizohen politikisht edhe më shumë.
“Ne gratë duhet të fuqizohemi politikisht, duhet të gjejmë rrugën nëpër partitë politike dhe kur them ne gratë, së pari duhet ne. Nëse presim nga burrat, nuk vjen me sinqeritet përkrahja”, ka thënë ajo më tej.
Gjyljeta Mushkolaj, profesoreshë në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës, ka thënë se në ngjarje të ndryshme Kosovën e prezantonin vetëm burrat, porse gratë nuk hiqnin dorë duke u bashkuar në ngjarjet ku ekspertë të huaj vinin në Kosovë.
“Në takimet që i organizonin ekspertët e atëhershëm të Vjenës kur shkonin tanët atje, ishte vetëm një klub i burrave e kur ata vinin në Prishtinë dhe takoheshin edhe me gra eksperte, pak habiteshin se si është e mundur që gratë megjithatë ishin të përfshira edhe pse i kishin lënë anash. Por ajo çfarë ndodhi në fund ishte kur u dorëzua propozimi gjithëpërfshirës. Aty kishte segmente tejet të rëndësishme të të arriturave më të mëdha të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Aty ishte e përcaktuar pjesëmarrja e grave në komisione kushtetuese, ishin edhe elementet të cilat duhet të inkorporoheshin në Kushtetutën e Kosovës”, ka thënë ajo.
Ka përmendur faktin se edhe në atë kohë ekzistonin mekanizmat që sot rregullojnë çështjen e barazisë gjinore.
“Përmes shoqërisë civile, meqenëse politikanët i shtrëngonin dhëmbët për burra, atëherë shoqëria civile dhe kanalet e saj ishin ato që mundësuan respektimin e obligimeve. Obligime që nuk guxojnë të refuzohen që në komision kushtetues të kishte gra. Kishte mekanizma që kemi sot e që është e arritur shumë e madhe si Ligji për Barazi Gjinore dhe mekanizmat që vijnë nga Kushtetuta e Kosovës, nismat nga aktiviteti shumëvjeçar paraprak i organizatave të grave”, ka thënë Mushkolaj.
Si juriste, ka thënë se sot vështirësitë e depërtimit të grave në të gjitha fushat i sheh në zbatimin e legjislacionit.
“Ne nuk e kemi vigjilencën e duhur që ta kuptojmë që secili ligj, qoftë edhe ai procedural, duhet të zbatohet si ligj në kuptimin e ligjit si legjislacion. Asnjë ligj nuk mund të zbatohet pa zbatimin e Ligjit për Barazi Gjinore. Sa për gratë në politikë, e kam një vërejtje shumë substanciale. Për të mirën e të gjitha grave, duhet të kujdesen që pos kuotave të kemi ligj për regjistrim dhe veprim të partive politike”, ka thënë juristja Mushkolaj.
Artistja Mirjeta Qehaja ka thënë se dallimet e paragjykimet ekzistojnë edhe në fushën e artit.
“Kur kam filluar të shoqërohem me formacione të ndryshme të artistëve, kam kuptuar që edhe midis artistësh ka dallime gjinore, diçka që unë nuk e kam besuar më herët. Kam dëgjuar se ende flitet se ‘cila prej vajzave a grave pikturon më mirë, sepse për djemtë nuk diskutohet’. Kjo më ka lënë shumë përshtypje, por prapë mund të them se unë nuk jam ajo që i përthith këto informata. Unë patjetër se kam vazhduar që me artin tim, pikërisht pikturat dhe muralet e mia të ndërlidhen me shoqërinë civile”, ka thënë ajo.
Ekspozita “Gratë udhëheqëse në fokus” veçse vlerësohet si edicion i dytë i ngjarjes. Është bërë e ditur se ajo do të jetë tanimë tradicionale. Dëshmon se lidershipi është njëra formë e thyerjes së barrierave. Dhe ky është art më vete.