Me një synim të qartë dokumentimin e veshjeve popullore të Kosovës, tri antropologe, Arbnora Kolgjeraj-Rexhaj, Miridonë Syla e Rilinda Gjonbalaj nën mentorimin e Arsim Canollit nga Departamenti i Antropologjisë në Universitetin e Prishtinës u hynë rajoneve të Kosovës cep më cep duke eksploruar arkat e familjeve të mbuluara nga pluhuri i dekadave.
Ky ekip solli vëmendjen te veshjet popullore tradicionale, me një projekt që zgjati me punë në terren për gjashtë muaj duke depërtuar në thellësitë e trashëgimisë shpirtërore e materiale të Kosovës. Përmes hulumtimit ata arritën të nxjerrin në pah rrëfime e simbolika të fshehura nën fibrat e këtyre veshjeve, të cilat bartin më vete rëndësi kulturore të pakontestueshme që e formësojnë identitetin e vendit. Duke përdorur një kombinim të intervistave të gjysmëstrukturuara, konsultimit të literaturës ekzistuese mbi veshjet popullore të Kosovës, pamjeve magjepsëse dhe një hulumtim të thelluar u shpalosën gjetjet e tyre për të pranishmit në këtë prezantim në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës.
“Kjo punë paraqet rëndësinë që ka bashkëpunimi i studentëve dhe profesorëve, të cilën do ta quaja edhe si shtyllë të rëndësishme të komunikimit ndërbreznor”, ka thënë udhëheqësi i Departamentit të Antropologjisë, Tahir Latifi. Po ashtu ka inkurajuar iniciativa të tilla.
Etnologia Arbnora Kolgjeraj-Rexhaj, dikur studente në Departamentin e Antropologjisë, ka folur për inspirimin prapa inicimit të këtij projekti.
“Pavarësisht të dhënave të mjaftueshme dhe shkrimeve rreth veshjeve tradicionale të Kosovës, nuk kemi hasur në diçka e cila ka shërbyer si përmbledhje e të gjitha rajoneve. Andaj ka lindur qëllimi që me fillu me pa se çfarë ka mbete, duke i shpalosë të gjitha arkat që ndodhen në shtëpitë tona, në të gjitha rajonet e Kosovës”, ka rrëfyer ajo.
Ekipi nisi punën në terren në muajin qershor duke bërë ndarjen e krahinave dhe fshatrave për secilën nga tri hulumtueset, veçmas e bashkërisht duke realizuar intervista e duke fotografuar detajisht çdo veshje që e hasën.
Fokusi kryesor qe në familjet dhe veshjet e tyre si trashëgimi familjare, por në disa raste kur e kishin të vështirë të shërbeheshin me gjetje nga koleksionet e familjeve ato hulumtonin edhe në muze dhe koleksione private, si për t’i plotësuar copëzat që mungonin.
Të dhënat tregojnë se janë 1.745 njësi të veshjeve tradicionale të Kosovës. Ato u kërkuan në 7 rajone, 53 fshatra e qytete, 5 ansamble, 12 koleksione private e 9 muze publikë. Nga i gjithë ky intensitet i lartë pune mes vizitash të shumta dolën dhe shumë fotografi. Janë 7.000 sosh, të cilat paraqesin vëllimin e kësaj pune dokumentuese, për të cilën sipas hulumtueseve ka plane konkrete rreth konkretizimit të këtij hulumtimi nëpërmjet një katalogu.
Sfidat e këtij projekti nuk qenë të pakta. Periudha e pasluftës në Kosovë nga hulumtueset u cilësua si një kohë në të cilën krejt pamëshirshëm ishin cenuar ekzistenca dhe ruajtja e veshjeve të vjetra nisur nga ndërgjegjësimi i ulët rreth ruajtjes dhe kuptimit të rëndësisë së tyre.
“Lufta e fundit ka dëmtuar goxha shumë veshjet, sidomos nëpër fshatra, mirëpo edhe pas luftës shumë familje kanë konsideruar se ato nuk janë të rëndësishme dhe janë hedhur”, ka shtuar Kolgjeraj-Rexhaj, duke thënë se me hedhjen e atyre janë zhdukur dhe copëza historie.
Sfidë tjetër rezulton të jetë edhe identifikimi i duhur i veshjeve në koleksionet private dhe ato muzeale, pasi që, sipas tyre, ka pasur informacione të kufizuara dhe si rezultat i kësaj ishte e vështirë të kuptoheshin konteksti historik dhe detajet e tjera të veshjes.
Miridonë Syla, hulumtuese në projekt, me të pranishmit ndau disa detaje rreth intervistave të realizuara me disa nga zonjat e moshuara, të cilat ato i kanë intervistuar rreth veshjeve dhe punimit të tyre. Ky element e ngjyros këtë hulumtim dhe me rrëfime të cilat fuqizojnë aspektin e kujtesës, përmes intervistimit të subjekteve të moshuara ato u ofrojnë atyre një hapësirë e cila shërben dhe si thirrje për vetëdijesim.
“Ne jemi mundu që sa më parë me arritë me dokumentu historinë e këtyre veshjeve përmes rrëfimeve, sepse duke u nisë nga fakti se subjektet tona shumë të moshuara kanë qenë rrezik që shumë të dhëna me humb bashkë me to”, ka thënë Syla.
Ajo foli edhe për nevojën evidente të trajtimit më delikat të temës rreth veshjes dhe ruajtjes së tyre. “Unë shpresoj që përmes punës sonë në të ardhmen të kuptohet se çka në të vërtetë është dallimi mes tradicionales dhe këtyre intervenimeve të fundit në veshje. Neve na dhemb që po ndryshon veshja e Hasit ose e Dukagjinit, por prapëseprapë secila e ka veçantinë e vet dhe nuk mund t’i mohojmë ndryshimet që u jepen”, ka thënë ajo.
Pjesë tjetër e hulumtimit pa dyshim që ishte edhe përfshirja e komuniteteve të tjera që jetojnë në Kosovë krahas shqiptarëve. Ato arritën që përmes punës së tyre të dokumentojnë edhe njësi të veshjeve popullore nga radhët e komunitetit kroat, boshnjak, serb e terbesh, ndërsa synojnë që tutje të përfshijnë edhe komunitetet e tjera që jetojnë në Kosovë për ta pasuruar këtë element të projektit.
“Ne kemi arritë me pa se sa shumë ruhen veshjet nëpër këto komunitete, ato përveçse ruhen me fanatizëm edhe po rikrijohen”, ka thënë Rilinda Gjonbalaj, hulumtuese në projekt, duke shtuar se çdo ditë e më shumë për shkak të tregut dhe shijeve personale këto rikrijime të veshjeve popullore po shkojnë duke u bërë traditë.
U ndanë edhe gjetje rreth tipologjisë së veshjeve dhe dallimit të tyre kundrejt influencave të reja. Gjonbalaj ilustroi me shembull këtë praktikë të re me veshjen e Hasit, atë tradicionalen dhe një fotografi të bërë rishtazi të një nuseje, e cila mban veshur një veshje hasjane të riprodhuar me motive e ngjyra larg tradicionales.
“Ne jemi munduar që të sjellim fazën e fundit pa u transformuar veshjet totalisht, të sjellim një pasqyrë se si kanë qenë dikur dhe se si po vishen tani duke parë se nuk ka shkëputje, por paraqitet si një tranzicion i kalueshëm, sepse nëse nuk arrijmë ta kapim këtë ndryshim duke e dokumentuar, do të përjetojmë një shkëputje të evoluimit të veshjeve”, ka shtuar Gjonbalaj, duke treguar edhe për gjetje të veshjeve të burrave, por në numër më të vogël njësish, si praktikë e rrallë e ruajtjes së veshjeve të burrave.
Profesori Arsim Canolli si mentor i këtij projekti u shpreh se kjo iniciativë, e cila synon dokumentimin dhe katalogimin e veshjeve popullore të të gjithë Kosovës është një punë e cila do të vazhdojë.
“Këto janë vetëm disa dromca të vogla të gjetjeve të para dhe ende duhet studiuar e analizuar, sepse vetë fakti se janë bërë 7.000 fotografi, vetëm të analizohen ato duhet kohë e gjatë”, ka thënë ai. Ka përmendur kontributin e etnologëve e studiuesve të folklorit në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni të Veriut mbi veshjet popullore shqiptare, të cilët i vlerësoi si një korpus ekzistues, i cili mundëson njohje më të shumtë me këtë anë të trashëgimisë.
“Veshja nuk është më vetëm një objekt i cili interpretohet si survivancë nga lashtësia, ne duhet të shohim se çka po ndodh me trashëgimin e veshjes popullore, tendencën e përfshirjes së saj në komercializëm, turizëm e si objektifikim gjinor”, shtoi ai duke theksuar rëndësinë në shtrirjen e diskutimeve dhe studimeve rreth veshjeve përtej larushisë së tyre në tipologji, por edhe në aspekte të tjera përcjellëse, të cilat ndërtojnë narrativa të reja që u ndihmojnë dokumentimit dhe njohjes së të kaluarës.
Përmbyllja e këtij udhëtimi të pasur në botën e veshjeve popullore të Kosovës u shënua me prezantimin e një videoje që paraqet esencën e projektit.
Në këtë krijim audiovizual, shikuesit patën rastin të shohin diçka nga ajo që u tha duke filluar nga rrëfimet interesante të subjekteve të intervistuara e deri te detajet nga procesi i punës së ekipit dhe natyrisht veshjet dhe arkivat e pasura të cilat i kanë gjetur.
Folegj: Duke përdorur një kombinim të intervistave të gjysmëstrukturuara, konsultimit të literaturës ekzistuese mbi veshjet popullore të Kosovës, pamjeve magjepsëse dhe një hulumtim të thelluar u shpalosën gjetjet e hulumtueseve të veshjeve popullore në kuadër të projektit “Veshjet popullore të Kosovës”