Kurrë më shumë nuk kishin qëndruar aq afër me njëri-tjetrin. Izolimi për shkak të pandemisë i obligoi të qëndrojnë në shtëpi, gjë që ua nxiti nevojën që të realizojnë diçka kreative.
Kështu ata filluan të interpretojnë së bashku duke nxjerrë performanca të veçanta nga shtëpia.
Agron Shujaku, pianist i njohur në Kosovë së bashku me djemtë Fisin e Orgesin, veçse e ndoqën këtë rutinë për t’u mbledhur e për të bërë muzikë bashkë në një dhomë.
“Fillimisht kam menduar që më së largu një muaj do t’i kthehemi normalitetit. Pas një muaji u pa që normaliteti është larg, i pashë njerëzit online që vazhdimisht bënin aktivitete. Fillimisht ideja ishte e gruas dhe vendosëm. Meqë i kishim tupanët, pianon dhe unë kam ekspertizë për këto këngë. E realizuam këngën e parë të përbashkët “Era” dhe u pëlqej njerëzve që na kanë njohur. Nuk e kemi idenë që ta bëjmë një bend familjar, por ka qenë një shprehje e asaj dhe kemi filluar ta marrim ndonjë këngë”, ka treguar pianisti.
Shujaku, i cili është profesor i pianos, thotë se të interpretuarit me familjen bën që disiplina e punës të mos jetë aq strikte.
“Është problem të bashkëpunosh me fëmijët. Bashkëpunimi jo vetëm me fëmijët, por me familjarët në përgjithësi është i vështirë e sidomos me fëmijët, sepse nuk të dëgjojnë ndonjëherë, nuk duan të mësojnë diçka. Kur është autoriteti, është më ndryshe”, ka treguar Agron Shujaku.
Orges Shujaku sapo zgjedh një këngë që e bind për ta interpretuar, ua plason idenë vëllait dhe babit.
“Fillimisht kam qenë pjesë e korit të komunës së udhëhequr nga Diellza Sylejmani. Kemi qenë një numër goxha i madh i pjesëmarrësve, kurse në shtëpi ka qenë më lehtë, sepse jemi më pak njerëz dhe kemi mundësi t’i përsërisim”, ka thënë Orgesi.
11-vjeçari Fis Shujaku pasionin që ka për bateritë po e shfrytëzon duke përcjellë babanë e vëllain gjatë interpretimit. Gjatë lojës përpiqet të jetë shumë i saktë dhe ta përcjellë me intensitet ritmin e këngës.
“Unë kam filluar pianon që kur isha 5 vjeç, por kur i kam pasur 8 e kam lënë sepse nuk më ka interesuar aq shumë. Kam filluar me bateri, sepse më ka interesuar si ne e mbajmë ritmin gjatë gjithë këngës”, ka thënë 11-vjecari Fis Shujaku.
Bendi i familjes Shujaku planifikon që të ndjekë dëshirat e anëtarëve të vet, që të sjell versionin e tyre të këngëve që ata pëlqejnë.