Ka diçka poetike në “Autostrada Biennale”. Të paktën për aq sa dëshmon se imazhet zhduken, por kujtimet mbesin. Arti bashkëkohor lë shenja në rrugët e objektet e qytetit historik. Se të gjitha imazhet do të zhduken një ditë, siç është tema e edicionit të sivjetmë, befas ka qenë dëshmi e trishtë të shtunën, 24 orë pas hapjes zyrtare. Imazhi i objektit ku një prej veprave ka qenë e vendosur veçse ishte zhdukur. Po ky është vetëm një kapitull i “Autostradës...”
Artistë e vizitorë kanë dalë në një lloj ekspedite artistike në veprat e 35 artistëve e grupeve pjesëmarrëse.
Vepra “Playtime” e kolektivit “School of Mutants”, që përbëhet prej artistëve të shteteve si Senegali, Franca Tajvani, Anglia dhe jo vetëm, është instalacioni lëvizës me shumë ngjyra e me forma tejet interesante.
Zbavitja me muzikë tek ato që njihen si “Hangarë” i ka paraprirë shëtitjes nëpër kamp.
“Vepra është një vegël eksperimentale pedagogjike për klasë, punëtori, lexim, aktivitete. Mundohet të shkojë përtej të diturit dhe të mosditurit. Është kënaqësi të bësh aktivitet sot, të dëgjosh muzikë”, deklaroi Verlet Bottéro.
Prej aty eksplorimi artistik ka vazhduar në kafe-galerinë “Vatra”. Do të hapej nga juristi Adnan Abrashi në vitin 1991, për të vazhduar aktivitetin deri në vitin 1997. I ndjeri, ndonëse me rrugë krejt të kundërta prej artit, do ta hapte si nevojë për hapësirë për aktivitete në kohën kur krejt ishin mbyllur prej regjimit të ish-Jugosllavisë.
Do ta përgëzonte me emrin e së bijës, njëra prej organizatoreve të “Autostrada Biennale”, Vatra Abrashi, e cila është parë jashtëzakonisht e emocionuar gjatë vizitës aty.
“Kam përjetuar emocione të fuqishme, pasi babi Adnan Abrashi nuk jeton më. Pasi që ky edicion synon edhe arkivat kulturore, galeria ‘Vatra’ ka qenë galeria e parë private në Prizren, e cila është hapur nga babi si shkak i nevojës për ta festuar jetën kulturore në vend. Dihet që në vitet ‘90 gjithçka është mbyllur si pasojë e regjimit dhe artistët nuk kanë pasur ku ta shpalosin punën, ku t’i mbajnë aktivitetet e tyre, kështu që babi edhe pse nuk ka qenë artist, ka qenë jurist dhe aktivist, e ka dashur dhe vlerësuar jashtëzakonisht artin”.
Prej krejt ngjarjeve, temës “Të gjitha imazhet do të zhduken një ditë” i është përgjigjur më së miri njëra prej veprave. Ajo e artistes turke, Gözde Ilkin. Vepra “Bimët shoqëruese, gurë besnikë” e punuar në pëlhurë, me shumë ngjyra ishte vendosur në njërën prej mureve të njërës nga shtëpitë në rrugën “Tahir Meha”.
Grupi prej dhjetëra personash është shokuar kur në vend të veprës ka gjetur një ekskavator që veçse kishte hequr çdo shenjë prej shtëpisë, bashkë me veprën.
“Kjo është dëshmi se këto imazhe do të zhduken dhe se si njeriu nuk mund të kontrollojë lokacionet ku jeton nganjëherë bëhet më e dukshme. Kështu që sot për ne hapësira boshe e këtij objekti nënkupton dhe thotë shumë për shkak se ato të paktën shpëtuan për më shumë se 24 orë”, tha Övül Durmuşoğlu.
Artistja Gözde Ilkin nuk ka dashur ta komentojë ngjarjen.
“Nuk dua ta ndërlidh procesin me dy koncepte të tjera. Kështu ka ndodhur dhe jam shumë falënderuese për të ndarë punën time me ju”.
“Didarja” ka qenë tjetër rrëfim domethënës në “Autostrada Biennale”. Artistja serbe Darinka Pop-Mitiq ia ka kushtuar mësueses Didare Dukagjini, të cilën e ka paraqitur si heroinë të emancipimit të gruas. Gurë të vegjël të pikturuar, çarje muresh vijnë si artefakte të vërteta të arsimit shqip.
Më se e veçantë ka qenë edhe ajo që artistja Neda Saeedi e ka quajtur “Në thellësinë e natës qielli sheh diellin?”. Vepra me shpezë të zinj, të veshur me plot ngjyra që vijnë si reflektim drite mbi flatrat e tyre ka zënë vend në qendër të qytetit. Në formë rrethore dhe prej qelqi, vjen si njëfarë perspektive që fokusin e ka mu në qendër, në atë që artistja e kuratorët i janë referuar si sy i qytetit.
Sipas Neda Saeedit, vepra korrespondon me njerëzit në Kosovë, të cilët migrojnë, por njëkohësisht kanë lidhje të forta me vendin e tyre.
“Pastaj gjeta se ‘Kosovë’ në fakt do të thotë ‘vendi i zogjve të zinj’. E në hulumtim kam parë se zogjtë e zinj emigrojnë, por veç në kohë të vështira, dhe kthehen prapë. Kjo për mua ishte shumë frymëzuese dhe thashë se ndoshta mund të bëj diçka për t’i tërhequr të kthehen”.
Sikurse vjen nga tema, edhe kuratoret e edicionit të sivjetmë kanë vlerësuar se krejt ngjarjet kanë të bëjnë me imazhet që do të zhduken një ditë.
“Ne e përkthejmë në atë momentin që shihni diçka shumë të bukur. Por,, kjo është veç një instancë, sepse kur i prekni këto imazhe zhduken. Kjo për ne është bërë një lloj shprese, por edhe pjesë e një lloj padukshmërie”, Joanna Warsza.
Në ceremoninë solemne të hapjes arti u vlerësua si mënyrë e mbijetesës, ndërsa ngjarja si Bienale e rezistencës dhe rikuperimit prej pandemisë. Në të tilla rrethana qe zhvilluar edicionin e kaluar, dy vjet më parë.
Organizatori Leutrim Fishekçiu ka shpalosur prapaskenat e organizimit që prej përgatitjes së hapësirës që ushtron veprimtarinë e deri te zbulimi i veprave që janë shfaqur e që do të prezantohen ditëve në vijim.
“Kjo qasje jonë e ekspozitës është që ta sjellim artin te njerëzit, jo njerëzit tek arti. Prandaj e kemi këtë galeri, kemi hapësirë e cila prodhon dhe i shqyrton të gjitha veprat e qytetit të Prizrenit dhe tani në Mitrovicë dhe Prishtinë po ashtu”.
Organizatori tjetër Barish Karamuço ka thënë se nëpërmjet ngjarjes arti vjen një hap më pranë publikut dhe me mesazh të qartë për shoqërinë.
“Procesi, lidhjet me artistët, me komunitetin, ajo po na dërgon në një pikë se ne e duam më shumë vendin dhe njerëzit synojmë t’i lidhim me qytetin me këtë kontribut. Në përgjithësi Kosova ka një problem imigrimi dhe me programet tona pak a shumë duam të mbajmë komunitetin këtu dhe të bashkëpunojmë me ta”.
Tre hangarët e NATO-s në Prizren të kthyer në hapësira të artit bashkëkohor janë një vend ku zbërthehen tema të ndryshme.
Selma Selman merret me paragjykimet. Janë pesë portrete grash në pjesë veturash. Gratë janë nga Peja.
“Këto fotografi janë të bazuara në fotografitë e shkrepura në vitin 1999. Paraqesin dasmat e para pas luftës. Ju i shihni ato në piktura me një qëndrim shumë mbretëror, por nuk e dini pjesën tjetër të historisë”.
Në “Autostrada Biennale” vjen edhe ringjallje e muzeve të Ukrainës. Është njëra prej veprave të para me të cilën takohet publiku. Kolektivi “Open Group” të artistëve ukrainas, Yuriy Biley, Pavlo Kovov dhe Anton Varga, ofrojnë vizitën imagjinare në tre muze të shkatërruar nga invazioni rus. Në hapësirën prej betoni para “Autostrada Hangar” shpalosen planimetritë e tyre. U ngjajnë pikërisht planeve arkitekturore, por vepra është ftesë për të vizituar Muzeun Kombëtar të Letërsisë në Kharkiv, Muzeun Historik Ivankiv në Kiev dhe Muzeun Historik Lokal të Komunës Okhtyrka.
Artisti Anton Varga ka thënë se vepra e tyre është dedikim për 15 muzetë e shkatërruar krejtësisht dhe të tjerëve të prekur nga pasojat e luftës.
“Që nga pushtimi janë rreth 15 muze të shkatërruar keq, dy janë të okupuar, ndërsa një është boshatisur, eksponatet janë vjedhur. Sigurisht se punimi në vepër ka qenë sfidues, por edhe shumë interesante. Ka plot histori në ato hapësira në të cilat punon me kujtimet pas luftës, sheh rezultatin e pasojave. Në një formë është mirë të shohësh procesin e shërimit, si njerëzit hynë në atë situatë”.
Shenjat e këtij lloj arti janë edhe nëpër rrugë e në hapësira kulturore të qytetit të Prizrenit, sikurse në Prishtinë, në ish-Fabrikën e Tullave.
Aty të dielën janë inauguruar “Fushat e Lulediellit” e artistes Agnes Denes dhe vepra “Kush flet nga pluhuri, kush sheh nga deltina” e Hera Büyüktaşcıyanc. Po atë ditë në Mitrovicë është rikthyer vepra e viteve ’70, një skulpturë antifashiste e zhdukur nga sheshi qendror në vitin 2010 e që njihej si “Barazia, puna dhe arsimi” . Artisti Alban Muja e ka rikthyer monumentin me “Monumenti në lëvizje–kthimi prapa, 2021-23”.
Shenjat e “Autostrada Biennale” do të jenë në Prizren, Prishtinë e Mitrovicë deri në shtator. Deri atëherë ndoshta imazhet mund të zhduken. Por, kujtimet do të mbesin.