Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
EXPRESS

69 minuta me 86 ditët e emigrantëve

Duke lënë prapa një jetë të tërë në kaos që ndihet në atmosferë, familja siriane merr rrugën e emigrimit për në Suedi.

Kështu nis filmi, i cili në 71 minuta ndjek refugjatët në rrugët sfiduese e të pasigurta. Filmi vjen nga këndvështrimi i një personi të dytë, i cili i përcjell bisedat e emigrantëve, shprehjet e fytyrës që tregojnë shqetësim. Kjo bën që shikuesi të ndihet sikur të jetë pjesë e atyre turmave me njerëz që kanë cak një tjetër vend larg atdheut.

Lea është 3-vjeçarja gazmore, e cila në mes të filmit kthehet në personazh kryesor. Ky film e shënoi fillimin e programit “Jeta nëpërmjet syve të rinj” në kinemanë “Armata”.

“Sonte në kino ‘Armata’ është hapur program “Life through young eyes”, (Jeta nëpërmjet syve të rinj). Ky program është krijuar specifikisht si tematikë për t’i trajtuar të rinjtë, çështjet e tyre, problemet e tyre dhe mënyrën se si ata e shohin shoqërinë. Filmi i cili është zgjedhur sonte është bërë nga një norvegjez, Egil Larsen. Është film i 2017-s. Filmi ndjek disa refugjatë, të cilët kalojnë nga një port në Greqi dhe marrin një rrugë me shumë sfida nga treni në tren, në një rrugë shumë të mundimshme për të mbërri në Suedi, në kërkim të një jetë më të mirë. Fokusi i filmit është te një 3-vjeçare, Lean, dhe përmes saj tregohet edhe historia e emigrantëve”.

Çështja e emigrantëve u pa si e domosdoshme të diskutohet dhe adresohet nëpërmjet filmit në kino “Armata”.

Edhe “Gurbeqars: the non migrants” me lëvizjet ciklike të migrantëve Kulturë 2 muaj më parë “Gurbeqars: the non migrants” me lëvizjet ciklike të migrantëve

E ky program, sipas Eranda Bokshit, përgjegjëse për programet në kino “Armatë”, do të vazhdojë me filmin “Selfie”, i cili nuk e ka një regjisor, por disa të rinj italianë që me telefonat e tyre sjellin copëza të jetës në Napoli.

“Po mendojmë se çështja e emigrantëve është shumë e rëndësishme për të cilën ka pasur shumë opinione e kriza kontraverse. Duke e parë se çfarë po ndodh së fundi nëpër botë, është film që shumë mirë e qet në pah problemin e emigracionit.”

“Filmi i cili vazhdon me tematikën e të rinjve është “Selfie”. Është një film italian, i cili nuk ka regjisor specifik, por është i bërë nga disa të rinj me telefonat e tyre në mënyrë që të tregojnë se si është jeta e tyre në Napoli. Është film më i lehtë për t’u parë, po gjithsesi tregon shumë mirë jetën e të rinjve”.

Bokshi ka thënë se filma të këtij lloji nuk kanë audiencë të gjerë. Një film apo temë aktuale nxit diskutim e bashkë me të edhe kureshtjen e publikut. Megjithatë filmat që shfaqen në “Armata” vijnë në bazë të programeve të cilat qëllim e kanë edhe edukimin dhe informimin e audiencës për tema të caktuara.

“Kur është një temë pak më e rëndësishme ose pak më e ndjeshme sociale, është edhe interesimi më i madh. Vërejmë që njerëzit janë shumë kuriozë për të ditur se çfarë është duke ndodhur. Na vjen mirë që e shfrytëzojnë këtë si një mënyrë edukative nëpërmjet filmave. Sigurisht që kur ka ndonjë film më të njohur edhe shikueshmëria është më e madhe sesa një film që nuk është aq i popullarizuar”.

Edhe “Neo School” ndez ekranin me pesë projekte të kinematografëve të rinj Kulturë 4 muaj më parë “Neo School” ndez ekranin me pesë projekte të kinematografëve të rinj

“Zakonisht filmat në “Armata” janë të programuar me një temë specifike, pra nuk janë në mënyrë arbitrare shfaqjet e filmave. Ata çdoherë e kanë një qëllim pse shfaqen dhe ne mundohemi që të nxisim edhe debat pas shfaqjes së filmave në mënyrë që të shtjellojmë më shumë tema. Pas temës për të rinjtë tash e kemi temën për arkitekturën dhe besoj qe kjo do të jetë interesante”.

Më 25 shkurt në kino “Armata” vazhdon shënimi i 15-vjetorit të Pavarësisë me dy prej filmave më të suksesshëm prej pasluftës: “Pa vend” të Samir Karahodës dhe “Zgjoi” të Blerta Bashollit.