Kulturë

69 minuta hap pas hapi me fatin e emigrantëve

Në kinemanë “Armata” është hapur programi “Jeta nëpërmjet syve të rinj”. Ka qenë filmi “69 minutes of 86 days”, nën regji të Egil Larsen, që ka ndezur projektorin për tema si kjo. Në film fokusi është te Lean, 3-vjeçare siriane, e cila bashkë me familjen niset nga një port i Greqisë për në Suedi. Aty kërkojnë jetë më të mirë

Duke lënë prapa një jetë të tërë të mbërthyer prej kaosit, familja siriane merr rrugën e emigrimit për në Suedi. Kështu nis filmi, i cili në 69 minuta ndjek refugjatët në rrugët sfiduese e të pasigurta. Filmi vjen nga këndvështrimi i një personi të dytë, i cili i përcjell bisedat e emigrantëve, shprehjet e fytyrës që tregojnë shqetësim. Shikuesin e fut brenda turmave që kanë cak një tjetër vend larg atdheut. Çdonjëri personazh ka një pamje të ngrysur. Asnjëri nuk flet për situatën në të cilën ndodhet. Sikur s’duan ta pohojnë atë që po e përjetojnë.

Lean është 3-vjeçarja gazmore, e cila në mes të filmit kthehet në personazh kryesor. Qesh dhe vallëzon duke brohoritur se po shkojnë në Suedi dhe se atje do të punojnë. Në çaste që kalojnë brenda sekondave shpreh shqetësim, i cili largohet me një ftesë për lojë. Përpos buzëqeshjes së saj, në sekondat e fundit të 69 minutave shihen edhe ato të anëtarëve të tjerë të familjes kur mbërrijnë në Suedi.

Me “69 minutes of 86 days”, nën regji të Egil Larsen, u hap programi “Jeta nëpërmjet syve të rinj” në kinemanë “Armata”.

“’Life through young eyes’, (Jeta nëpërmjet syve të rinj) është krijuar specifikisht si tematikë për t’i trajtuar të rinjtë, çështjet e tyre, problemet e tyre dhe mënyrën se si ata e shohin shoqërinë. Filmi i cili është zgjedhur sonte është bërë nga një norvegjez, Egil Larsen. Është film i 2017-s. Filmi ndjek disa refugjatë, të cilët kalojnë nga një port në Greqi dhe marrin një rrugë me shumë sfida nga treni në tren, një rrugë shumë të mundimshme për të mbërritur në Suedi, në kërkim të një jete më të mirë. Fokusi i filmit është te një 3-vjeçare, Lean, dhe përmes saj tregohet edhe historia e emigrantëve”, ka thënë Eranda Bokshi, përgjegjëse për programet e filmave në kino “Armata”.

Çështja e emigrantëve u pa si e domosdoshme të diskutohet dhe të adresohet nëpërmjet filmit në kino “Armata”. Edhe pse shumë e diskutuar, Bokshi thotë se nuk mund të jetë temë e shterur pasi që është ende problem i pazgjidhur.

“Po mendojmë se çështja e emigrantëve është shumë e rëndësishme, për të cilën ka pasur shumë opinione e kriza kontroverse. Duke e parë se çfarë po ndodh së fundi nëpër botë, është film që shumë mirë e vë në pah problemin e emigracionit”, ka thënë ajo për temën të cilën e trajton filmi.

Programi ka vazhduar edhe të mërkurën mbrëma me filmin “Selfie”, i cili nuk e ka një regjisor. Janë disa të rinj italianë që me telefonat e tyre sjellin copëza të jetës në Napoli.

“Është një film italian, i cili nuk ka regjisor specifik, por është i bërë nga disa të rinj me telefonat e tyre në mënyrë që të tregojnë se si është jeta e tyre në Napoli. Është film më i lehtë për t’u parë, po gjithsesi e tregon shumë mirë jetën e të rinjve”, ka thënë Bokshi për filmin i cili është shfaqur në bashkëpunim me festivalin ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”.

Ndër të tjera ajo ka thënë se filma të këtij lloji nuk kanë audiencë të gjerë. Një film apo temë aktuale nxit diskutim, e bashkë me të edhe kureshtjen e publikut. Megjithatë, filmat që shfaqen në “Armata” vijnë në bazë të programeve të cilat qëllim kanë edhe edukimin dhe informimin e audiencës për tema të caktuara.

“Kur është një temë pak më e rëndësishme ose pak më e ndjeshme sociale, është edhe interesimi më i madh. Vërejmë që njerëzit janë shumë kuriozë për të ditur se çfarë është duke ndodhur. Na vjen mirë që e shfrytëzojnë këtë si një mënyrë edukative nëpërmjet filmave. Sigurisht që kur ka ndonjë film më të njohur edhe shikueshmëria është më e madhe sesa një film që nuk është aq i popullarizuar”, ka thënë ajo.

Më 25 shkurt në kino “Armata” do të vazhdojë shënimi i 15-vjetorit të Pavarësisë me dy prej filmave më të suksesshëm prej pasluftës: “Pa vend” të Samir Karahodës dhe “Zgjoi” të Blerta Bashollit.