EXPRESS

“Totem dhe tabu” me realitetin aktual si homazh për viktimat e pandemisë

Përmes lëvizjeve të trupit ata do të shtjellojnë histori që prekin tema të ndryshme. Kjo po i bën aktorët që të japin shumë nga vetja.

“Totem dhe Tabu” titullohet shfaqja e koreografit Robert Nuha, e bazuar në dramaturgjinë e Zana Hoxhës.

Shfaqja, e cila sjell një udhëtim në kohë, ndalet tek realiteti aktual. Nëpërmjet lëvizjeve të trupit e muzikës, rrëfimi vjen edhe si një homazh për ata që humbën jetën nga pandemia.

“Totem dhe tabu” sjell vallëzim bashkëkohor, i cili përshtatet me muzikë të vendeve të ndryshme.

“Është një shfaqje që prek shumë tema dhe situata që janë të përditshme. Trajton pandeminë, raportet njerëzore, raportet gjinore e të gjitha këto vijnë me gjuhën e trupit. Ka edhe raste kur fjala i qartëson disa gjëra abstrakte në aspektin e perceptimit. Provat po shkojnë mirë dhe ekipi është shumë i mirë”, ka treguar koreografi Nuha.

Zana Hoxha, e cila ka bërë dramaturgjinë e shfaqjes, ka thënë se ajo trajton tema universale, por që për bazë kanë jetesën në Kosovë.

“Ideja ka qenë t’i paraqesim disa gjëra siç janë dhuna, lidhja me natyrën por të gjitha këto në kontekstin e kohës ku jemi duke jetuar që është e ndikuar rëndë nga pandemia. Kjo do të bëhet me tekst minimal duke e përdorur gjuhën e trupit si një gjuhë universale. Shpresoj që publiku të marrë një përjetim të këtyre temave përmes perspektives së të jetuarit në Kosovë”, ka thënë Hoxha.

Përmes kësaj shfaqjeje publiku do të njoftohet për herë të parë me trupën artistike të pavarur të “Artpolisit”, e cila u themelua para dy muajsh. Sipas drejtoreshës së “Artpolisit”, kjo shfaqje eksperimentale vë në pah talentet e shumëfishta të trupës.

“Kam pasur rastin të punoja me Robertin edhe më herët, por kësaj radhe i kemi hyrë më thellë me koreografinë dhe trupin. Mua edhe më pëlqen koreografia dhe kam pasur rastin të punoja edhe më herët, por jo në këtë mënyrë që të punoj në vazhdimësi. Është tepër kënaqësi”, ka thënë Donika Ahmeti.

Premiera e shfaqjes “Totem dhe Tabu” vjen premierë më 18 maj në Teatrin Kombëtar të Kosovës.