Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Totem dhe Tabu” nga Kosova shfaqet në Turqi

Turqia, është stacioni i shfaqjes “Totem dhe Tabu”. Produksioni i zhanrit dance teatër bën pjesë në programin e Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit të vendeve të Ballkanit që mbahet në Bursa e që ka nisur më 10 mars dhe do të zgjasë deri më 24. Edicioni i sivjetmë, i nënti, vjen me dhjetë shfaqje ku pos Kosovës dhe vendit nikoqir, Turqisë, prezantohen edhe Kroacia, Rumania, Bosnjë-Hercegovina, Shqipëria, Bullgaria e Maqedonia, si dhe një shfaqje nga Presheva. Lajmin për rrugëtimin e shfaqjes në Turqi e ka bërë të ditur “Artpolisi” që ka prodhuar shfaqjen.

“’Totem dhe Tabu’, që është tandem eksperimental i dances kontemporan dhe tekstit minimal që mundëson reflektimin e audiencës lidhur me çështjet e ngritura të cilat ngërthejnë jetën e tyre dhe mentalitetin kosovar, do të prezantohet më 19 dhe 20 mars 2022 para publikut në Turqi”, thuhet në njoftim ku rikujtohet se ajo është shfaqja e parë profesionale e krijuar nga Trupa Artistike Rezidente e “Artpolis”, me “një numër rekord të publikut në Teatrin Kombëtar duke përfshirë edhe reprizat”. “...dhe po në këtë vit ka përfaqësuar Kosovën në festivalin ‘Skampa International Theatre Festival’ në Elbasan, derisa ka pasur dy prezantime në Kroaci, në Pula dhe Zagreb, për të shënuar manifestimin ‘Ditët e Kulturës Shqiptare në Kroaci’”, shkruhet në komunikatë.

“Totem dhe Tabu”, koreografi nga Robert Nuha dhe dramaturgji të Zana Hoxhës ishte dhënë premierë më 18 maj të vitit të kaluar si shfaqje mysafire në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Ngre pikëpyetje për situata dhe shqetësime të mëdha shoqërore, trauma, ndikimin e pandemisë dhe hipokrizinë shoqërore, pa dhënë zgjidhje për çështjet që ngrihen. “Të tetë aktorët – personazhet e vetme të kësaj shfaqjeje – t’i kujtojnë dhjetë protagonistët e ‘Dekameronit’ të Giovanni Boccaccios. Murtaja e madhe – që ra në Firencë në vitin 1348 – akronohet me pandeminë e koronavirusit. Mirëpo, përderisa te ‘Dekameroni’ personazhet ikin nga Firenca për ta harruar në një mënyrë a tjetrën murtajën, te ‘Totem dhe Tabu’ është pikërisht pandemia ajo që i shtyn personazhet ta ngrenë kokën. Njashtu si te ‘Dekameroni’, vepra e botuar në vitin 1886, ata mundohen të reflektojnë rreth kuptimit të jetës, burrërisë, dashurisë e dhunës, por edhe çështjeve që konsiderohen tabu për shoqërinë apo që nuk arrijnë të depërtojnë në diskursin publik”, kishte shkruar “Koha Ditore” me rastin e premierës. Po aty, shkruhej se shfaqja është një modifikim i shfaqjes “Çfarë duan burrat”, e dhënë në tetor të vitit 2020 në teatrin “ODA”, në kuadër të edicionit të 8-të të festivalit “FemART”. Në atë shfaqje ishin bërë bashkë vetëm Nuha dhe aktori Edlir Gashi. I pari ishte në rolin e burrit që ia bën qejfin gruas së tij dhe ia plotëson të gjitha kërkesat e saj. Në anën tjetër, Edlir Gashi ishte e kundërta: bënte gjithçka që ajo i kërkonte.

“Në një kohë para dhe pas pandemie personazhet tona adaptohen, ndryshojnë, evoluojnë, por edhe ballafaqohen me frikat e tyre më të fshehta dhe të paarsyetuara. Ato ngrenë kokë si pasojë e izolimit dhe shkaktojnë histeri, paranojë dhe reflektim lidhur me vrasjet, kanunin e traumën ndër gjenerata, si dhe përpjekjet e pandalshme për dashuri e paqe”, shkruhet në përshkrimin e shfaqjes “Totem dhe Tabu”. Në shfaqje luajnë: Blerta Gubetini, Qëndresa Kajtazi, Edlir Gashi, Kaltrinë Zeneli, Mikel Markaj dhe Zhaneta Xhemajli.

Artikuj të ngjashëm