Të tetë aktorët – personazhet e vetme të kësaj shfaqjeje – t’i kujtojnë dhjetë protagonistët te “Dekameroni” i Giovanni Boccaccios. Ashtu sikurse te vepra e botuar në vitin 1886, ata mundohen të reflektojnë rreth kuptimit të jetës, burrërisë, dashurisë e dhunës, por edhe çështjeve që konsiderohen tabu për shoqërinë apo që nuk arrijnë të depërtojnë në diskursin publik. Sidoqoftë, “Totem dhe Tabu” mbetet larg njërës prej veprave më të rëndësishme të prozës italiane gjatë shekullit XIV
Pak vallëzim, disa ushtrime, pak dialogë e më shumë monolog, njëlloj siç karakterizohej periudha e karantinës për shumëkënd. E tillë është pak a shumë struktura e shfaqjes “Totem dhe Tabu”, premiera e së cilës u dha të martën mbrëma në Teatrin Kombëtar të Kosovës. “Totem dhe Tabu”, nën dramaturgji të Zana Hoxhës e koreografi të Robert Nuhës, ngre pikëpyetje për situata dhe shqetësime të mëdha shoqërore, trauma, ndikimin e pandemisë dhe hipokrizinë shoqërore, pa dhënë zgjedhje për çështjet që ngrihen.
Të tetë aktorët – personazhet e vetme të kësaj shfaqjeje – t’i kujtojnë dhjetë protagonistët e “Dekameronit” të Giovanni Boccaccios. Murtaja e madhe – që ra në Firencë në vitin 1348 – akronohet me pandeminë e koronavirusit. Mirëpo, përderisa te “Dekameroni” personazhet ikin nga Firenca për ta harruar në një mënyrë a tjetrën murtajën, te “Totem dhe Tabu” është pikërisht pandemia ajo që i shtyn personazhet ta ngrenë kokën. Njashtu si te “Dekameroni”, vepra e botuar në vitin 1886, ata mundohen të reflektojnë rreth kuptimit të jetës, burrërisë, dashurisë e dhunës, por edhe çështjeve që konsiderohen tabu për shoqërinë apo që nuk arrijnë të depërtojnë në diskursin publik.
Në të vërtetë, shfaqja është një modifikim i shfaqjes “Çfarë duan burrat”, e dhënë në tetor të vitit të kaluar në teatrin “ODA”, në kuadër të edicionit të 8-të të festivalit “FemART”. Në atë shfaqje ishin bërë bashkë vetëm Nuha dhe aktori Edlir Gashi. I pari ishte në rolin e burrit që ia bën qejfin gruas së tij dhe ia plotëson të gjitha kërkesat e saj. Në anën tjetër, Edlir Gashi ishte e kundërta: bënte gjithçka që ajo i kërkonte.
Një pjesë bukur e njëjtë e dialogut të asaj shfaqjeje është bartur edhe në këtë shfaqje, ani pse ishte larguar pjesa e forumit dhe ndërveprimit, që atëherë patën sjellë replika mes publikut dhe aktorëve, që nxisnin të qeshura por edhe irritim. Qe pritja e mirë nga publiku ajo që e shtyri ekipin të punonte për “Totem dhe Tabu”. Koreografi Robert Nuha ka thënë se qëllimin i tyre ka qenë avancimi i atij dueti.
Por, kësaj radhe, shfaqja është e prekur nga pandemia dhe informacionet që kushdo i ka dëgjuar në edicionet qendrore të lajmeve. Është pikërisht pjesa kur Donikë Ahmeti jep lajmet që kanë karakterizuar vendin në këtë kohë pandemie, e që sjellin mornica në trup. Mes tyre lajme për vrasje, vetëvrasje, dhunim, dhunë në familje e njoftim për numrin e të infektuarve dhe shëruarve me koronavirus.
Nuha ka thënë se “Totem dhe Tabu” është tandem eksperimental i vallëzimit bashkëkohor dhe tekstit minimal, që mundëson reflektimin e audiencës lidhur me çështjet e ngritura të cilat ngërthejnë jetën e tyre dhe mentalitetin kosovar.
“Tendenca e Zanës dhe e imja ka qenë që t’i dërgojmë aktorët në një nivel tjetër në pikëpamjen e shfrytëzimit të trupit si instrument vallëzimi, për të shprehur dhe prezantuar para audiencës situata e tematika siç ishte sonte shfaqja ‘Totem dhe Tabu’”, ka thënë ai. Ka theksuar se puna nuk është e njëjta me aktorë siç do të ishte me valltarë. Mirëpo, sipas tij, origjinaliteti është ai që ka çdoherë ka rëndësi.
“Me aktorë ndonjëherë është edhe më e veçantë. Ani pse ata nuk kanë një prapavijë, të them me lëvizje trupore në pikëpamjen e vallëzimit, pikërisht kjo bën që ndonjëherë të nxjerrësh gjëra më origjinale dhe te ‘Totem dhe Tabu’ gjithçka është origjinale dhe përbëhet shumë nga ajo që kanë ofruar aktorët”, ka thënë ai.
Ndryshe, “Totem dhe Tabu” është produksion i qendrës “Artpolis”.
Dramaturgia e shfaqjes dhe drejtoresha artistike e trupës së “Artpolisit”, Zana Hoxha, ka thënë se për ta ka qenë e rëndësishme që si trupë e re e që është në fillimin e rrugëtimit teatror të prezantohen me një shfaqje e cila paraqet stilin eksperimental teatror dhe angazhimin shoqëror.
“Jemi ende në proces të krijimit të një stili unik teatror në skenën vendore dhe shpresoj ndërkombëtare. Si drejtoreshë artistike e trupës së ‘Artpolisit’ jam munduar të ofroj dhe krijoj mundësi për artistët e rinj që dëshirojnë të zhvillohen nëpërmjet punës së tyre”, ka thënë ajo.
Edlir Gashi ka thënë se në shfaqje ka pasur aktorë që nuk kanë pasur eksperiencë në vallëzim, mirëpo, sipas tij, puna e madhe e Nuhës ka bërë që të mos ketë dallime.
“Është një shfaqje që gërsheton vallëzimin dhe teatrin, aktrimin e këndimin, të gjitha në një vend. Besoj që si aktorë të rinj që jemi kemi bërë një punë të mirë dhe publiku e ka pritur mirë. Në këtë shfaqje jemi marrë me çështje që kanë ndodhur në Kosovë dhe vetë emri i shfaqjes tregon se i kemi vënë në pah disa tradita që na janë bërë si tabu”, ka thënë ai.
Ka theksuar se përmes shfaqjes janë munduar t’i thyejnë disa tabu, duke diskutuar për to.
“Por, jemi marrë edhe me pjesën e pandemisë, pasi kanë ndodhur shumë vetëvrasje, vrasje, ka pasur edhe dhunë në familje dhe kryesisht janë gratë janë viktimat në shumicën e rasteve”, ka thënë Gashi.
Përveç Gashit e Ahmetit, në këtë shfaqje luajnë edhe Qendresa Kajtazi, Ismail Kasumi, Kaltrinë Zeneli, Mikel Markaj, Zhaneta Xhemajli dhe Blerta Gubetini.
Sidoqoftë, “Totem dhe Tabu” – si shfaqje eksperimentale në Teatrin Kombëtar të Kosovës – mbetet larg njërës prej veprave më të rëndësishme të babait të prozës italiane gjatë shekullit XIV, Bokaços, që së bashku me Petrarkën dhe Danten bën pjesë në të ashtuquajturat “Tre kurorat”.