Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Rangnick e sheh Kosovën kundërshtare shumë të vështirë

Ralf Rangnick

Përzgjedhësi Ralf Rangnick i Austrisë synon fitore përballë Kosovës që drejtohet nga miku i tij, Franco Foda. Rangnick dhe Foda kanë pranuar në intervistat e dhëna më herët se kanë marrëdhënie shumë të mirë mes vete. Por, të dielën nga ora 18:00 në stadiumin “Ernst Happel”, secili prej tyre kërkon pikët e plota. Si Austria ashtu edhe Kosova, e nisën kampanjën e pestë të Ligës së Kombeve me fitore. Austria fitoi 3:1 në Linz ndaj Izraelit, ndërsa Kosova në Prishtinë e mposhti Irlandën, 1:0.

Përzgjedhësi Rangnick pret ndeshje edhe më të vështirë të dielën mbrëma në Vjenë.

“Pres që ndeshja të jetë edhe më e vështirë sesa ajo ndaj Izraelit. Ende nuk mund të them se cila është kundërshtare më e fortë. Kosova e meritoi fitoren ndaj Irlandës dhe ne po përgatitemi për një kundërshtare që synon shumë”, ka deklaruar trajneri Rangnick.

Rangnick beson se ndeshja do të zhvillohet me atmosferë të bukur. Të gjitha biletat për këtë ndeshje janë shitur. Kosova do ta ketë mbështetjen e madhe po ashtu.

“Duam ta fitojmë ndeshjen e dytë në shtëpi, para tifozëve tanë në stadiumin që do të jetë plot me tifozë. Nëse e arrijmë këtë, do të ishte pozitive për duelet e ardhshme pasi hyjmë si të parët në grup”, ka shtuar tutje tekniku me përvojë.

Austria dhe Kosova i prijnë grupit B3 me nga tri pikë. Kosova viteve të fundit ka shënuar rritje të madhe. Luajti edhe në plejofin për Botërorin 2026 që u organizua në verë. Për rritjen e Kosovës ka folur edhe mesfushori Xaver Schlager. Schlager debutoi tek Austria nën drejtimin e Franco Fodas në vitin 2018.

“Ai e di se çfarë do, nuk dëshiron të rrezikojë shumë. Është e rëndësishme të jemi të organizuar kur nuk e kemi topin. Ai padyshim se e ka ndihmuar Kosovën të zhvillohet. Kosova është kundërshtare ndaj së cilës duhet të japim çdo gjë. Ne fokusohemi te vetja dhe duhet të paraqitemi mirë. Nëse e bëjmë këtë, kemi shanse të mira për fitore”, theksoi Schlager.

Tek Austria në dyshim për të luajtur është kapiteni Michael Gregoritsch, që pësoi lëndim në nyjën e këmbës në duelin ndaj Izraelit.

Austria më 1 tetor luan në udhëtim tek Irlanda, e më 4 tetor në “Fadil Vokrri” ndaj Kosovës.