Trajneri i futbollit Gani Sejdiu ka thënë se sjellja e sulmuesit Mirlind Daku pas ndeshjes ndaj Kroacisë nuk është e pëlqyeshme dhe ka thënë se çdo person publik duhet të ketë kujdes në sjellje.
Daku pas ndeshjes të së mërkurës që Shqipëria barazoi 2:2 me Kroacinë, mori altoparlantin dhe nxiti thirrje në kor të tifozëve.
UEFA ka nisur hetimet ndaj tij dhe po ashtu ndaj Federatës së Futbollit të Shqipërisë.
Trajneri Sejdiu në “Interaktiv” të KTV-së ka thënë se sporti ka rregullat e kriteret e veta dhe veprimet e tilla nuk tolerohen.
“Nuk është e mirë, ne tradicionalisht kemi bërë gjithnjë kritika, kemi kritikuar sjelljet e huliganëve serbë e të shtetit të Serbisë që nuk është zhveshur nga nacionalizmi i përgjithshëm, të cilin e përdor kudo. Kemi thënë se është nivel i ulët. Nuk është dashur të biem në këtë rast. Personat publik duhet të kenë kujdes në këto aspekte. I kuptoj emocionet momentale, por nuk duhet bërë veprime të tilla. E kuptoj këto gjëra varen nga karakteri dhe natyra e lojtarit. Disa janë më temperatment. Por personat publik duhet të kontrollojnë veten”, tha Sejdiu, që ka thënë se garat e mëdha shpesh përdoren nga qarqe të ndryshme “për të promovuar një lloj patriotizmi”.
E ish-futbollisti Behar Maliqi, vlerëson se veprimi i Dakut ishte euforik pas barazimit në minutat e fundit.
“Ai nuk ka menduar në atë moment. Ishte festa me tifozët. Por, sjelljet që nuk janë në përputhje dënohen. Unë si e kam parë gjestin e Mirlindit e kam ditur se do të dënohet. Me siguri do të marrë dënim nga organet kompetente. Shpresoj të jetë vetëm me të holla, por mendoj se do të jetë edhe me pezullim, por shpresoj që jo. Do të ishte gjynah për Mirlindin, pasi në gara të tilla të vjen rasti të luash një herë në jetë, kur e dimë se nuk kemi ne përfaqësuese që kualifikohet vazhdimisht në gara të tilla”, ka thënë Maliqi.
Maliqi ka kritikuar edhe Federatën Shqiptare për përpjekjet që bashkë me Serbinë të organizojë Kampionatin Evropian “Euro 2027” për grupomoshat U21.