Euro 2024

Roli i rezervistit e motivon Fuellkrugun

Gjermani

Rol i rezervistit në Euro 2024 e motivon sulmuesin e Gjermanisë, Niclas Fuellkrug që të luftojë për më shumë hapësirë, ka thënë vetë ai. Katër ditë para fillimit të Evropianit, Fuellkrug ka thënë se duhet të pajtohet me vendimin e selektorit Julian Nagelsmann që Kai Havertz të jetë sulmuesi i parë.

“Është e rëndësishme të jesh i sinqertë kështu që unë e kam dhënë mendimin tim”, ka thënë Fuellkrug lidhur me bisedën me selektorin.

“Trajneri e ka forcën dhe merr vendimet. Kjo është mënyra e drejtë. Që kur ishim futbollistë të rinj jemi mësuar me konkurrencë”, ka shtuar Fuellkrug.

Fuellkrug ka thënë se Kai Havertz e ka përkrahjen e tij të plotë.

Sulmuesi 31-vjeçar i Borussia Dortmundit ka thënë se Gjermania paraqitet në Evropian me ndjenjë të mirë.

“Ju duhet të kuptoni rolin që keni, të pranoni atë dhe ta shikoni si motivim për të punuar që të shkoni përtej kësaj dhe të merrni më shumë kohë në fushë”, ka theksuar Fuellkrug.