Qendërmbrojtësi holandez vlerësohet më i miri në ndeshje
Qendërmbrojtësi i Holandës, Stefan De Vrij, është zgjedhur lojtari më i mirë në ndeshjen çerekfinale ndaj Turqisë.
De Vrij i barazoi shifrat për Holandën, kur edhe nisi kthimi që i kualifikoi holandezët në gjysmëfinale të turneut.
De Vrij mbuloi 9.2 kilometra të fushës, të shtunën mbrmëa në Berlin.
Holanda e eliminon Turqinë në ndeshjen dramatike
Autogoli i Mert Muldurit në minutën e 76 e ka dërguar Holandën në gjysmëfinale të Kampionatit Evropian. Holanda fitoi me rikthim të rezultatit 2:1 në ndeshjen dramatike ndaj Turqisë të shtunën mbrëma në Berlin.
Cody Gakpo ishte shumë afër që ta shënonte golin e katërt të turneut, por topin në portën e gabuar e shtyu Muldur, që i dha epërsinë holandezëve.
Ndeshja ishte dramatike nga fillimi.
Turqia kaloi në epërsi e para në minutën e 35-të, me golin e shënuar nga qendërmbrojtësi Samet Akaydin.
Por, qendërmbrojtësi i Holandës u kundërpërgjigj me gol të shënuar me kokë po ashtu, në minutën e 70.
De Vrij u zgjodh edhe lojtari më i mirë i ndeshjes.
“Ai ishte solid në mbrojtje dhe tregoi iniciativë të lartë gjatë pjesës së dytë, kur edhe i barazoi shifrat”, ka shkruar UEFA.
Pas golit të barazimit, holandezët e drejtuar nga Ronald Koeman e kërkuan me ngulmim golin e epërsisë, që në fund i dha edhe fitoren.
Holanda do të ballafaqohet në gjysmëfinale me Anglinë.
Gjysmëfinalja Holanda – Anglia do të luhet në stadiumin “Signal Iduna Park” në Dortmund. Fituesi i këtij ballafaqimi do të luajë kundër Spanjës apo Francës në finale. Franca e Spanja luajnë të martën mbrëma.
Turqia ishte pa mbrojtësin Merih Demiral, i cili është i suspenduar për dy ndeshje nga UEFA për festën me shenjën nacionaliste, pas dy golave që i shënoi në fitoren 2:1 ndaj Austrisë, në një të tetën e finales.
Holanda u bë shteti i dytë që përfundon në vendin e tretë të fazës grupore dhe arrin në gjysmëfinale të Kampionatit Evropian, pas Portugalisë në “Euro 2016”. Portugalia kishte triumfuar në atë vit.
Për Holandën është gjysmëfinalja e parë në Evropian që prej vitit 2004.
Pavarësisht eliminimit, Turqia largohet me paraqitje shumë të mira në këtë evropian. Por, rekordi negativ i tyre është se janë ndëshkuar me 19 kartonë të verdhë dhe një të kuq në “Euro 2024”.
Të njëjtat statistika i kishte edhe Republika e Çekisë në vitin 1996.
Rekordi u barazua pasi Bertug Yildirim u përjashtua nga loja pak minuta para fundit. Lojtari i Rennesit ishte rezervist i pashfrytëzuar në Gjermani.
Holanda përmbys gjithçka
Për gjashtë minuta, Holanda ka arritur ta përmbysë rezultatin.
Në minutën e 76-të, Mert Muldur realizoi autogol për 2:1.
Kthehet Holanda
Një tjetër qendërmbrojtës ka shënuar gol në ndeshjen Holanda - Turqia.
Stefan de Vrij ka barazuar shifrat në minutën e 70-të.
Turqia shfaqet sërish rrezikshëm, qëllon shtyllën
Arda Guler në minutën e 56-të ka qëlluar shtyllën nga goditja e dënimit.
Guler asistoi në golin e parë, ndërsa iu afrua shumë shënimit të golit.
Turqia e ka shmangur disfatën në katër ndeshjet e fundit të Kampionateve Evropiane kur ka shënuar e para, që prej humbjes 3:2 nga Gjermania më 25 qershor 2008.
Depay lëshon rast të artë
Memphis Depay ka lëshuar rast të artë për t’i barazuar shifrat ndaj Turqisë.
Depay nga afërsia nuk e shtyu topin në rrjetë në minutën e 51-të.
Turqia në epërsi, Holandës i duhet shumë punë në pjesën e dytë
Turqia ka shkuar në pushim me epërsi prej një goli, ndërsa Holandës i duhet shumë punë në pjesën e dytë për ta përmbysur rezultatin e për ta kërkuar gjysmëfinalen e Kampionatit Evropian.
Turqia është në epërsi 1:0 në çerekfinalen e fundit të “Euro 2024”.
Golin e shënoi Samet Akaydin në minutën e 35-të me asistim të Arda Gulerit.
Fituesi i këtij ballafaqimi luan në gjysmëfinale ndaj Anglisë.
Turqia e befason Holandën
Turqia e ka befasuar Holandën dhe ka shënuar gol në minutën e 35-të.
Shënues ishte mbrojtësi Samet Akaydin.
Asistues ishte Arda Guler, futbollisti i Real Madridit.
Tifozët e Turqisë bëjnë shenjën për të cilin u suspendua Demirali
Tifozët e Turqisë do ta përkrahin në numër të madh shtetin e tyre në ndeshjen çerekfinale të Evropianit ndaj Holandës.
Ballafaqimi nis në orën 21:00 dhe luhet në Berlin.
Por rrugës për në stadium, tifozët e Turqisë kanë bërë me duar shenjën për të cilën është suspenduar me dy ndeshje nga UEFA, qendërmbrojtësi Merih Demiral.
Ata kanë bërë shenjën e “Ujkut Gri”, që e kishte bërë Demirali kur kishte shënuar dy gola ndaj Austrisë në një të tetën e finales, në fitoren 2:1.
Kjo shenjë vlerësohet si ultra-nacionaliste dhe ka bërë bujë në Gjermani ditëve të fundit.
Formacionet zyrtare Holanda – Turqia
Selektori i Holandës, Ronald Koeman, nuk e ka bërë asnjë ndryshim në 11-shen titullare që me lehtësi fitoi 3:0 ndaj Rumanisë në një të tetën e finales.
Ndërkohë, Turqia me Vincenzo Montellan drejtues të ekipit, ka bërë tri ndryshime dhe të gjitha ishin të detyruara.
Orkun Kokçu, Ismail Yuksek dhe Merih Demiral janë të suspenduar.
Vendin e tyre e kanë zënë Samet Akaydin, Salih Ozcan dhe kapiteni Hakan Çalhanoglu.
Formacioni i Holandës:
Verbruggen, Dumfries, De Vrij, Van Dijk (C), Ake, Schouten, Simons, Reijnders, Bergwijn, Depay, Gakpo
Formacioni i Turqisë:
Mert Gunok, Ferdi Kadioglu, Abdulkerim Bardakci, Samet Akaydin, Mert Muldur, Kaan Ayhan, Salih Ozcan, Kenan Yildiz, Hakan Calhanoglu (C), Baris Alper Yilmaz, Arda Guler