Gazetari sportiv Bekim Aliu ka thënë se nuk e sheh Portugalinë si fituese të “Euro 2024” pas fitores së vështirë ndaj Çekisë.
Portugalia mposhti 2:1 Çekinë me gol të minutave shtesë.
Sipas Aliu, portugezëve u mungonte diçka.
“Ndeshja e sotme nuk më jep shumë përshtypje që Portugalia do të jetë fituesja. Pamë që po i mungon diçka Portugalisë. Po i mungon efikasiteti i Ronaldos”, ka thënë ai në “Interaktiv”.
Por siç thotë gazetari Aliu, cilësitë e Ronaldos do të vijnë në pah në ndeshjen e ardhshme.
Ai ka thënë se Ronaldo do të vazhdojë të jetë në formacionin startues të Portugalisë.
Të njëjtin mendim për Ronaldon e ka edhe trajneri Erdin Hashani.
Hashani është i bindur se pas paraqitjes së sotme, sulmuesi 39-vjeçar do të jetë i padiskutueshëm në formacionin e trajnerit Roberto Martinez.
“Sonte e pamë një Ronaldo të uritur për sukses, ndryshe nga Botërori. Besoj që Ronaldo do të vazhdojë të jetë formacionin startues. Për mënyrën se si ka luajtur dhe ka vrapuar sot, Ronaldo do të jetë në formacion”, ka theksuar Hashani.