Euro 2020

Te Uellsi e lusin shtatlartin Moore të shmangë duart gjatë kërcimit në ajër

Kieffer Moore thotë se është një shënjestër e lehtë për arbitrat në “Euro 2020” për shkak të shtatit të tij.

Sulmuesi i skuadrës Cardiff Cityt ishte në stol në ndeshjen e fundit në Romë kundër Italisë, pasi përzgjedhësi i përkohshëm i Uellsit, Rob Page, ishte i vetëdijshëm se një tjetër karton i verdhë do ta linte shtatlartin jashtë fushës për ndeshjen e 1/8 së finales të Evropianit kundër Danimarkës, të shtunën. Moore luajti në 30 minutat e fundit të duelit ndaj Italisë, por para se të hynte në fushë mori disa instruksione nga përzgjedhësi Page. Page i tha sulmuesit “të hidhej në ajër, por pa përdorur duart”.

“Kur gjyqtarët shikojnë shtatin tim dhe lartësinë time, e kam parë se disi jam shënjestër e lehtë”, ka thënë Moore për “Sky Sports News” të enjten. “Nëse kundërshtarët bien në tokë, realisht unë ndoshta nuk i kam prekur, por ata kanë rënë, dhe duket sikur u kam bërë unë diçka”.

I pyetur për modifikimin e kërcimit të tij, ai shtoi. “Unë e bëj kërcimin, por kërcimi pa duar është shumë i vështirë. Në njëfarë mënyre unë duhej të kaloja për të mos marrë karton të verdhë. Gjithçka bëj për t’u përshtatur që të mos marr një tjetër karton të verdhë. Do të jem i lumtur nëse vazhdoj të mos marr karton të verdhë”.

Moore mori karton të verdhë për goditjen me bërryl ndaj futbollistit të Zvicrës, Fabian Scharit. Ai edhe vetë ka marrë një goditje, por ndihet i gatshëm për ndeshjen e një të tetës së finales të Evropianit kundër Danimarkës, të shtunën.

“Unë jam mirë. Kam lënduar hundën në duel, por është pjesë e futbollit. Mënyra se si luaj unë edhe marr disa goditje të vogla”, është shprehur ai.

Moore pranoi se ai po e shijon përvojën e tij të parë në një Evropian, por dëshiron të vazhdojë tutje, por i vjen keq që tifozët e Uellsit nuk do të mund të jenë të pranishëm në Amsterdam për shkak të kufizimeve në udhëtim.

“Ju mund të ndieni se e kemi të vështirë, por për ne pa dyshim që kualifikimi në gjysmëfinale dhe finale është më shumë se kurrë një synim, në mënyrë që t’i kemi më pas tifozët tanë në ‘Wembley’”, ka thënë Moore.

28-vjeçari po ashtu tha se Uellsi duhet të përqendrohet fillimisht në përballjen kundër Danimarkës që u kualifikua pa Christian Eriksenin që kolapsoi në ndeshjen kundër Finlandës.

“Ajo që ndodhi ishte goditje, por ta shohësh atë sërish me shëndet të mirë është e mahnitshme”, ka thënë ai.

Eriksen është duke u rikuperuar në shtëpi, pasi u lëshua nga spitali javën e kaluar.