Euro 2020

Spanjollët të detyruar krijojnë skuadër “paralele” shkaku i virusit

Përfaqësuesja e Spanjës ka krijuar një skuadër “paralele” me 17 lojtarë rezervistë për “Euro 2020”, të cilët do të duhej të luanin nëse koronavirusi përhapet midis lojtarëve aktualë, ka bërë të ditur stadi i ekipit të mërkurën. Në një vendim të njoftuar vetëm disa orë pasi mbrojtësi i Spanjës, Diego Llorente, u bë lojtari i dytë që doli pozitiv në testin për Covid-19, Federata e Futbollit e Spanjës (RFEF) bëri të ditur se tashmë ka krijuar një skuadër paralele që do të qëndrojë e gatshme dhe në izolim.

RFEF tha se tashmë janë thirrur 11 lojtarë për t'u bashkuar me gjashtë rezervistë, të cilët tashmë ishin duke vepruar si mbulesë për ekipin aktual të përzgjedhësit Luis Enrique, që është goditur nga koronavirusi. Kapiteni Sergio Busquets doli pozitiv të dielën e shkuar, vetëm një javë para se Spanja të luante ndeshjen e parë në Kampionatin Evropian. Të hënën Spanja do të përballet me Përfaqësuesen e Suedisë në Sevilla, në kuadër të Grupit E të “Euro 2020”. Sikurse Spanja, edhe Suedia tashmë është goditur nga koronavirusi, me dy lojtarët, Dejan Kulusevski e Mattias Svaberg, që kanë rezultuar pozitivë pas testeve të bëra të martën. Qëkur Busquests doli pozitiv me koronavirus, e gjithë skuadra e Spanjës që do të paraqitet në Kampionatin Evropian ka qenë në izolim. 11 të sapoardhurit te Spanja ishin pjesë e një ekipi U21 që mposhti Lituaninë 4:0 të martën në mbrëmje, në ndeshjen e fundit miqësore para Kampionatit Evropian. Në federatën spanjolle kanë insistuar se vendimi për të krijuar një skuadër “paralele” që do të jetë në dispozicion të Enriques gjatë Evropianit ishte i pashmangshëm.

“Stafi trajnues i ekipit kombëtar të Spanjës ka vendosur që 11 lojtarët e ftuar për ndeshjen miqësore kundër Lituanisë do të mbeten pjesë e skuadrës deri në fund të Kampionatit Evropian”, thuhet në njoftimin e federatës spanjolle. “Ky grup i lojtarëve do të qëndrojë në izolim dhe është një skuadër paralele, e krijuar për shkak të pasojave të mundshme që mund të rezultojnë nga infektimi i Sergio Busquetsit e Diego Llorentes”.

As Busquets e as Llorente nuk do të luajnë në ndeshjen e parë të Spanjës. Futbollistët, të cilët tashmë janë përfshirë në ekipin paralel të Spanjës, janë: Alvaro Fernandez, Oscar Mingueza, Marc Cucurella, Bryan Gil, Juan Miranda, Gonzalo Villar, Alejandro Pozo, Brahim Diaz, Martin Zubimendi, Yeremy Pino dhe Javi Puado. Ata janë bashkuar me gjashtë lojtarët, të cilët u ftuan ditë më parë nga përzgjedhësi Enrique si siguri për ndonjë rast tjetër pozitiv në ekip: Rodrigo Moreno, Pablo Fornals, Carlos Soler, Brais Mendez, Raul Albiol dhe Kepa Arrizabalaga.

Këta 17 futbollistë do të qëndrojnë të izoluar dhe në hotelin e tyre të veçantë, ku nuk do të kenë asnjë kontakt me lojtarët e Përfaqësueses së Spanjës që janë në listë për t’u paraqitur në “Euro 2020”. Në fakt lojtarët e ekipit të parë janë vaksinuar të mërkurën kundër koronavirusit dhe këtë e ka bërë të ditur edhe Ministria e Sportit e Spanjës. Krahas ndeshjes me Suedinë, Spanja në kuadër të Grupit E do të përballet edhe me Poloninë e Sllovakinë. Të gjitha ndeshjet e këtij grupi do të zhvillohen në stadiumin “La Cartuja” në Sevilla.