Në ditët para fillimit të një turneu të madh ndërkombëtar, biseda zakonisht përqendrohet në zgjedhje të befasishme, ndryshime taktike, dyshime për dëmtime dhe rivalitete të ashpra.
Këto diskutime mbeten ende, por para Kampionatit Evropian të futbollit, që nis të premten me një vit vonesë, mendja kthehet te rregullat e udhëtimit, karantinat, izolimet dhe testimet.
Kapiteni i Përfaqësueses së Spanjës, Sergio Busquets, u desh të kthehej në shtëpi për një periudhë izolimi pasi rezultoi pozitiv për COVID-19 fundjavën e kaluar. Sikurse Busquetsi, ka vepruar edhe mbrojtësi i Spanjës, Diego Llorente, që të enjten megjithatë doli negativ në testim të ri. Megjithëse u zbulua më vonë se virusi nuk ishte përhapur te lojtarët e tjerë, Spanja u detyrua të thërriste disa emra të rinj, saktësisht një ekip komplet, për të shërbyer si rezerva të koronavirusit.
Rezultati pozitiv i testit të Busquetsit, gjithashtu, nënkuptonte që Spanja ndeshjen miqësore me Lituaninë të martën mbrëma, që ishte e fundit para “Euro 2020”, ta zhvillonte me përfaqësuesen U-21 të udhëhequr nga përzgjedhësi i kësaj gjenerate, Luis de la Fuente.
Kampionia e Evropës në vitin 2012 e fitoi 4:0 miqësoren ndaj Lituanisë, por asnjë prej futbollistëve në të cilët llogarit Luis Enrique për “Euro 2020” nuk doli në fushë.
Edhe Suedia është përballur me probleme të ngjashme pas rasteve pozitive në ekip që dolën të martën mbrëma. Ndërsa gjashtë lojtarë të Skocisë nuk luajtën ndaj Holandës në miqësoren e javës së shkuar pas testit pozitiv të John Fleckut.
13-shi i pafat
Megjithëse disa federata të futbollit, përfshirë Spanjën, po përpiqen të sigurojnë vaksina për lojtarët e tyre përpara turneut, duket e sigurt se çarjet në skuadra do të jenë një tipar i “Euro 2020”. Lojtarët që do të jenë pozitivë gjatë turneut do të duhet të izolohen në të njëjtën mënyrë sikurse Fleck, Busquets dhe të tjerët. Organizatorët e turneut kanë thënë se ndeshjet “do të vazhdojnë të luhen siç janë planifikuar për sa kohë që ekipi ka të paktën 13 lojtarë në dispozicion (përfshirë të paktën një portier)”. UEFA gjithashtu ka lejuar që skuadrat të zgjerohen nga 23 lojtarë në 26 lojtarë dhe të rritin numrin e zëvendësimeve në pesë, me një shtesë në rastin e vazhdimeve. Përfaqësueset gjithashtu mund të thërrasin lojtarë shtesë në rast të një shpërthimi të koronavirusit, por duhet të heqin të njëjtën sasi lojtarësh nga skuadra e turneut për ta bërë një gjë të tillë. Ekziston gjithashtu një parashikim që ndeshjet të ristrukturohen “brenda 48 orësh” nëse skuadrat nuk kanë 13 lojtarë në dispozicion në një vend të zgjedhur nga UEFA. Ndërsa, nëse një ekip nuk arrin të krijojë një skuadër për të luajtur, atëherë do ta humbë ndeshjen me rezultatin zyrtar (3:0).
Duke pasur parasysh kërkesat e karantinës, kufizimet e udhëtimit dhe intensitetin e testimeve, fitoret e skuadrave autsajdere mbeten një mundësi e veçantë. Duke pasur parasysh testet pozitive në kampet e Spanjës dhe Suedisë, përplasja e tyre në Sevilla, të hënën, mund të jetë prova e parë e vërtetë e rregulloreve të reja. Të dy ekipet do t’i kenë nga disa mungesa. Busquets e Llorente pritet të mungojnë te Spanja, derisa Suedia do të jetë pa Dejan Kulusevskin e Mattias Svanbergun.
Njoftimi i shkurtër
Kërcënimi i njoftimeve të vonshme për zhvendosjen e ndeshjeve shkaku i shpërthimit të koronavirusit në përfaqësuese ose më gjerë do t’i shqetësojë tifozët, planet e të cilëve për të ndjekur ekipet e tyre janë bërë kaotike jo vetëm nga pandemia, por nga vendimi i UEFA-s për të zhvilluar ndeshjet në 11 stadiume në të gjithë kontinentin. Aktualisht stadiumi “Pushkash Arena” në Budapest është i vetmi i vendosur për të funksionuar me kapacitet të plotë në “Euro 2020”. Stadiumet në Baku dhe St. Petersburg do të jenë me 50 për qind të kapacitetit, stadiumi “Wembley” me 25 për qind të kapacitetit, “Allianz Arena” me 22 për qind derisa stadiumet e tjera do të mbushen me rreth 20 për qind. Por, sikurse gjithçka tjetër, këta numra mund të ndryshojnë me lehtësimet dhe forcimin e kufizimeve në baza ditore në të gjithë Evropën. Shpresat për një stadium të mbushur plotë me tifozë në Londër për finalen e 11 korrikut, u rritën nga politika e Qeverisë së Britanisë për të lehtësuar pothuajse të gjitha kufizimet deri më 21 qershor. Por shtimi i rasteve me variantin “Delta” të virusit e ka vënë atë në dyshim të konsiderueshëm. Me shumë pronarë të biletave që tashmë i kanë kthyer biletat e tyre, vetëm të vaksinuarit, guximtarët, ata me fat dhe të ata që janë të qëndrueshëm financiarisht kanë ndonjë shpresë për të ndjekur ekipin e tyre në mënyrën që ka qenë një tipar i tillë i turneve të kaluar. Edhe nëse ia dalin, ka shumë mundësi që disa nga lojtarët më të mirë nuk do të luajnë në ato ndeshje.